Ndërlidhjet

Urat ndëretnike përmes artit


Ilustrim
Ilustrim
“Të njohin njëri tjetrin përmes artit”, është ky synim i projektit që përfshin të rinjtë shqiptarë dhe ata maqedonas, i cili do të zgjasë katër vite në shkollën e mesme të ekonomisë "Aseni Jovkov" në komunën e Çairit të Shkupit, projekt ky që financohet nga USAID, Qendra Maqedonase e Mediumeve dhe Qendra e Artit - “Multimedia”.

Duke prezantuar vlerat kulturore, nxënësit shqiptarë dhe ata maqedonas përmes tregimeve të shkurtra filmike të punuara nga vetë ata, krijohet një urë e fuqishme bashkëpunimi mes të rinjve, thonë organizatorët e projektit në fjalë.

Violeta Simjanovska nga “Multimedia”, konsideron se stereotipet janë ata që paraqesin barrierë dhe vështirojnë komunikimin në shoqëritë multietnike, andaj sipas saj, investimi te gjeneratat më të reja për të shmangur stereotipet është investim në të ardhmen më të sigurt të Maqedonisë.

Gjatë realizimit të këtij projekti ballafaqohemi me një realitet, atë se stereotipet janë më se prezente mes etnive të ndryshme, por gjatë bashkëpunimit njohjes ata rrënohen lehtësisht. E dini pse ndodh kështu, sepse të rinjtë kanë interesa krejtësisht të njëjta , kanë qëllime po ashtu krejtësisht të njëjta”.

Por, është fakt se edhe problemet me të cilat ballafaqohen të rinjtë janë po ashtu të njëjta si te të rinjtë shqiptarë ashtu edhe tek ata maqedonas. Dhe kur lihen anash, stereotipet në shprehje menjëherë vinë mënyrat si të zgjidhen çështjet e caktuara dhe njëkohësisht si të arrihet realizimi i qëllimeve për të korrur një sukses të caktuar”, shpjegon Simjanovska.

Edhe Petrit Saraqini, nga Qendra Maqedonase e Mediave thotë se aktiviteti ka nisur bashkëpunimin jo vetëm gjatë realizimit të projektit, por edhe jashtë objektit të shkollës.

Me të vërtetë rezultatet janë shumë pozitive. Po të shkoni në shkollën e mesme ‘Arsenie Jovkov’ mund të vëreni se nxënësit par se të fillojë projekti nuk janë njohur mes vete edhe pse mësojnë në një shkollë të njëjtë”.

Tani ata shoqërohen dhe vazhdojnë të shoqërohen edhe jashtë aktiviteteve të realizimit të projektit që organizohet në shkollë me mbështetjen e USAID-it për integrim ndëretnik në arsim”, thotë Saraqini.

Sipas tij, janë politikanët ata që shtrembërojnë efektin e këtyre projekteve, duke theksuar se ata nuk kanë efekt.

Kemi shum shembuj nga jeta e përditshme të njerzve të cilët janë njohtuar përmes aktiviteve të projekteve të këtilla, dhe të cilët kanë vazhduar të shoqërohen madje dhe kanë filluar realizimin e projekteve të reja të përbashkëta”, thekson Saraqini.

Nxënësit e entuziazmuar

Nga ana tjetër, nxënësit e shkollës së mesme ekonomike "Arsenie Jovkov" nuk e fshehin entuziazmin se kur ata janë protagonistë, cilido tregim që përfshin prezantimin e vlerave të etnitetit që i takon, përfundon pozitivisht.

Për ne gjithë kjo punë është një sukses shumë i madh, sepse edhe pas kësaj besoj se ne do të shoqërohemi mes vete”, thotë Brigita, nxënëse e kësaj shkolle.

Në fillim kishte qëndrime krejtësisht të ndryshme për një çështje të caktuar, thjesht ne nuk njiheshim mes vete dhe gjykonim në bazë të paragjykimeve, por tani është krejtësisht ndryshe”, shprehet Anita Antiq, nxënëse.

S’e kemi ditur kush çka është, kemi folur për njëri tjetrin pa e njohur, pa e ditur se çka ka ai brenda vetes. Tani që e njohim njëri tjetrin mund ta duam dhe respektojmë shumë më shumë nga ajo që ishte më parë”, shprehet Merton Osmani.

Nga ana tjetër, ekspertët, duke komentuar incidentet mes të rinjve shqiptarë dhe atyre maqedonas që nuk kanë pushuar as gjatë vikendit të kaluar, thotë se ata kanë mbështetjen e strukturave të caktuara politike.

Pse them kështu, sepse partitë e kanë shumë të lehtë manipulimin e gjeneratave më të reja, ngase duke premtuar se nesër do t`u sigurohet një vend pune dhe nuk do të përgjigjen para organeve të drejtësisë, ose do t`u ndihmojmë të kryeni shkollimin të rinjtë bëhen pre e manipulimit të politikës dhe pa diktuar ne si shoqëri, gjithnjë e më shumë e shtrëngojmë litarin rreth qafës, që çon në vetëvrasjen e funksionimit të shtetit demokratik”, vlerëson analisti maqedonas, Vlladimir Pivovarov.
XS
SM
MD
LG