E mërkurë, nëntor 26, 2014 Kosova 13:40

Monitor

Jeta e qytetarëve përballë korrupsionit

Ilustrim
Ilustrim

Artikujt e ndërlidhur

Korrupsioni në nivel lokal

Paraja publike, mënyra e shpenzimit të parasë publike, është shumë problematike, kur e dihet se 80 për qind e buxhetit të komunave shpenzohet përmes këtyre procedurave.

Skepticizëm për strategjinë 2013 -2017 kundër korrupsionit

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që kanë bashkëpunuar për hartimin e Projekt-strategjisë dhe Planit të Veprimit Kundër Korrupsionit për vitin 2013-2017, konsiderojnë se ajo strategji, nuk do t’i japë rezultatet e duhura.
Organizata ndërkombëtare “Transparency International”, bazuar në indeksin e perceptimit të korrupsionit për vitin 2012, tregon se Kosova sivjet ka shënuar përmirësim të lehtë në drejtim të luftimit të korrupsionit.

Kjo organizatë, bën të ditur se për dallim nga viti 2011, kur Kosova ishte në vendin e 112-të, këtë vit ajo renditet e 105-ta.

Megjithatë, Instituti Demokratik i Kosovës/Transparency International Kosova, tha se korrupsioni edhe më tutje po e ngulfat perspektivën e Kosovës.

Kjo organizatë mbajti një konferencë për media ku prezantoi raportin e “Transparency International”.

Merita Mustafa, menaxhere e programit Anti- Korrupsioni në KDI, theksoi se Kosova, ashtu si një vit më parë, mbetet përsëri në mesin e shteteve me nivel të lartë të korrupsionit.

Sipas Mustafës, Kosova gjendet shumë larg shteteve, të cilat janë imune ndaj korrupsionit gjë që, tha ajo, nga dita në ditë korrupsioni po e vështirëson dhe rëndon dhe më tej jetën e qytetarëve, po e ngulfat biznesin dhe gjithashtu po e ndalon zhvillimin e vendit.

“Ngecja në luftimin e korrupsionit po vjen si rezultat i mosgatishmërisë së ekzekutivit për të garantuar pavarësinë e pushteteve të tjera mbi parimin e ndarjes së pushteteve. Praktika e deritashme ka dëshmuar se klasa politike në pushtet në forma të ndryshme ndikon në institucionet e pavarura duke krijuar perceptimin e përgjithshme se e ka në dorë shtetin”.

“Nga funksionimi i dobët i organeve të sundimit të rendit dhe ligjit, por edhe fuqia dhe ndikimi politikanëve që kanë mbi to, vendi ynë ka stagnuar në zbatimin e ligjeve, e sidomos në ato që kanë për qëllim luftimin e korrupsionit”, tha Musatafa.

Nga ana tjetër, edhe qytetarët konsiderojnë se korrupsioni në vend ka shtrirje të gjerë, si në nivelin lokal, po ashtu edhe në atë qendror. Ata konsiderojnë se për ta luftuar këtë dukuri negative, duhet të veprohet fuqishëm në zbatimin e ligjeve dhe strategjive që janë bërë për këtë qëllim.

Qytetarët, kur flasin për dukurinë e korrupsionit, thonë se ai është i pranishme kudo, por nuk duan të flasin se a janë ndeshur vetë me këtë dukuri.

Ismail Gjemshiti tha se korrupsioni është një shqetësimi i madh për të dhe konsideron se ky fenomen duhet të luftohet nga të gjitha instancat shtetërore të vendit.

“Në Kosovë ka korrupsion edhe jo pak, po shumë korrupsion të lartë. Kemi një shpresë së në të ardhmen do të kemi ligjet evropiane, do të ecim përpara. Kemi edhe njerëzit e aftë, kemi edhe njerëz jo shumë të aftë, po mendoj që në të ardhmen çdo gjë do të jetë a më mirë”, u shpreh Gjemshiti.

Kurse, Ramadan Berisha tha se jo vetëm që ka korrupsion në Kosovë, po ai është shumë më i madhe sesa që ne e dimë.

“Niveli i korrupsionit në Kosovë, është  edhe më i lartë se sa instancat ndërkombëtare e përshkruajnë në këtë vend, duke u nisur nga fakti që EULEX-i, shpeshherë si mision që mbikëqyr zhvillimet në Kosovë, di t’i mbyllë hetimet e ndryshme për raste korruptive pa i çuar deri në fund. Dhe, duke e ditur që sistemi i drejtësisë nuk është funksional, duke e ditur që edhe në nivele policore ka filluar të futet korrupsioni, mund të themi se ka korrupsion shumë më shumë se sa që mendohet”, tha Berisha.

Kurse, Jehona Berisha, ka bindjen se korrupsioni në Kosovës është shumë i përhapur, gjë që, siç shprehet ajo, po e dëmton shumë jetën e qytetarëve.

“Deri sa përmendet kudo se Kosova është vendi më i korruptuar, atëherë premisat janë se ka korrupsion dhe atë në shkallën më të lartë”, theksoi ajo.

Kurse, studenti Lulzim Qela tha se duke parë informacione të ndryshme në media, konsideron se ekziston një nivel i lartë i korrupsionit në Kosovë.

“Edhe ne kemi dyshime në atë aspekt. Edhe jemi te bindur se ka korrupsion në Kosovë, mirëpo shpresojmë që do të vazhdojë lufta kundër korrupsionit, e herët ose vonë do të bien gjërat në vend të vetin”, potencoi Qela.

Edhe Florentina Peci mendon ngjashëm:

“Duke pasur për bazë gjendjen në vendin tonë, mendoj që ka korrupsion”.

E, për Rexhep Ahmetaj ka korrupsion, por edhe po luftohet ky fenomen.

“Ju lutem, mos e diskutoni atë punë të gjithë kanë thënë se ka korrupsion. Unë nuk kam asnjë fakt, por kështu thuhet në përgjithësi. Por, mendoj që korrupsioni po luftohet nga Qeveria”, tha Ahmetaj.

Kurse, për Izet Zhujën, për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit Kosova është duke ngelur prapa në shumë aspekte:

“Unë mendoj që në Kosovë ka korrupsion dhe ai nuk po luftohet. Sikur të luftohej, korrupsioni do të zvogëlohej. Me zvogëlimin e korrupsionit, do të lulëzonin bizneset. Unë kam informata që bizneset po largohen nga Kosova, kjo është shumë rrezik për vendin, sepse ne jemi vend i vogël, nëse edhe këto biznese që vijnë dhe dëshirojnë të investojnë në Kosovë,  e nuk u krijohen kushte, ne do të mbesim mbrapa siç edhe kemi mbetur”, tha Zhuja.

Mekanizmat ndërkombëtarë për vite me radhë nga institucionet  kosovare kanë kërkuar që t’i plotësojnë disa nga kërkesat kryesore të kërkuara nga BE-ja, e që kanë të bëjnë me dukurinë e korrupsionit, por kjo nuk po arrihet, vlerësuan organizatat joqeveritare në Kosovë.


Indeksi i Korrupsionit: Kosova shënon përmirësim të lehtë

Organizata “Transparency International” ka publikuar Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2012, duke renditur 176 vende në bazë të niveleve të tyre të korrupsionit në sektorin publik.

Gjetjet tregojnë se korrupsioni vazhdon të sfidojë shoqëritë në mbarë botën.

Sipas këtij indeksi, Kosova sivjet ka shënuar përmirësim të lehtë. Ndryshe nga viti 2011 kur ka zënë vendin e 112-të, këtë vit ajo renditet e 105-ta.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Kosova mban pozitë më të avancuar vetëm ndaj Shqipërisë, e cila renditet në vendin e 113-të. Shqipëria ka pësuar rënie të madhe nga viti i kaluar, kur është renditur në pozitën numër 95. Me një vlerësim më të dobët sivjet përballet edhe Mali i Zi, duke rënë nga vendi i 66-të, ku ka qenë vitin e kaluar, në vendin e 75-të.

Nga vendet e rajonit, përmirësime ndërkaq kanë shënuar edhe Kroacia, nga pozita numër 66 në pozitën numër 62, Bosnja nga 91 në 72 dhe Serbia nga 86 në 80. Maqedonia ka mbetur në vendin e njëjtë, numër 69, ashtu si edhe vitin e kaluar.

Dy të tretat e 176 vendeve kanë më pak se 50 pikë, në tabelën prej 0 deri në 100, çfarë tregon se institucionet publike duhet të jenë më transparente dhe zyrtarët më përgjegjës.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2012, Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re zënë vendin e parë me 90 pikë, duke u ndihmuar nga qasja në sistemet e informacionit dhe rregullat që caktojnë sjelljen e atyre që mbajnë poste publike.

Afganistani, Koreja e Jugut dhe Somalia, ashtu si edhe në vitet paraprake, ndodhen në fund të listës. Në këto vende, mungesa e një udhëheqjeje të përgjegjshme dhe e institucioneve efektive publike nënvizon nevojën për të marrë një qëndrim shumë më të fortë kudër korrupsionit.

Pozicionet e shumë vendeve të tjera të botës, ku qytetarët kanë sfiduar liderët e tyre për të ndaluar korrupsionin – nisur nga Lindja e Mesme deri në Azi dhe Evropë – kanë ngecur po ashtu ose janë përkeqësuar.

“Qeveritë duhet të integrojnë veprimet anti-korrupsion në të gjitha vendimmarrjet publike. Përparësitë përfshijnë rregulla më të mira në financat politike dhe më shumë transparencë në shpenzimet publike”, ka thënë kryetarja e organizatës “Transparency International”, Huguette Labelle.

Performancat jo të mira në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2012 përfshijnë edhe vendet e Eurozonës, të prekura nga kriza financiare dhe ekonomike.

“Transparency International” ka paralajmëruar në mënyrë të vazhdueshme Evropën që të adresojë rreziqet e korrupsionit në sektorin publik, për të trajtuar krizën financiare.

“Korrupsioni është problemi më i përfolur i botës”, ka deklauar Cobus de Swardt, drejtor menaxhues në “Transparency International”.

“Ekonomitë kryesore në botë duhet të jenë shembull, të sigurojnë se institucionet e tyre janë plotësisht transparente dhe se udhëheqësit e tyre mbahen përgjegjës. Kjo është vendimtare, pasi institucionet e tyre luajnë rol të rëndësishëm në parandalimin e korrupsionit nga lulëzimi global”, ka thënë de Swardt.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit është indikatori kryesor i korrupsionit në sektorin publik, i cili ofron një pamje vjetore të problemit të korrupsionit në gjithë botën.(v.t.)


Arton Konushevci

arton.konushevci+gmail.com

Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka një fëmijë.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum