E hënë, shtator 22, 2014 Kosova 16:13

Bota

Në Meksikë rikthehet “pushteti veteran”

Enrique Pena Nieto
Enrique Pena Nieto
RFE /RL
Dhjetëra njerëz janë plagosur në trazirat që kanë shpërthyer derisa Enrique Pena Nieto ka marrë detyrën e presidentit të Meksikës.

Autoritetet thonë se të paktën 76 njerëz janë plagosur dhe 100 të tjerë janë arrestuar gjatë përleshjeve të tyre me policinë.

Demonstruesit kanë kundërshtuar rikthimin në pushtet të partisë së Nietos, Partia Institucionale Revolucionare, e cila ka sunduar Meksikën për më shumë se 70 vjet deri më 2000.

Partia është e njohur te meksikanët për udhëheqje autoritare dhe për lejimin e korrupsionit.

Në fjalimin e tij inaugurues, Nieto, 46 vjeç, është zotuar se do t’i japë fund dhunës me drogë, e cila për disa vjet ka lënë dhjetëra-mijëra njerëz të vrarë.

Ai ka paraqitur një plan 13-pikësh, i cili përfshin masat për të rritur ekonominë, për të luftuar pabarazinë dhe për të përmirësuar standardin e jetesës.

Pena Nieto, mandati i të cilit zgjat gjashtë vjet, pason Felipe Calderonin, që ka nisur luftën kundër kartelave të drogës.

Mbi 60,000 persona thuhet se janë vrarë në përleshjet midis bandave rivale të drogës në gjashtë vjetët e fundit në Meksikë - njëherësh ekonominë më të madhe të Amerikës Latine pas Brazilit.

Duke adresuar shqetësimet për rikthimin e Partisë Institucionale Revolucionare, Nieto është zotuar se qeveria e tij do të jetë e hapur dhe përgjegjëse për të gjithë sektorët e shoqërisë dhe se do të mbrojë vendosmërisht të drejtat e njeriut.

Ai ka folur për një qasje ndryshe ndaj problemeve në Meksikë, duke thënë se vendi i më shumë se 113 milionë njerëzve, ka nevojë për një “pakt të ri social”.

“Ne duhet të ndryshojmë paradigmën. Duhet të kuptojmë se nuk do të ketë siguri përderisa nuk ka drejtësi. Në Meksikë do të jetë drejtësia ajo që do të formojë bazën e një pakti social”, ka thënë Nieto.

Ai ka premtuar rritje të investimeve, që “do të përmirësojnë infrastrukturën dhe do të zgjerojnë pjesëmarrjen e Meksikës në ekonominë globale”. Vendi ka njërën nga 15 ekonomitë më të mëdha në botë, por shumica e popullsisë vazhdon të jetojë në varfëri.

Nieto, po ashtu, është zotuar se do të krijojë një program për parandalimin e krimit kombëtar.

“Meksika duhet të jetojë në paqe. Unë jam i bindur se jo vetëm autoritetet duhet të luftojnë krimin. Është e rëndësishme që vendi të bëhet një forcë integrale për rindërtimin e strukturës shoqërore”, ka thënë Nieto.

Vlladimir PutinVlladimir Putin
x
Vlladimir Putin
Vlladimir Putin
Në Moskë, Kremlini ka konfirmuar se presidenti Vladimir Putin ka uruar Nieton, duke thënë se “Meksika është një partner i rëndësishëm i Rusisë në Amerikën Latine”. Kreu i Këshillit rus të Sigurisë, Nikolai Patrushev, ka kryesuar delegacionin e Rusisë që ka marrë pjesë në inaugurim.

Patrushev u ka thënë gazetarëve se ka diskutuar disa marrëveshje eventuale me Nieton, përfshirë paktin për udhëtim pa viza dhe një projekt-memorandum për bashkëpunim në siguri.

Rivali i Nietos, majtisti Andres Manuel Lopez Obrador, ka përsëritur akuzat se presidenti i ri dhe partia e tij kanë fituar zgjedhjet me mashtrime.

Zgjedhjet në Meksikë janë mbajtur në muajin korrik.

Gjykata ka hedhur poshtë akuzat se vota është fituar në mënyrë të paligjshme, por Lopez Obrador ka refuzuar të pranojë humbjen.(v.t.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum