E shtunë, gusht 30, 2014 Kosova 10:11

Aktuale

Merren vesh për IBM-në dhe zyrat ndërlidhëse

Hashim Thaçi. Catherine Ashton dhe Ivica Daciq
Hashim Thaçi. Catherine Ashton dhe Ivica Daciq
Në Bruksel sot në orët e para të mëngjesit kanë përfunduar takimet ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, atij të Serbisë, Iivica Daçiq, dhe përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton.

Në kumtesën e zonjës Ashton, thuhet, pos tjerash, se “e kemi shqyrtuar progresin e bërë në implementimin e marrëveshjes IBM” dhe shtohet se të dy kryeministrat i kanë konfirmuar konkluzionet e grupit punuese për IBM, sipas së cilave dy porta (1 dhe 3) tash janë gati dhe do të jenë operacionale më 10 dhjetor, ndërsa dy portat e tjera (5 dhe 31) do të jenë gati më 31 dhjetor”.

Në njoftim theksohet se “të dy kryeministrat janë pajtuar që secili ta emërojë një zyrtar ndërlidhës”.

Në këtë kuadër zyrat aktuale të BE-së në Prishtinë dhe në Beograd, do të shërbejnë si zyre të oficerëve të ndërlidhjes të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Kosovë.

Në njoftimin e zonjës Ashton, pas takimit Thaçi – Daçiq, me ndërmjetësimin e saj, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, “tashmë e ka krijuar një njësi speciale multietnike policore, brenda policisë së Kosovës, e cila do të ketë për detyrë ta mbroj trashëgiminë kulturore dhe religjioze”.

Kumtesa thotë se “të dy palët, poashtu, janë pajtuar që t’i shqyrtojnë mënyrat për sigurimin e rrjedhjes transparente të parave në mbështetje të komunitetit serb në Kosovë”.

Është theksuar se është arritur pajtueshmëri që në kuadër të këmbimeve të nivelit teknik, të vazhdojë puna për energji dhe telekomunikacion, në nivelin e ekspertëve dhe se të dy kryeministrat janë pajtuar për “intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet komisioneve përkatëse për personat e pagjetur”.

Sipas kumtesës, takimi i ardhshëm do të mbahet më 17 janar të vitit 2013.

Pas takimit kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi shkurt se është arritur marrëveshja për vendkalimet kufitare dhe se në to do të vendosen policët e Kosovës, ata të misionit EULEX dhe policët e Serbisë.

I pyetur për çështjen e pranisë së simboleve shtetërore, në vedkalime kufitare, zoti Thaçi u shpreh se “nëse serbët nuk i vendosin simbolet, nuk do t’i vendosim as ne”.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ndaras, u tha gazetarëve se në bisedime është arritur marrëveshja që deri në fund të muajit dhjetor të funksionojnë katër “vendkalime administrative”, siç shprehen zyrtarët e Serbisë për vendkalimet kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Sipas tij, do të funksionojnë vendkalimet në Konçul, Merdarë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Takimet e nivelit të lartë janë parë si mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Bashkimi Evropian ka thënë se përparimi në bisedime do të avancojë përpjekjet e Kosovës dhe të Serbisë, për të lëvizur përpara drejt integrimit në këtë bllok.

Takimi i parë Thaçi-Daçiq është zhvilluar më 19 tetor, ndërsa i dyti më 7 nëntor. (f. b.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum