Ndërlidhjet

SHBA-ja ende e rrezikuar nga “tatëpjeta fiskale”


Barack Obama
Barack Obama
Presidenti amerikan, Barack Obama, iu tha udhëheqësve të biznesit se marrëveshja për atë që njihet si “tatëpjeta fiskale”, është e mundur të arrihet brenda një jave, po qe se republikanët arrijnë kompromis mbi taksat.

Ai i paralajmëroi ligjvënësit se nuk do ta përfshijë administratën e tij në ndonjë bllokadë tjetër në lidhje me tavanin e borxhit.

Obama, duke folur para shefave ekzekutivë të grupit të Tryezës së Biznesit, tha se liderët republikanë në Kongres duhet të pranojnë realitetin se për të arritur marrëveshje fiskale duhet të rriten normat e taksave për amerikanët më të pasur.

Ai ka thënë se sheh disa lëvizje në ditët e fundit te disa republikanë. Presidenti amerikan mbrojti sërish planin e tij fiskal.

“Le të lejojmë që normat e larta (tatimore) të shkojnë deri në 2 për qind (të fitimeve të amerikanëve) - kjo ju përfshin të gjithë juve, por në asnjë mënyrë nuk do të ndikojë në shpenzimet tuaja, mënyrën e jetesës apo ekonomisë. Le të sigurohemi që 98 për qind të amerikanëve, të mos shohin rritje të taksave për asnjë cent në vitin e ardhshëm e as 97% të bizneseve të vogla. Vetëm duke bërë këtë, ne mund të sigurojmë rreth 1 tirilion dollarë. Dhe kjo, pa shkaktuar asnjë efekt negativ në ekonomi”, u shpreh Obama.

Siç tha presidenti amerikan, po qe se republikanët e kuptojnë realitetin, atëherw dallimet nuk janë të mëdha dhe marrëveshja është e mundur.

Barack Obama
Barack Obama
“Ne ndoshta mund ta zgjidhim këtë për një javë. Kjo nuk është aq e ashpër. Por, ne kemi nevojë për zgjidhjen konceptuale që thotë se ‘duhet të bëjmë një plan të balancuar, që është në të mirë të ekonomisë, për të cilën ka votuar populli amerikan’. Kështu do të duhej të përfundonte”, theksoi Obama.

Obama ka rifituar zgjedhjet në muajin e kaluar, kryesisht në saje të zotimit për rritjen e taksave në dy për qind për amerikanët e pasur.

Por, konfrontimi ndërmjet administratës Obama dhe republikanëve në Kongres për planin për uljen e deficitit për të parandaluar ngritjen automatike të taksave dhe shkurtimin e shpenzimeve federale që do të hyjë në fuqi më 1 janar, po vazhdon.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara përballen me “tatëpjetën fiskale”: 600 miliardë dollarë në shkurtime shpenzimesh dhe ngritje taksash, të cilat do të preknin thuajse të gjithë punëtorët amerikanë e që do të hyjnë në fuqi më 1 janar.

Presidenti Obama kërkon 1.6 trilion dollarë nga ngritja e taksave gjatë 10 vjetëve të ardhshëm për të ulur borxhin e vendit, ndërkohë që republikanët në Kongres kanë ofruar ngritje taksash prej 800 miliardë dollarësh.

Republikani Mitt Romney
Republikani Mitt Romney
Por, deri tani Shtëpia e Bardhë dhe udhëheqësit republikanë nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë kompromis dhe kanë hedhur poshtë planet e njëri-tjetrit.Republikanët thonë se rritja e taksave për të pasurit do ta godasë ekonominë ende të dobët të SHBA-së.

Mosmarrëveshjet në mes të Shtëpisë së Bardhë dhe kongresistëve republikanë në vitin 2011 e sollën vendin afër dështimit të pagesës së borxheve, që rezultoi me degradimin turpërues të SHBA-së nga agjencitë për vlerësimin e borxheve.

Disa analistë financash parashikojnë se nëse të dy palët nuk arrijnë marrëveshje deri në fund të vitit, do të çojnë në zhytjen e vendit në recesionin e dytë në 3 vjet.(a.i.)
XS
SM
MD
LG