E dielë, dhjetor 21, 2014 Kosova 12:18

Shëndetësi

Në Rusi brenda ditës 200 raste të reja me HIV

Ilustrim
Ilustrim

Multimedia

RFE /RL
Numri i të prekurve me virusin HIV/AIDS në Rusi ka qenë për 12 për qind më i lartë në dhjetë muajt e parë të vitit 2012, sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në periudhën janar-tetor 2012, virusin e kanë pasur 703,781 rusë, ndërsa 90,396 prej tyre kanë vdekur.

Në gati 60 për qind të rasteve të reja, gjilpërat e pista që janë përdorur për t’u droguar, kanë shkaktuar infektimin.

Drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për HIV/AIDS, Michel Sidibe, i ka thënë BBC-së se Rusia është në mesin e disa vendeve që vazhdojnë të mos përdorin strategjitë e duhura për trajtimin e virusit.

Rreth 200 rusë infektohen çdo ditë me virusin HIV, thotë në anën tjetër Vadim Pokrovsky, udhëheqës i Qendrës Federale të Rusisë për luftën kundër AIDS-it.

Duke folur për agjencinë ruse të lajmeve Ria-Novosti, ai ka paralajmëruar se nëse nuk merren hapa parandalues, numri i rasteve mund të dyfishohet në çdo pesë vjet.

Të dhënat e lëshuara nga qendra e tij tregojnë se në dhjetë muajt e parë të 2012-s, një total prej 4,398 fëmijësh janë infektuar me HIV nga nënat e tyre, ndërsa 529 nga ta kanë vdekur.

Rusia përballet me problemet më të rënda të heroinës në botë, të cilat nxiten edhe nga afërsia e saj me rrugët afgane të kontrabandës dhe mungesa e veprimeve efektive anti-drogë.

Gati 39 për qind e rasteve të reja me virusin HIV në vitin 2012 kanë lindur si pasojë e marrëdhënieve heteroseksuale. Seksi midis burrave, ndërkaq, fajësohet për më pak se 1 për qind të rasteve të infeksioneve të reja.

Rasti i parë i HIV-it në Bashkimin e dikurshëm Sovjetik është raportuar më 1986. Ai thuhet se është shkaktuar nga marrëdhëniet seksuale ndërmjet ushtarëve sovjetikë. Pasi homosekusaliteti në rajon ka qenë i ndaluar, çështja është heshtur shpejt dhe HIV/AIDS-i nuk ka marrë vëmendjen e nevojshme.

Përkundrazi, rasti është cilësuar si sëmundje që ndikon vetëm popullsinë homoseksuale.

Shumë individë janë testuar për virusin HIV pa dijeninë e tyre dhe rastet pozitive janë ballafaquar me diskriminim ekstrem social. Kështu, shumë individë të infektuar kanë kaluar pa u raportuar dhe HIV/AIDS ka vazhduar të rritet.

HIV-i dobëson sistemin imunitar te njeriu, si dhe sistemet mbrojtëse të tij kundër viruseve dhe disa llojeve të kancerit.

Ai mund të transmetohet përmes shkëmbimit të lëngjeve të trupit nga individë të infektuar, si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vagjinale.

Individët nuk mund të infektohen përmes kontaktit të zakonshëm, si: puthja, përqafimi, shtrëngimi i duarve apo ndarja e objekteve personale, ujit dhe ushqimit.

HIV-i vazhdon të mbetet problem i madh për shëndetin publik global, duke marrë më shumë se 25 milionë jetë gjatë tri dekadave të fundit. Ai nuk mund të shërohet, por mund të kontrollohet me barna të caktuar.(v.t.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum