Ndërlidhjet

Shqiptarët kërkojnë unitet politik


Mijëra qytetarë të ardhur nga troje të ndryshme shqiptare kanë mbushur çdo cep të sheshit në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, duke festuar 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së këtij vendi.

Që nga orët e hershme të mëngjesit, qytetarët kanë dalë në rrugët kryesore duke festuar me flamuj në duar, duke kënduar këngë të ndryshme patriotike, por edhe himnin kombëtar.

Në mesditë, sheshi kryesor në Tiranë, dukej si një lum i me njerëz, që nuk dihej se ku e ka fundin, nga fluksi shumë i madh i qytetareve që festonin.

Pavarësisht motit jo shumë të mirë, që herë pas here kishte edhe reshje shiu, qytetarët nuk janë ndalur duke festuar, në pjesë të ndryshme të kryeqytetin por edhe në lokale e sheshe.

Bashkia e Tiranës në shumë pjesë të kryeqytetit ka vendosur skena, ku dëgjohet muzika e këngëtarëve dhe valleve të ndryshme, nga grupe artistike.

Qytetarët në rrugë duken të hareshëm dhe dëgjohen fjalë duke uruar njeri-tjetrin me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.

Qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë thanë se kjo ditë për ta është e veçantë pasi që Shqipëria ka mbushur 100 vjet.

Manushaqe Cepa, shprehet e lumtur dhe deklaron se kjo ditë do të mbetet gjatë në kujtesën e saj.

Ja siç po e shikon si i gjithë populli shqiptar, edhe ne sot kemi dalë që të festojmë 100 vjetorin e pavarësisë. Shumë të lumtur e të kënaqur. Shpresoj për më mirë, gjithnjë që të gjitha gjerat të vihen në vendin e vet. Politika në radhe të parë të mendojë për këtë popull dhe të bashkohen të gjithë krahët e politikës për të mirën e vendit”, thotë Cepa.

Kurse Bashkim Kazazi, thekson se ndihet me fat që po e jeton këtë ditë dhe festë.

Siç thotë ai, është i lumtur që edhe Kosova dhe Shqipëria po festojnë bashkë këtë festë të madhe.

Kemi marr pavarësinë dhe u bë 100 vjet dhe po fesojmë në shesh. Konsideroj se jemi të bashkuar, pvarësisht se ky është një lloj bashkimi, ndoshta jo me dokumente, po bashkim është edhe ky”, shprehet Kazazi.

Nga Kosova, pikërisht për të festuar 100 vjetorin e pavarësisë, kishte ardhur edhe Arsim Bajrami, profesor dhe deputet i Kuvendi të Kosovës. Ai thotë se të festosh sot është krenari e madhe.

Nëse shekulli njëzet ka qenë shekull i ndarjeve, i ndarjeve territoriale i padrejtësive historike për shqiptarët, atëherë shekulli 21 është shekull i shqiptarëve, i bashkimit. Shqiptarët po marrin atë që iu është mohuar, drejtësia”.

Po bëhen faktorë, ku kombi shqiptar po bëhet një komb i dinjitetshëm, i respektueshëm dhe një nga kombet më të vjetra evropiane, po bëhet i respektueshëm nga të gjithë faktorët relevant ndërkombëtarë”, thotë Bajrami.

Kurse një qytetare tjetër nga Tirana, Qazime Zeqiraj, thotë se gjatë këtyre viteve ka vërejtur ndryshime në vend, por, konsideron se në të ardhmen duhet të punohet më shumë.

E shohim të ardhmen shumë mirë, me shpresa. Shoh se ka përparime. Por, nuk shoh që politikanët janë të bashkuar, të shpërndarë janë”, shprehet ajo.

Alirami Kasami, i cili kishte ardhur me një grup shokësh nga Tetova, tha se numri i qytetareve nga ai vjen është shumë i madh. Kurse, sa i takon festes thotë:

Është kënaqësi e veçantë,është një rast që nuk përsëritet shpesh. Kam ardhur nga Tetova. Masazhi im për politikanët është që të punojnë më tepër për popullatën dhe të bashkohen”, thotë Kasami.

Ngjashëm mendon edhe Gazmend Memishi, por ai thekson se trojet shqiptare duhet të bashkohen.

Për ketë 100 vjetor unë kisha preferuar që gjithë politikanët të jenë të bashkuar dhe të punojnë për bashkimin kombëtar, që e kemi ëndërr të gjithë ne. Mendoj se kjo mund të arrihet sepse të gjithë shqiptarët e kanë ketë mendim”, thekson Memishi.
XS
SM
MD
LG