Ndërlidhjet

Ban: Moti ekstrem, u shndërrua në normal


Ban Ki-Moon
Ban Ki-Moon
Një raport i ri i Bankës Botërore thotë se ngrohja globale do të shkaktojë pasoja në shtetet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore.

Studimi është prezantuar në kuadër të negociatave, në konferencën e Kombeve të Bashkuara në Katar.

Në të thuhet se temperaturat mesatare në shtetet arabe ka të ngjarë që të rriten për tri gradë Celsius në vitin 2050.

Raporti paralajmëron se rritja e temperaturave do të çojë në kushte meteorologjike më të nxehta dhe të thata, që mund ta shkatërrojnë bujqësinë dhe turizmin.

Të martën, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon iu kërkoi delegacioneve kombëtare në Katar që të përpiqen ta arrijnë një traktat të ri për të ndërprerë emetimin e “gazrave serrë”, që lidhen me ndryshimet klimatike.

Ban tha se kushtet ekstreme të motit tash janë shndërruar në “kushte të reja normale” dhe se është koha që qeveritë të ndërmarrin veprime për t’u përgatitur për rrezikun.

Ai tha se shkrirja e akullit në Detin Arktik ka shënuar rekord, “super-stuhitë” dhe rritja e niveleve të detit janë indikatorë të një krize.

“Shenjat e rrezikut janë gjithandej. Një e treta e popullatës së botës jeton në shtete nën presionin e nivelit të lartë të ujërave. Degradimi i tokës prek 1.5 miliardë njerëz. Akujt po shfaqin një shkrirje të paparë, nivelet e detit po rriten. Abnormalja, tash është shndërruar në normale”, u shpreh Ban.

Shefi i OKB-së tha se askush në tokë nuk do të jetë imun ndaj ndryshimeve klimatike, të cilat i përshkroi si “sfidë ekzistenciale” për racën njerëzore dhe planet e saj për të ardhmen.

“Asnjëri nuk është imun ndaj ndryshimeve klimatike- qoftë ai i pasur apo i varfër. Është një sfidë ekzistenciale për tërë racën njerëzore, për mënyrën e jetesës, për planet tona për të ardhmen. Ne duhet ta marrim përsipër, ne kolektivisht jemi problemi dhe duhet të gjejmë zgjidhje”, u shpreh Ban.

Ban tha se super-stuhia Sandy, që goditi Karaibet dhe bregun lindor një muaj më parë dhe shkaktoi vdekje dhe shkatërrim në masë të gjerë, duhet të jetë thirrje zgjimi se është koha e fundit për veprim.

Një pakicë e shkencëtarëve vazhdojnë të bëjnë pyetjen nëse ngrohja globale dhe kushtet meteorologjike të dekadave të fundit janë pasojë e aktiviteteve njerëzore, si djegia e karburanteve nga fosilet, që krijojnë emetim të karbonit.

Bisedimet në Doha mbi zgjatjen e Protokollit të Kyotos përfundojnë të premten. Pothuaj dy javë bisedime deri më tash, kanë dështuar që të prodhojnë përparim të dukshëm.

Delegatët thonë se dështimi për t’u pajtuar mbi zgjatjen e traktatit të Kyotos po i pengon edhe përpjekjet për të bërë përparim drejt një traktati të ri, që do t’i shtynte vendet të ndërpresin emetimin duke filluar nga viti 2020. Ky traktat i ri pritet që të arrihet në vitin 2015.

Dështimi për të zgjeruar paktin e Kyotos, që skadon në fund të këtij viti, do ta lërë botën pa ndonjë kornizë obliguese mbi ndaljen e emetimeve të gazrave serrë.

Shtetet e pasura dhe ato në zhvillim janë thellë të ndara se sa sasi duhet të ndërpresë shteti përkatës, dhe sa duhet të ofrojnë ndihmë shtetet e pasura për ato të varfra me qëllim të reduktimit të gazrave serrë.

Rusia, Japonia dhe Kanadaja kanë njoftuar se do të tërhiqen nga Kyoto, duke thënë se nuk është më relevant për shkak se shtetet në zhvillim, si Kina dhe India refuzojnë që të pranojnë imponimet mbi kufizimet e gazrave serrë.

SHBA, emetuesi i dytë më i madh i gazrave serrë pas Kinës, kurrë nuk e ka ratifikuar Kyoton, gjithashtu duke thënë se pakti ka dështuar që të adresojë ndotjen nga shtetet si Kina e India.

Përpjekja e fundit për të negociuar marrëveshjen për zgjatjen e Kyotos, në vitin 2009 në Kopenahgë, dështoi të prodhojë ndonjë marrëveshje.(a.i.)
XS
SM
MD
LG