E martë, shtator 30, 2014 Kosova 12:10

Kronika

Kremtimi “kuq e zi” në Prishtinë

Prishtina feston 100 vjetorin i
X
Luljeta Krasniqi - Veseli
28.11.2012
Në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë kanë filluar manifestimet për të kremtuar 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit të Shqipërisë. Janë duke u mbajtur aktivitete të ndryshme kulturore. Këtyre manifestimeve në Prishtinë iu janë bashkuar qytetarë të shumtë nga e gjithë Kosova. Video: Luljeta Krasniqi

Prishtina feston 100 vjetorin

Që nga orët e hershme të ditës së sotme, qytetarë nga rajone të ndryshme të Kosovës, kanë arritur në kryeqendrën e Kosovës në Prishtinë, për të kremtuar, 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit të Shqipërisë.

Rrugët e Prishtinës, tashmë disa ditë janë stolisur me flamujt kombëtarë, ndërkohë që edhe në institucionet e ndryshme, shtëpitë, si dhe lokalet, janë stolisur me flamujt  kuq e zi, duke i dhënë qytetit pamjen e një kremteje të përgjithshme.

Në orët e para të mëngjesit, mbi Prishtinë ka pasur reshje shiu, që duket se i ka penguar qytetarëve të dalin në sheshe që me mëngjes. 

Por, tashmë, koha është pa reshje dhe disa mijëra qytetarë kanë nisur shëtitjen nëpër sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, ndërkohë që përgjatë këtij sheshi, bizneset kosovare kanë filluar shpërndarjen e produkteve ushqimore vendore, si shenjë e shënimit të kremtes.

Mustafë Halili, veprimtar kulturor nga Prishtina, thotë se atmosfera e festës, tashmë ka nisur në kryeqytetin e Kosovës, por edhe në qendrat tjera të vendit.

Ne sot presim që kryeqyteti të mbushet plot me qytetarë, jo vetëm të Prishtinës dhe qyteteve të tjera, por edhe vendeve të tjera të regjionit, nga Lugina e Preshevës, nga Maqedonia, Mali i Zi dhe vende të tjera ku ka shqiptarë. Kjo atmosferë mu më pëlqen shumë, sepse festohet një datë e veçantë, 100 vjetori i themelimit të shtetit shqiptar”, thotë Halili.

Nurie Gashi nga fshati Bellacerkë  i komunës së Rahovecit, ka ardhur në Prishtinë për t’iu bashkuar kremtes së qytetarëve nga e gjithë Kosova, të cilët pritet të jenë në numër të madh sot në kryeqytetin Kosovarë.

Mirë shumë. Është një organizim shumë i mirë dhe ka gjithçka që të len përshtypje”.

Ndërkaq, një bukë e gjatë 100 metra, e gatuar sipas mënyrës tradicionale të vendit, ishte ekspozuar në sheshin “Nëna Terezë”. Buletin Deliu, thotë se me bashkëpunëtorët e tij, e ka gatuar këtë bukë, e cila do t’u ofrohet qytetarëve falas gjatë kremtes.

Kemi pasur vullnetin e plotë për ta gatuar një bukë 100 metra të gjatë. Ne, firma ‘Buka’ e kemi gatuar, por popullit do t’ia japim falas. Atmosfera është  mirë. Kemi pasur pak vështirësi me mot, por Isa Boletini pati shkuar në Shqipëri nëpër borë e shi, prandaj ne nuk e kemi atë  hall të motit”.

Në mesin e qytetarëve në sheshin “Nëna Terezë”, kishte edhe mjaft fëmijë. Dren Krasniqi, thotë se kishte dalë për të festuar me prindërit e tij.

Sot është 28 nëntori. Është 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë dhe festa e flamurit tonë kombëtarë. Kemi dalë të shëtisim dhe të festojmë”.

Kata Augustini, nga Prishtina thotë se kishte dalë ta festojë 100 vjetorin e shtetit shqiptar dhe njëkohësisht, siç tha ajo, ta shijoj lirinë.

Ky është një gëzim shumë i madh. Unë veten asnjëherë nuk e kam parë kaq të lirë dhe të lumtur, të ecësh në qytetin tënd lirshëm dhe me qenë krenare dhe e lumtur, sidomos për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe për Ditën e Flamurit”.

Isa Gacaferri thotë se është me fat që e përjeton ditëlindjen e 100 të shtetit shqiptarë..

Është diçka e bukur, madhështore. Është diçka që nuk mund ta përjetoj çdo kush. Ne e kemi pasur fatin që ta përjetojmë dhe ta festojmë 100 vjetorin. E konsiderojmë veten me fat dhe shpresojmë që populli shqiptarë të punoj më tutje dhe të vetëdijesohet.  Po flasin shumë për bashkimin kombëtarë, mirëpo, mendoj që ne duhet të punojmë dhe të bashkohemi duke punuar, secili në vendin ku jetojmë”.

Kujtim Hajdarmataj nga Tropoja e Shqipërisë, thotë se ka ardhur ta shijojë atmosferën e festën bashkë më shqiptarët e Kosovës, të cilët ai i quan vëllezër të një gjaku.

Kam ardhur posaçërisht për të festuar 100 vjetorin e pavarësisë në kryeqendrën e Kosovës, në Prishtinë, mu në vendin e Dardanisë. Unë jam shumë i gëzuar. Shoh njerëz të lumtur dhe të gëzuar. Gëzuar festën e 100 vjetorit të pavarësisë. Bashkimi i të gjithë shqiptarëve do të jetë absolutisht i pakundërshtueshëm nga askush. Shoh atmosferë shumë impozante dhe të gëzuar. Njerëzit festojnë të bashkuar. Rroftë Kosova, rroftë Shqipëria, rroftë Shqipëria Etnike”.

E reja nga Prishtina, Gentijana Ramadani, thotë se të gjithë njerëzit që kanë dalë të festojnë në sheshin “Nëna Terezë”, e kanë një qëllim të përbashkët...

Kuq e zi, ngado që shkojmë, si për ata që nisen për Shqipëri, njëjtë edhe për ata që kanë ardhur te ne. Jemi një. Po presim që të bashkohemi, Kosovë dhe Shqipëri, që të mos themi më se jemi ose në Kosovë ose vetëm në Shqipëri. Po presim bashkim kombëtarë, por po presim që edhe sot të kënaqemi sa më shumë. Ua uroj të gjithë shqiptarëve 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe e kalofshin ditën sa më mirë sot”.

Ndryshe, në Prishtinë, gjatë ditës së sotme, për nder të 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptarë, janë duke u zhvilluar një varg aktivitetesh dhe manifestimesh kulturore, koncerte dhe shfaqje të ndryshme.

Festa e përvjetorit të 100 të pavarësisë së Shqipërisë ka nisur disa ditë më parë, ndërkohë që mbrëmë,  në stadiumin e Prishtinës, është mbajtur një koncert i madh, me artistët muzikorë nga të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët.

Bekim Bislimi

beka.bislimi+gmail.com

Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum