Ndërlidhjet

Shkup: Pak kërkesa për artizanale


Artizanalet në Çarshinë e Vjetër të Shkupit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:59 0:00

Artizanalet në Çarshinë e Vjetër të Shkupit

Të ushqesh familjen me kultivimin e zanateve të vjetra në Maqedoni, pothuajse është bërë e pamundur, thonë pronarët e dyqaneve të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, në të cilat dyqane gjithnjë e më shumë zhduken artizanalet e vjetra.

Xheladin Asani, ish-kryetar i Shoqatës së zejtarëve të Shkupit thotë se me ndarjen e fundit territoriale , Çarshia ndahet në dy pjesë. Kjo gjë, siç shprehet ai, ndikon në keqmenaxhimin e dyqaneve të esnafit.

“Gjysma e çarshisë, gjegjësisht gjysma e dyqaneve i takon Komunës së Çairit, e cila ka shprehur interes për revitalizimin e çarshisë, dhe gjysma tjetër mbetet nën Komunën Qendër. Është një katastrofë se prej fillimit është punuar për shkatërrimin e çarshisë dhe nuk pritet këtu që shteti apo organet kompetente të bëjnë ndryshime”, thotë Xheladin Asani, filigranist.

Qeveria e Maqedonisë, përmes dikasterit të ekonomisë, ka realizuar dhe një program për mbështetjen e zejtarisë “Me zejtari të zhvilluar drejt një të ardhme evropiane”.

Ky program përfshin inicimin e projekteve të veçanta për revitalizimin dhe përmirësimin e konkurrencës dhe qëndrueshmërisë së prodhimeve artizanale në periudhën kohore 2011-2015, që parasheh ndarjen e mjeteve të grant në vlerë prej 5.000 eurosh për furnizimin me vegla dhe pajisje, si dhe aftësimin profesional të zejtarëve.

Por, Xheladin Asani, filigranist, konsideron se për të pasur sukses ky projekt, duhet koordinuar me esnafin e zejtarëve.

“Gabimi është në organizimin ku menaxherët që duhet të organizojnë këtë projekt, duhet të dinë mirë se ku duhet investuar, cilët zejtarë duhet ndihmuar, cilët duhet këshilluar. Ministria dhe të gjitha institucionet le ta dinë dhe le të çojnë njerëz ekspertë përmes zejtarëve, duke pyetur saktë cilat zeje janë duke punuar dhe cilët nga ta punojnë në humbje vetëm e vetëm për të mbijetuar”, shprehet Asani.

Të rinjtë shprehin shumë pak interes për të trashëguar mjeshtërinë e punimeve artizanale, por ka dhe të tillë që pavarësisht përfitimeve të pakta, e bëjnë këtë punë me shumë dashuri.

“Si fëmijë kam filluar të vij në dyqanin e babait, që të mos rri rrugëve dhe kam filluar të mësoj, çdo ditë e më shumë mësoj, sepse filigrani është si një oqean që nuk është vetëm zeje, por dhe art”, shprehet Zejnulla Asani.

Ai thotë se po bëhet pak për të promovuar prodhimet vendore, që janë autoktone.

Por, Didare Gjakova, e cila menaxhon dyqanin e veshjeve kombëtare të punuara me dorë, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka filluar të ngjallet interesimi për të blerë gjëra që i përkasin traditës kombëtare me vlerë, të punuara me dorë, veçanërisht nga gjeneratat më të reja.

Didare Gjakova
Didare Gjakova
“Krahasuar me vitet e mëparshme, dihet atë kohë se tradita është mbajtur shumë, mirëpo nuk është shumë keq edhe sot, sepse shoh se te të rinjtë ka filluar të ngjallet ai emocioni për veshjet kombëtare, ato pjesë të veshjes që e kujtojnë traditën dhe i përfillin gjërat e punuara me dorë. Mirëpo, ky numër nuk është aq i madh, por shihet se është zgjuar ajo ndjenjë”, thekson Didare Gjakova, duke shpjeguar se në dyqanin e saj ka dhe prodhime, të cilat janë të vjetra më shumë se një shekull.

“Ky brez është nga Kruja, është 150 vjet i vjetër. Është përdorur për stolisjen e nuseve. Kjo është një mbulesë krevati, e cila gjithashtu është 150 vjet e vjetër, është punë dore e punuar në vek dhe është përdorur për pajën e nusërisë”, tregon Didare Gjakova.

Përderisa qytetarët e zakonshëm shprehin keqardhje se në dyqane gjithnjë e më pak mund të gjinden punime dore, zejtarët ankohen se malli i ardhur nga lindja e afërt dhe ajo e largët kanë ndikuar që punimet artizanale në Shkup të jenë në shuarjen e sipër.
XS
SM
MD
LG