E mërkurë, nëntor 26, 2014 Kosova 03:51

Rajoni

Rritja e pensioneve, marketing politik

Pamje në Shkup
Pamje në Shkup
Derisa qeveria e Maqedonisë mbetet e vendosur në realizimin e, siç shprehet, përcaktimeve të saj për rritjen e standardit të të gjitha kategorive të qytetarëve në vend, përfshirë edhe pensionistët, këta të fundit nuk presin asgjë nga premtim i qeverisë për rritjen e pensioneve për 5 për qind nga marsi i viti i ardhshëm.

Disa nga pensionistët e anketuar këtë e shohin vetëm si tentim për të përfituar në zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat, mbahen pikërisht në muajin kur edhe pritet rritja e pensioneve.

Mixhait Abdullahu dhe Kërste Mitkov, pensionistë, thonë se gjendja është e rëndë dhe vështirë se mund të pritet ndonjë efekt sikur edhe të ketë një rritje të tillë.

“Nuk besojmë aspak në këtë që thonë, s'ka efekt pasi edhe 30 për qind sikur t’i rrisin, është pak, sepse është shtrenjtësi e madhe. Me ato të ardhura nuk mund të blejmë as ushqime, e lëre të paguajmë ujin, rrymën e tjerat gjëra”, thotë Abdullahu.

“Nuk do t’i rrisin pensionet, as tani, as në mars, këtë ua garantoj . Kjo është vetëm  marketing nga ana e tyre, para zgjedhjeve lokale, asgjë tjetër”, thotë ndërkohë Mitkov.

Ngjashëm vlerëson edhe juristi Dragi Jovanovski, i cili, kryesisht merret me të drejtat e punëtorëve.

“Unë supozoj se kjo më shumë është një masë populiste sesa ndonjë masë që do të mbronte interesat e punëtorëve apo ngritjen e standardit të tyre jetësor”, konsideron Jovanovski.

Por, nga qeveria thonë se efektet e rritjes së pensioneve do t’i ndiejnë në veçanti pensionistët me të ardhura më të ulëta.

“Në situatën kur shkojmë me rritjen e pensioneve prej 5 për qind nga shuma e përgjithshme, vlerësoj se kjo do të kishte efekt tek ajo kategori e qytetarëve me pensione më të ulëta apo që në shifra sillet në rreth 180 mijë”, thotë ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Spiro Ristovski.

Ai përmend edhe masa të tjera që janë ndërmarrë, e nga të cilat përfitojnë pensionistët, siç janë mjekimi pa pagesë, transporti urban po ashtu pa pagesë dhe masa tjera.

Ndërkohë, nga opozita thonë se vendimet e këtilla nuk janë gjë tjetër, pos tentim për të përfituar votat e pensionistëve në zgjedhjet e marsit.

“Është më se e qartë se një vendim i tillë ka elemente të fuqishme të populizmit. Qëllimi i gjithë kësaj është që pensionistët në zgjedhjet e marsit të japin votën e tyre për partitë në pushtet”, thotë Marjanço Nikollov nga Lidhja Social-Demokrate.

Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare në Maqedoni ka rreth 290 mijë pensionistë, të ardhurat vjetore të të cilëve sillen mesatarisht në 210 euro apo nga rreth 10 mijë denarë në muaj.

Por, pjesa më e madhe e pensionistëve, apo rreth 180 mijë prej tyre marrin jo më shumë se 100 euro në muaj, me të cilat nuk mund t’i plotësojnë as nevojat më elementare për jetesë, bazuar në të dhënat e shoqatës së konsumatorëve.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum