E premte, shtator 19, 2014 Kosova 17:49

Aktuale

Beogradi “konstruktiv”- tash për tash...

Ilustrim
Ilustrim
Serbia e dikurshme “jonkonstruktive”, “bllokuese” dhe “negative” në raport me Kosovën, po tregon vullnet për t’i normalizuar raportet me Prishtinën me synimin e përbashkët për t’u integruar në Bashkimin Evropian, por gjërat mund të ndryshojnë kur ajo ta marrë datën për nisjen e negociatave për anëtarësim në këtë mekanizëm.

Kështu të paktën vlerësojnë analistët politikë në Prishtinë e Beograd, të cilët theksojnë se mbesin të hapura mundësitë për ndryshimin e sërishëm të qasjes së shtetit serb ndaj Kosovës.

Analisti Leon Malazogu thotë se e vetmja gjë që mban të gjallë interesin e palës serbe për ta vazhduar dialogun me Prishtinën, janë “karotat” që ia ofron BE-ja asaj në rrugën e integrimit.

“Motivi i vetëm i Beogradit për të bashkëpunuar me Prishtinën është që të fitojë ‘karota’. Në këtë rast, ‘karota’ është data e negocimit si shtet kandidat, të cilin Beogradi pret që ta fitojë në mars. Por, që ta fitojë këtë në mars, BE-ja pret që Beogradi të përmbushë mjaft aspekte. Kuptohet që Beogradi të përmbushë sa më pak nga kjo dhe ta bëjë vetëm atë minimumin e nevojshëm për ta fituar këtë datë”, thotë Malazogu.

Njoftimi për media nga takimi i fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq, vë në pah se janë trajtuar temat që janë përmendur nga BE-ja si parakushte për avancimin evropian të të dy vendeve.

“Kryeministri Thaçi konfirmoi se ka themeluar tashmë një njësi speciale multi-etnike në kuadër të Policisë së Kosovës që do të ngarkohet me mbrojtjen e trashëgimisë fetare e kulturore... kryeministrat u pajtuan mbi vazhdimin e punës për energjinë dhe telekomunikacionin në nivel të ekspertëve”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar të mërkurën nga zyra e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, si ndërmjetësuese e takimeve.

Në mesin e prioriteteve afat-shkurtra që duhet të realizojnë autoritetet kosovare për të nisur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit janë: sundimi i ligjit, reforma e administratës publike, trashëgimia kulturore dhe tregtia.

E rëndësishme për marrjen e datës për anëtarësim në BE të Serbisë, mbetet zbatimi i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut teknik me Prishtinën dhe zhbërja e strukturave paralele serbe.

Çështja e datës për anëtarësim në BE të shtetit serb mund të vendoset në agjendën e diskutimeve në dhjetor të këtij vitit, në mars apo qershor të vitit të ardhshëm kur takohen krerët e shteteve evropiane.

Sonja BiserkoSonja Biserko
x
Sonja Biserko
Sonja Biserko
Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit në Beograd thekson se, deri atëherë, autoritetet serbe duhet të dëshmojnë vullnet në realizimin e kërkesave të diplomacisë evropiane.

Ndërkohë, thotë Biserko, vazhdojnë tensionet e Kishës Ortodokse dhe të Partisë Demokratike mbi qeverinë e udhëhequr nga Daçiq për të mos e vazhduar dialogun me Kosovën.

Ata shpesh e ndryshojnë qasjen sapo të përfitojnë diçka nga BE-ja. Situata është serioze meqë potenciali i Serbisë është i kufizuar. Kjo qeveri është edhe ashtu heterogjene sa u takon çështjeve të caktuara si Kosova. Pra, mbetet për t’u parë se si rrjedhin gjërat, se kur mund të ngadalësohet zbatimi (i marrëveshjeve), por natyrisht se janë disa faktorë që do të vazhdojnë të pengojnë zbatimin e këtyre marrëveshjeve”, u shpreh ajo në një prononcim dhënë Radios Evropa e Lirë.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum