E hënë, korrik 28, 2014 Kosova 22:29

Kronika

Opozita beson se përgjimet nuk shkelën privatësinë

Ligjvënësit kosovarë
Ligjvënësit kosovarë
Skandali i përgjimeve telefonike të zyrtarëve të lartë të Qeverisë dhe Partisë Demokratike të Kosovës, nuk ka shkelur në privatësi, deklaruan të enjten deputetë nga radhët e opozitës në Kuvendin e Kosovës.

Këtë konstatim ata e mbështetën në faktin se bëhet fjalë për personalitete të jetës  publike dhe biseda në interes të publikut dhe të cilat nuk kanë të bëjnë me çështje private e familjare.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se që nga publikimi i telefonatave të përgjuara, ku protagonistë janë kryeministri Hashim Thaçi, zyrtarë të Qeverisë dhe partisë së tij, është shtruar shumë çështja e shkeljes së privatësisë.



Por, në këtë rast, ai përgëzoi mediat për guximin dhe publikimin e përmbajtjeve të këtyre përgjimeve, duke vlerësuar se nuk mund të bëhet fjalë për privatësi përderisa protagonistë janë njerëz nga jeta dhe interesi publik. 

“Unë nuk mendoj se është shkelur privatësia, sepse me sa kam parë dhe dëgjuar, aty nuk flitet për diçka private. Mendoj se ne të gjithë jemi persona publikë dhe në momentin kur jemi persona publikë, mbajmë përgjegjësi për ato që themi, përderisa nuk bëhet fjalë për gjëra strikt private familjare”, tha Gashi.

Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, apostrofoi shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili ishte protagonist në të gjitha telefonatat e përgjuara dhe publikuara.

Glauk KonjufcaGlauk Konjufca
x
Glauk Konjufca
Glauk Konjufca
“Ai i shau të gjithë deputetët dhe tani pa fije turpi vjen e ulet në ulësen e Kuvendit”, tha Konjufca, duke iu referuar Grabovcit.

Zyrtarët e Qeverisë dhe të PDK-së, ditën flasin për opozitën dhe për kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, duke i quajtur sharm të demokracisë, ndërsa natën i shajnë ata, tha Konjucfa. Një nivel i tillë i njerëzve të pushtet, sipas Konjufcës, është reflektim i gjendjes së rëndë në Kosovë.
 
“Kjo është qeveri e përfaqësimit të vetvetes dhe jo e mbrojtjes së interesave të qytetarëve dhe popullit të Kosovës dhe se mbron vetëm vetveten dhe askënd tjetër. Tash kjo puna e përgjimeve po zhvendoset prej përmbajtjes së tyre te privatësia. Është e vërtetë që të flasësh për dajën është privatësi, por të flasësh me kryeministrin dhe të kërkosh nga ai të ta punësojë dajën në një post që paguhet prej parave të qytetarëve, zonja dhe zotërinj - kjo nuk është privatësi”, theksoi Konjufca.

Debatet e opozitës kaluan në heshtje dhe pa kundërpërgjigjet e deputetëve të partisë në pushtet dhe zyrtarëve të Qeverisë që ishin në sallë.

Ditë më parë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi kishte dhënë një mendim tjetër krahasuar me ato të Vetëvendosjes. Ai kishte kërkuar hetim për shkak të publikimit të përgjimeve, duke i cilësuar ato si shkelje të privatësisë.

Hajredin KuçiHajredin Kuçi
x
Hajredin Kuçi
Hajredin Kuçi
"Unë, si zëvendëskryeministër dhe ministër i Drejtësisë, e kam thënë se më intereson shumë raporti me ligjin, Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për Liri dhe të Drejtat e Njeriut. Prandaj, duhet të shikojmë, përgjimi a është në përputhje me këto akte juridike, si dhe publikimi a është në përputhje me këto akte juridike. Secili prej jush besoj që ka mbajtur telefon vitet e kaluara, nuk e ka ndier veten mirë në atë rast”, kishte thënë Kuçi.

Ndryshe, në skandalin e përgjimeve të publikuara fundjavën e kaluar, ishin të përfshirë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, kryeministri Hashim Thaçi, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, organ ky i afërt me PDK-në dhe i shpallur si i shuar tashmë, Kadri Veseli, si dhe kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

Në këto përgjime të publikuara, personaliteti rreth të cilit më së shumti janë lakuar bisedat dhe i cili në disa raste edhe është fyer, është kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, po ashtu zyrtar i lartë i partisë në pushtet. 

Sidoqoftë, zyrtarë qeveritarë si dhe deputetë të PDK-së në Kuvend, të enjten kishin vendosur që të heshtnin dhe të mos flisnin për këtë çështje.

Zijadin Gashi

zijadin.gashi+gmail.com

Zijadin Gashi, i lindur më 01 janar 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001.
Twitter
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum