E premte, prill 18, 2014 Kosova 12:34

Kronika

Gati për fillimin e zbatimit të IBM-së

Përgatitja e infrastrukturës për zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.
Përgatitja e infrastrukturës për zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.
Madhësia e shkronjave - +
Autoritetet kosovare thonë se gjithçka është gati që të hënën, duke filluar nga ora tetë e mëngjesit, të nisë zbatimi i marrëveshjes së IBM-së në vendkalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë.

Udhëheqësi i ekipeve teknike për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, Fisnik Rexhepi, njëherësh këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshme, tha për Radion Evropa e Lirë se të hënën nisë zbatimi i marrëveshjes.

“Ne tashmë i kemi finalizuar të gjitha përgatitjet për të pritur autoritete kompetente të Republikës së Serbisë për të operuar në pikën kufitare në Merdare. Dhe, në bazë të punëve dhe dinamikës të cilat po bëhen ne presim që të hënën, duke filluar nga ora 8, çdo gjë të jetë gati për fillimin normal të punës”, tha Rexhepi.

Ndërkohë, edhe zyrtarët serbë njoftuan se në Jarinë, ku punët në ndërtimin e infrastrukturës po vazhdojnë ende, do të nisë së zbatuari IBM-ja që nga dita e hënë.

Kjo u konfirmua nga shefi i ekipit negociator të Beogradit në dialogun teknik me Prishtinën, Dejan Paviçeviq.

Ai, pas vizitës që i bëri vendkalimit në Jarinë, tha se të hënën në orën 8 do të kalojë automjeti i parë dhe personi i parë sipas sistemit të ri, duke shtuar se mund të jetë ai që do të kalojë sipas regjimit të ri.

Paviçeviq theksoi për mediat serbe se në mes të, siç e quajti, “linjës së tashme administrative dhe menaxhimit të integruar, nuk do të ketë dallime drastike”, për të shtuar se qytetarët do të kalojnë nëpër vendkalime vetëm me letërnjoftime.

Ndryshe, zëvendëskryeministrja dhe ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë, Edita Tahiri, tha se zbatimi i marrëveshjes së IBM-së është një obligim i të dyja shteteve dhe garantues i saj është Bashkimi Evropian.

Tahiri e bëri këtë deklaratë, duke hedhur poshtë zërat se marrëveshja nuk do të zbatohet në tërësi ashtu siç thuhet.

Edita TahiriEdita Tahiri
x
Edita Tahiri
Edita Tahiri
“Unë jam e bindur se kjo marrëveshje do të zbatohet, aty-këtu mund të paraqiten pengesa, mirëpo është koha që të gjithë ata që kanë jetuar larg këtij realiteti, tani ta pranojnë këtë realitet, sepse, në fakt, marrëveshja e IBM-së është në dobi të paqes dhe stabilitetit në mbarë rajonin. Po kjo veçmas është e rëndësishme në vendosjen e një rendi ashtu siç e thotë marrëveshja që të dy shtetet me kushtetutat dhe ligjet e tyre zbatojnë kontrollin kufitar, angazhohen për rritje të sigurisë etj”, shtoi Tahiri.

Tahiri tha po ashtu, se me fillimin e zbatimit të marrëveshjes së IMB-së, para së gjithash do të luftohet joformaliteti, kontrabanda dhe fenomenet e tjera negative që e kanë ngarkuar kufirin ndërshtetëror në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri theksoi se Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë lloj skepticizmi për zbatimin e marrëveshjes, pasi që i gjithë procesi i dialogut me Serbinë është i përkrahur nga fuqitë më të mëdha, siç është edhe SHBA-ja.

“Ne kemi qenë seriozë vazhdimisht në këtë dialog. Po ashtu, serioziteti i vetë procesit të dialogut rrjedh edhe nga mbështetja e lartë që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Marrëveshja do të zbatohet plotësisht dhe Kosova, si shtet, do të veprojë në kufij me ligjet dhe Kushtetutën”, u shpreh Tahiri.

Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit parasheh praninë e policisë dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë, si dhe ata të Serbisë, por edhe të EULEX-it.

Serbët e veriut në vazhdimësi patën kundërshtuar praninë e zyrtarëve të Kosovës në vendkalimet kufitare, gjë që pati shërbyer si shkas i protestave dhe bllokimit të rrugëve që çojnë drejt këtyre vendkalimeve.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës deklaruan se do të jenë të pranishëm në vendkalimet kufitare në veri edhe më tutje. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se policia në vendkalimet kufitare do të shkojë ashtu siç ka shkuar deri më tash.

Policia e KosovësPolicia e Kosovës
x
Policia e Kosovës
Policia e Kosovës
“Policia e Kosovës në bazë të marrëveshjes së arritur të IBM-së, ka qenë e gatshme dhe do të zbatojë vendimin, i cili rrjedh për marrëveshjen e IBM-së. Kështu që është e gatshme të fillojë me kohë punën dhe do të jetë prezent dhe lëvizja deri në pikat kufitare, do të bëhet ashtu siç ka vepruar deri tani”, tha Kelani.

Policia dhe doganierët kosovarë në vendkalimet kufitare në veri vazhdojnë të shfrytëzojnë transportin ajror për të arritur në vendet e tyre të punës.

Serbët e veri të Kosovës kanë thënë se pas takimit dhe premtimeve nga ana e autoriteteve të Serbisë, kanë pezulluar përkohësisht protestat në afërsi të vendkalimeve kufitare në këtë pjesë, përkatësisht në Jarinë, ku
ditëve të fundit kishin bllokuar qarkullimin.

Megjithatë, ata kanë deklaruar se do të mund t’i rinisin protestat dhe t’i radikalizojnë ato, po qe se bëhet vendosja e doganave klasike në veri.

Arton Konushevci

arton.konushevci+gmail.com

Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka një fëmijë.
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Komentet
     
Nga : anonym Prej : gjermani
09.12.2012 19:42
hahahaha as OBAMA nuk shkon ne vendin e punes gjdo dit me helikopter kurse ne KOSOV puntoret e doganes hahaaah ewww shtet he shtet po marrveshja osht marrveshje pse nuk udhtoijn ata per tok ore ? kan frig apo ? ncncnccn e deri kur do frigohemi ne shtepin ton more ? deri kur doni me jua lemu kimen serbit ore ? pasha besen shum jeni kah e shtreni qafen veq mos harroni ju (QVERI) se keq jeni kah veproni sherrin kan me jau pa ata qe ende nuk kan lind se na po e nuk jeni kah e vreni.