E shtunë, gusht 23, 2014 Kosova 15:23

Shëndetësi

Kosova me dy raste të reja me HIV/AIDS këtë vit

Ilustrim
Ilustrim

Dita Ndërkombëtare e SIDA-s, këtë vit Kosovën e gjen me dy raste të reja të personave që janë prekur nga virusi HIV.

Sipas infektologëve, Kosova numëron 86 persona të prekur nga kjo sëmundje, ndërsa nga viti 1986, kur edhe është identifikuar rasti i parë, kanë vdekur 38 persona.

Doktoresha Luljeta Gashi flet për gjendjen epidemiologjike sa i përket virusit HIV/AIDS:

“Deri sot në botë janë regjistruar mbi 34 milionë njerëz me HIV. Fëmijë nën 15 vjeç të prekur me virusin HIV janë  5.1 milionë.  Në mbarë botën deri sot kanë vdekur 23.8 milionë njerëz. Dhe, çdo 5 minuta infektohen 16 persona të rinj”.

“Që nga fillimi i epidemisë së HIV-it stigma dhe diskriminimi kanë pasur ndikim negative, i ndalon njerëzit të përdorin shërbimet për këshillim dhe testim vullnetar dhe i mban larg nga njohja e statusit të tyre me HIV”.


Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë se njëra prej përpjekjeve shumë serioze të institucionit që ai udhëheq ka qenë plani strategjik për parandalimin e HIV/AIDS-it në Kosovë, 2009- 2013, i cili ka mundësuar ndërmarrjen e aktiviteteve sistematike në këtë drejtim.

Ferid AganiFerid Agani
x
Ferid Agani
Ferid Agani
“Ministria e Shëndetësisë ka qenë e përkushtuar që të ndërmarrë të gjithë hapat institucionalë në mënyrë që përgjigjja ndaj këtij rreziku serioz për shëndetin publik të jetë sa më mirë e menduar dhe të jetë rezultat i integrimit të përpjekjeve, si të sektorit qeveritar, po ashtu edhe atij joqeveritar”, shprehet Agani.

Në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë duke u trajtuar 12 persona.

Inflektologu Izet Sadiku bën të ditur se në vitin 2003 ka filluar puna në Qendrat për këshillim dhe testim vullnetar në Kosovë, derisa në shkurt të vitit 2005 ka filluar të përdoret terapia retrovirale për personat që jetojnë me HIV.

“Këto qendra ofrojnë sot shërbime, që të gjitha ofrohen falas. Qendra në Klinikën Infektive punon që nga viti 2003 dhe deri  tani në këtë qendër janë testuar dhe këshilluar 2942 klientë”, thotë Sadiku.

Ndërkaq Alban Gjonbalaj, udhëheqës i Organizatës për personat që jetojnë me HIV në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemi, me të cilin ballafaqohen ata, është mungesa e herëpashershme e terapisë.
Është e vërtetë që ka ndodhur ndërprerja e terapisë dhe këto tri vitet e fundit jeta e personave që jetojnë me HIV ka qenë jashtëzakonisht e rrezikuar.

“Është e vërtetë që ka ndodhur ndërprerja e terapisë dhe këto tri vitet e fundit jeta e personave që jetojnë me HIV ka qenë jashtëzakonisht e rrezikuar. Besoj që në të ardhmen kjo nuk do të ndodhë, sepse prej kur kemi filluar, më 2005, gjithmonë kemi pasur probleme. Unë kam dyshime që edhe në përfundim të terapisë, që është siguruar për dy vjet, nuk do të jetë e mjaftueshme. Procedurat e prokurimit gjithmonë po shkaktojnë probleme”, thekson Gjonbalaj.

Sipas përfaqësuesve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë, Kosova konsiderohet si vend me prevalencë të ulët sa i përket HIV/AIDS-it, por faktorët e rrezikut - trafikimi me qenie njerëzore, përdorimi i drogave intravenoze dhe sjelljet e rrezikshme - janë të pranishëm.

Ariana Kasapolli - Selani

arianakasapolli+gmail.com

Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum