Ndërlidhjet

Kërkohet hetim i pavarur ndaj Del Pontes


Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë paralajmëruan se do të kërkojnë hetime të pavarura ndaj ish-Kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte.

Autorja e librit “The Hunt: Me and the War Criminals”, që sipas qeverisë, ka “tejkaluar dhe keqpërdorur” autorizimt dhe privilegjet deri në atë masë sa ka lejuar ngritjen e aktakuzave “krejtësisht të pabaza, tendencioze e të kundërligjshme, duke çuar kështu në burgosjen dhe njollosjen e karaktereve të shumë figurave të çmuara politike të Republikës së Kosovës, si dhe duke dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës”.

Njoftimi për media i Qeverisë pason lirimin nga të gjitha akuzat për krime lufte të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Ky i fundit u shpall i pafajshëm edhe në rigjykimin e pjesshëm nga Tribunali i Hagës lidhur me akuzat për krime lufte ndërmjet 1998-'99 dhe vrasjen e torturimin e të burgosurve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Jabllanicë.

Akuzat për përfshirje në këtë rast u hoqën edhe nga dy ish-bashkëluftëtarët e Haradinajt, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, të cilët të enjten gjithashtu u shpallën të pafajshëm nga Tribunali.

Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon nga autoritetet kompetente ndërkombëtare që të fillohen hetime kundër Carla del Pontes për keqpërdorimin e autoritetit të saj si Kryeprokurore në rastin Haradinaj, rastin Limaj e tjerë në vitin 2003 dhe lidhur me fabrikimet fantastiko-shkencore të Karla del Pontes lidhur me akuzat e Dick Martit e më gjerë”, thuhet në komunikatën për media të Qeverisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës shprehu “indinjatën e saj sidomos pas deklaratave të Prokurorëve te tjerë të këtij Tribunali, të cilët vazhdimisht kishin shprehur mosbesimin e tyre në provat e ofruara nga Del Ponte, dhe veçanërisht në vetë deklaratat e saj të fundit me të cilat ajo ka pranuar që aktakuza që kishte ngritur kishte mungesë provash e dëshmitarësh”.


Edhe Tirana kërkon hetime të pavarura

Kërkesën për një hetim të pavarur ndaj Del Pontes e ka bërë edhe Qeveria e Shqipërisë.

Tirana
Tirana
“Opinioni publik shqiptar është tronditur thellë nga deklaratat e fundit të prokurorëve të Tribunalit, që kanë ngritur akuzat ndaj Slloboban Millosheviqit si dhe ndaj autorëve të Masakrës së Sebrenicës, në të cilat pohohet se akuza e ngritur ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorëve të tij nga prokurorja Karla del Ponte është hartuar pa bazë të mjaftueshme provash, duke mos marrë parasysh dhe anashkaluar rekomandimin e prokurorëve të çështjes kundër ngritjes së aktakuzës për mungesë provash, madje duke kërkuar edhe fshirjen e këtij rekomandimi nga regjistrat kompjuterikë të Tribunalit dhe shkarkimin e tyre nga çështja”, thuhet në komunikatënpër media të qeverisë së Shqipërisë.

Njëri nga prokurorët e lartë në Tribunalin e Hagës, Geoffrey Nice, ishte ndër të parët që kërkoi një hetim të pavarur ndërkombëtar për punën që ka kryer Del Ponte në këtë Tribunal.

Nice nuk ka përjashtuar mundësinë që Del Ponte të ketë insistuar në gjykimin e ish-komandantëve të UÇK-së për shkak të kritikave në Beograd se nuk po gjykohen kosovarët.

Një hetim të pavarur ndërkombëtar ndaj Del Pontes e ka kërkuar tashmë edhe avokati mbrojtës i Haradinajt, Ben Emerson, me insistimin që Del Ponte t’u kërkojë falje publike ish-luftëtarëve të UCK-së, Haradinajt, familjes së tij dhe tërë Kosovës.
XS
SM
MD
LG