Ndërlidhjet

Afganistani kërkon divorc nga traditat martesore


Kabul
Kabul
Farangis Najibullah

Në Afganistan, meshkujt duhet të shpenzojnë një pjesë të pasurisë për të siguruar nuset e tyre. Pagesa e tarifës së domosdoshme paramartesore për prindërit e nuses, mund të kapë mijëra dollarë.

Por, traditës së tillë shpejt mund t’i vijë fundi. Ministria për Çështje të Grave ka nisur një fushatë kundër “tarifës martesore”, duke thënë se ajo fut në borxhe të panevojshme shumë familje afgane.

“Fushata kryesisht fokusohet në tarifat e papërballueshme, që janë edhe të turpshme dhe që vënë shumë familje në vështirësi financiare. Ajo po ashtu përfshin luftën kundër disa traditave të tjera martesore, të tilla si martesa e vajzave për të zgjidhur grindjet familjare, e njohur si ‘martesë e keqe’”, thotë zëvendësministrja për Çështje të Grave, Mezhgan Mustafavi.

Sipas saj, qëllimi i fushatës është të përmirësojë jetën e grave dhe të mbrojë të drejtat e tyre, sepse, në fund të fundit, është gruaja ajo që vuan pasojat.

“Në rastin e martesës me tarifë, gruaja shpesh nis jetën e saj në një familje të zhytur në borxhe. Ndërsa, në rastin e martesës së keqe, ajo zakonisht trajtohet si vajzë e armikut”, thotë Mustafavi.

Çift në Afganistan...
Çift në Afganistan...
Rreth 400 figura nga i gjithë vendi janë mbledhur së fundmi në Kabul për një takim të organizuar me ndihmën e Ministrisë për Çështje Fetare. Ata kanë dënuar traditën e “tarifës martesore” dhe zakonet e tjera që shkelin të drejtat e grave.

Klerikët janë pajtuar që të nisin leksione për traditat martesore gjatë predikimeve të tyre në xhami. Njëri nga stacionet më të popullarizuara televizive është dakorduar që t’i transmetojë predikimit e tilla çdo javë.

Në shoqërinë konservatore të Afganistanit, fjala e klerikëve mban peshë të konsiderueshme dhe Ministria për Gratë e konsideron pjesëmarrjen e figurave fetare si jetike për suksesin e fushatës.

“Shumë njerëz nuk e dinë se ‘tarifa martesore’, e cila do të thotë shitje e vajzës suaj, nuk ka të bëjë asgjë me Islamin. Në fakt, ajo shkel edhe ligjin civil, edhe atë të Sheriatit”, thotë Mustafavi.

“Sipas ligjit afgan, shitja apo blerja e një personi në kontekstin martesor është krim i dënueshëm deri në 10 vjet burgim. Ligjet tona civile ndalojnë parakushtet jo-islamike në martesë. Kodi ynë familjar thotë se zakonet, si: tarifa martesore, martesa e vajzës për të zgjidhur grindje apo për të paguar gjakun e familjes, janë kundër Islamit. Prandaj, zakonet e tilla janë të ndaluara”, thekson Mustafavi.

Ligji i Sheriatit lejon që nusja të kërkojë para nga familja e dhëndrit. Por, pasi shuma nuk është e përcaktuar, rregullat e Sheriatit këshillojnë që ajo të jetë e vogël dhe lehtë e përballueshme për familjen.

Në realitet, familjet e nuseve afgane kërkojnë nga dhëndurët të shpenzojnë mijëra dollarë në “tarifën martesore” dhe dhurata të tjera, përfshirë ato të arit. Përveç kësaj, dhëndurët duhet të shpenzojnë edhe për dasma me bollëk dhe për të gjitha festat që lidhen me to.

Ministria për Çështje të Grave thotë se një familje mesatare afgane shpenzon deri në 15,000 dollarë për një dasmë.

Për të afirmuar një status të lartë, familjet kursejnë me vite para, ndërsa të rinjtë bëjnë punë të vështira për t’u paguar më mirë.

Për të shmangur shpenzimet e tilla, disa familje që kanë edhe djalë, edhe vajzë, shpesh martojnë motrën e dhëndrit me vëllanë e nuses, në të ashtuquajturat “martesa shkëmbimi”.(v.t.)
XS
SM
MD
LG