E enjte, gusht 28, 2014 Kosova 11:05

Rajoni

Procesi i ndërmjetësimit, alternativë që s’shfrytëzohet

Ilustrim
Ilustrim
Procesi i ndërmjetësimit, që në praktikat e vendeve evropiane llogaritet si një nga proceset më efikase për shkurtimin e procedurave gjyqësore, për qytetarët e Maqedonisë është tejet pak i njohur.

Kryetari i Dhomës së Ndërmjetësuesve, në Maqedoni, Zoran Petkoviq, thotë se ndërmjetësimi si proces paraqet një mekanizëm të suksesshëm jo vetëm për shkarkimin e gjyqësorit nga lëndët e shumta, por njëherësh kontribuon në përmirësimin e raporteve mes palëve që janë me vite në kontest.

“Një nga dukuritë më të rëndësishme gjatë zgjidhjes së kontesteve përmes ndërmjetësimit është përmirësimi i raporteve ndërmjet palëve që janë në kontest, sepse nuk është si në gjyq, kush ka të drejtë dhe kush jo. Thjesht, përmes mediacionit kërkohen rrugë që do të çonin kah një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët”, thotë Petkoviq.

Nga ana tjetër, Naser Ziberi, ekspert juridik, thekson se zgjidhja e konfliktit përmes ndërmjetësimit mund të aplikohet në raste grindjesh familjare, divorci ose probleme të trashëgimisë.

“Problemi se pse nuk gjen hapësirë shërbimi i ndërmjetësimit është për faktin se qytetarët ende nuk kanë besim se ky organ juridik mund të zgjidhë mosmarrëveshjet ndërmejt tyre. Kjo ndodh, sepse ata s`janë të mësuar t’i zgjidhin kontestet jashtë gjyqit”, thekson Ziberi.

Me jetësimin e ndërmjetësuesve, sipas Ziberit, qytetarët konfliktet do të mund t`i zgjidhnin në mënyrë më të shpejtë dhe kostoja material e shërbimeve juridike është shumë më e ulët.

“Zgjidhja e lëndëve përmes meditacionit (ndërmjetësimit), nuk ka kurrfarë shpenzimesh gjyqësore. Ndërmjetësuesit kanë një tarifë, e cila është simbolike, gjegjësisht shumë më e ulët sesa që kushton një seancë gjyqësore. E dyta, shmanget zgjatja e procedurave gjyqësore. Te mediatori gjasat për t`u arritur ujdi për zgjidhjen e problemit ndërmjet palëve në kontest janë shumë më të mëdha. Pra, ky shërbim ka disa përparësi në raport me gjykatat”, sqaron Ziberi.

Megjithatë qytetarët kanë pak njohuri për mundësin e zgjidhjes së ndonjë kontesti përmes ndërmjetësimit. Në këtë drejtim, kryetari i Odës së Ndërmjetësuesve, thotë se për këtë ka faj dhe sistemi gjyqësor.

“Gjatë procesimit të lëndëve gjyqësore, gjyqi konform ligjit ka për obligim t`i informojë palët se kanë mundësi ta zgjidhin kontestin edhe përmes ndërmjetësimit, por praktika dëshmon se deri më tani na kanë ardhur vetëm dy ose tri raste”, bën të ditur Petkoviq.

Ai thotë se jo rrallë herë palët nuk duan ta shfrytëzojnë ndërmjetësuesin, veçanërisht ata të cilët e dinë se janë fajtorë, sepse gjyqi duke e zvarritur procesin dy ose më shumë vjet, atyre u mundëson të fshihen nga drejtësia.

Ndryshe, edhe Qeveria e Maqedonisë pos që ka ndarë mbi 150 licenca për autorizim të ndërmjetësimit mes palëve, njëherësh po ndërmerr një varg aktivitetesh  për shqyrtimin e kësaj çështjeje, me ç`rast ka formuar një trup koordinues që pritet t’i japë kahen e duhur jetësimit të ligjit në fjalë, duke sugjeruar gjykatësit t’i udhëzojnë palët, para se të fillojë procesi gjyqësor, që të praktikojnë ndërmjetësimin.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum