E mërkurë, shtator 03, 2014 Kosova 06:37

Kronika

Mot i lig, vështirësohet qarkullimi

Ftohtë dhe borë në Prishtinë - Fotografoi: Arton Konushevci

RFE /RL
Temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës karakterizuan mëngjesin e së dielës në mbarë Kosovën. 

Policia e Kosovës ka njoftuar se në disa akse rrugore, si në ato rajonale, po ashtu edhe në ato lokale, ka vështirësi të qarkullimit të trafikut për shkak të të reshurave të borës dhe ngricave.

“Akset rrugore më të vështirësuara për qarkullim mbeten ato në rajonin e Pejës, por edhe në disa rajone tjera siç janë zonat malore duke përfshirë zonën e Brezovicës, Prevallës, Bajgores  dhe atë të Dragashit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, e bllokuar për qarkullim, sipas policisë, mbetet rruga Pejë-Kullë për mjetet e rënda transportuese, ndërsa automjetet e vogla mund të qarkullojnë vetëm me pajisje dimërore.

“Deri në këto momente të gjitha akset rrugore, si ato rajonale, ashtu edhe ato lokale në gjithë vendin konsiderohen se janë të kalueshme, por disa prej tyre janë të vështirësuara për qarkullim të trafikut si pasojë e kushteve atmosferike, andaj Policia e Kosovës kërkon nga gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes dhe të përdorin pajisjet e nevojshme dimërore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Kosova dhe vendet tjera të Ballkanit janë përfshirë nga një mot i ftohtë dhe me të reshura të dendura të borës.

Raportohet se të paktën pesë njerëz kanë vdekur në vendet e Ballkanit, si pasojë e ngricave dhe borës së dendur që ka përfshirë rajonin.

Zyrtarët kanë thënë se katër njerëz kanë vdekur në Kroaci dhe një në Serbi, si pasojë e stuhisë së borës, që i ka shtyrë autoritetet të mbyllin aeroportet dhe rrugët.

Automjetet janë bllokuar për orë të tëra në një autostradë të madhe të Serbisë, pas stuhisë së borës, që ka arritur trashësinë në 50 centimetra.

Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, thotë se në Vojvodinë, disa ngasës janë detyruar të presin në makinat e tyre deri në 18 orë, para se të shpëtoheshin nga rrugët e bllokuara prej borës.

Zjarrfikësit dhe trupat ushtarake janë thirrur që të ndihmojnë në përpjekjet e shpëtimit. Stuhi bore janë raportuar edhe në Slloveni dhe Bosnje.(a.i.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum