Ndërlidhjet

Paga minimale, 220 euro - asgjë më shumë se ndihmë sociale


Ilustrim
Ilustrim
Paga minimale për vitin 2013 në vlerë prej 220 eurosh, e propozuara nga Këshilli Ekonomik Social, nga ekspertë të çështjeve ekonomike dhe qytetarë në Prishtinë konsiderohet se as për së afërmi nuk i përmbush nevojat ekzistenciale për një familje që jeton në Kosovë. Sipas tyre, kjo pagë pamundëson furnizimin me gjëra elementare për të jetuar.

Niveli i ulët i punësimit në Kosovë bën që në një familje të punojë vetëm një person dhe ato të ardhura mujore t’i ndajë me tërë familjen që mesatarisht ka 5 anëtarë.



Eksperti i ekonomisë, Isa Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se duke pasur parasysh inflacionin, i cili në Evropë ka qenë 2.2, ky inflacion në Kosovë mund të jetë deri në 10 për qind, dhe një pagë prej 220 eurosh është e pamjaftueshme.

“Me këto të ardhura nuk mund të jetohet në këtë kohë, në këtë krizë, në këtë inflacion. Një person, i cili punon, me ato të ardhura mban shumë anëtarë të familjes, e ku mesatarja e anëtarëve në një familje në Kosovë është nga 4 deri në 5 anëtarë”, thotë Tahiri.

Çmimet e konsumit në Kosovë viteve të fundit kanë shënuar rritje të vazhdueshme, derisa pagat kanë mbetur gati të njëjta.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit në Kosovë u ngritën për 3,5 për qind në muajin nëntor 2012, krahasuar me muajin nëntor 2011.

Ngritje e çmimeve kryesisht vërehet te perimet, buka dhe drithërat, rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera.

Një pagë mujore prej 220 eurosh për disa qytetarë konsiderohet e pamjaftueshme, por, siç thotë Ilaz Mustafa, me këtë nivel të zhvillimit ekonomik të Kosovës nuk mund të jetë edhe më e lartë.

Paga minimale prej 220 eurosh nuk është e mjaftueshme duke pasur parasysh standardin dhe kushtet në të cilat jetojmë. Qeveria po mundohet të bëjë më të mirën e mundshme, nuk po them që jemi të kënaqur, por këto janë mundësitsë në Kosovë. Gjërat në Kosovë nuk rregullohen me një shkop magjik, pasi që askush nuk e ka atë shkop”, thekson Mustafa.

Arben Limani, me profesion ekonomist, mendon se një pagë prej 220 eurosh nuk mundëson standard të mirë jetësor. Madje, sipas Limanit, është e papërballueshme për t’i mbuluar shpenzime mujore të një personi.

“Me këto çmime që janë në Kosovë është vështirë t’ia dalësh. Nëse punojnë të gjithë dhe nuk e kemi këtë papunësi, atëherë ndoshta arrin të jetosh mirë pa gjëra luksoze, por kur me ato të ardhura mban familjen, vështirë të mbushësh shportën mujore”, vlerëson Limani.

Anita Sylejmani pagën prej 220 eurosh e quan ndihmë sociale.

“Çmimet janë shumë të larta krahasuar me standardin jetësor. 220 euro ndihmë sociale jo pagë. Paga minimale në Kosovë me këto çmime duhet të jetë 500 euro”, mendon Sylejmani.

Por, cila do të duhej të ishte paga minimale në Kosovë, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike?

Profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, jep më shumë hollësi:

“Paga minimale duhet të caktohet në bazë të asaj që e kanë edhe vendet e rajonit, siç është Maqedonia apo vendet tjera. Një pagë minimale duhet të jetë 270 deri në 330 euro”, konsideron Tahiri.

Këshilli Ekonomik Social i ka propozuar Qeverisë që paga minimale për vitin 2013 të jetë në vlerë prej 220 eurosh.

Me këtë pagë minimale nuk janë pajtuar sindikalistët, të cilët kanë kërkuar që paga minimale të mos jetë më e ultë se 250 euro.
XS
SM
MD
LG