E dielë, dhjetor 21, 2014 Kosova 19:37

Ekonomi

Rreziku nga produktet e dyshimta në tregun kosovar

Ilustrim
Ilustrim
Derisa organizatat joqeveritare për mbrojtjen e konsumatorit alarmojnë për produkte të dyshimta dhe me afat të skaduar në tregun e brendshëm të Kosovës, autoritetet kompetente në vend hedhin poshtë këto dyshime.

Organizata Joqeveritare “Konsumatori” së fundi ka ngritur një shqetësim për domatet e dyshimta në tregun e Kosovës. Kryetari i kësaj organizate, Selatin Kaçaniku, thotë për Radion Evropa e Lirë se rasti i domateve të dyshimta nuk është rasti i parë që rrezikon shëndetin e qytetarëve.

“Ne, në Kosovë, në terren çdo ditë hasim në probleme, qoftë në cilësinë e produkteve, qoftë me përbërësit apo edhe me afatin e skaduar të produkteve. Afati i skadimit ka shumë raste që ripërpunohet, rifreskohet, kemi çdo ditë viktima të helmimeve ose të pakënaqësive, apo të hedhjes së ushqimeve. Rasti i domateve është rasti i fundit, por fatkeqësisht nuk është i pari, është një rast recidiv, i cili çdo sezon përsëritet”, shprehet Kaçaniku.

Për produktet e dyshimta në tregun e Kosovës flasin edhe qytetarët, të cilët thonë se moskontrolli i duhur ka bërë që në treg të ketë artikuj të ndryshëm me afat të skaduar.

“Shumë herë ka ndodhur që mbi skadencën e një afati të prodhimit, vetë pronari i një marketi, të vendosë një afat tjetër. Kjo tregon moskontrollin e duhur nga organet kompetente. Është një gjë shqetësuese kur kihet parasysh që ato produkte mund të konsumohen nga qytetari”, tregon Nerimane Halili.

Ngjashëm mendon edhe Idriz Sahiti:

“Përderisa konsumatori gjen produkte me afat të skaduar, atëherë institucionet e Kosovës nuk janë duke e kryer punën si duhet”.

Për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga produktet e dyshimta vepron Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e Kosovës. Kjo agjenci është autoriteti më i lartë për ushqim, i cili është përgjegjës që të mbrojë jetën dhe shëndetin e njerëzve duke siguruar nivel të lartë të sigurisë së ushqimit.

Organizata Joqeveritare “Konsumatori” së fundi ka ngritur një shqetësim për domatet e dyshimta në tregun e KosovësOrganizata Joqeveritare “Konsumatori” së fundi ka ngritur një shqetësim për domatet e dyshimta në tregun e Kosovës
x
Organizata Joqeveritare “Konsumatori” së fundi ka ngritur një shqetësim për domatet e dyshimta në tregun e Kosovës
Organizata Joqeveritare “Konsumatori” së fundi ka ngritur një shqetësim për domatet e dyshimta në tregun e Kosovës
Zëdhënësi i këtij mekanizmi, Lamir Thaçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka ndonjë rast të ndonjë produkti të dyshimtë në treg. Sipas tij, produktet që kanë prejardhje të dyshimtë, zakonisht asgjësohen para se të hyjnë në tregun e brendshëm të vendit.

Deri më tani produktet, të cilat janë ndalur si të dyshimta apo me afat të skaduar, sipas Thaçit, janë asgjësuar. Brenda këtij viti, kjo agjenci ka asgjësuar mbi gjysmë milion kilogramë produkte ushqimore.

“Ka produkte që janë ndaluar në pikat kufitare nga inspektorët e Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit, që i inspektojnë të gjitha pikat zyrtare të kufirit, ka produkte që janë ndaluar brenda territorit të Kosovës, ka produkte që janë paraqitur edhe nga vetë tregtarët, dhe në asnjë moment nuk lejohet që asnjë produkt i dyshimtë të vijë deri te konsumatori  dhe deri më tani nuk kemi pasur asnjë helmim në Republikën e Kosovës”, thotë Thaçi.
 
Përveç Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, në Kosovë ekziston edhe programi i hartuar nga Qeveria e Kosovës për mbrojtjen e konsumatorit 2010 - 2015.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës thonë se janë duke punuar vazhdimisht për arritjen e standardeve evropiane për mbrojtjen e konsumatorit.

Sipas tyre, konsumatori kosovar është i mbrojtur me mekanizëm ligjor.

Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Arta Istrefi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekziston Zyra për mbrojtjen e konsumatorit, por vetëdijesimi i qytetarëve për të paraqitur rastet është ende i vogël.

“Fatkeqësisht, thirrjet telefonike ose ankesat përmes postës elektronike, nuk janë të shumta. Dhe nuk jemi të kënaqur me paraqitjet, sa kemi ankesa. Kemi disa raste ku janë zgjidhur problemet për skadimin e afatit”, thekson Istrefi.

Angazhimi për mbrojtjen e konsumatorit kosovar është kërkuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë.

Në raportet e tyre ata kishin theksuar nevojën për angazhim më të fuqishëm institucional në këtë drejtim.

Luljeta Krasniqi - Veseli

krasniqiveseli+gmail.com

Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum