E enjte, nëntor 27, 2014 Kosova 06:20

Aktuale

Beogradi me politikë të dyfishtë ndaj serbëve të Kosovës

Qeveria në Beograd
Qeveria në Beograd
Autoritetet e Beogradit po zhvillojnë politikë të dyfishtë ndaj serbëve që jetojnë në  Kosovë, vlerësojnë politikanët serbë të Kosovës Qendrore.

Sipas tyre, interesimi i zyrtarëve të Beogradit për serbët e veriut të Kosovës, është shumë më i madh se sa për serbët që jetojnë në Kosovën qendrore.

Politikani serb nga Graçanica, Rangjel Nojkiq thotë se është krejtësisht e sigurt që Beogradi zyrtar po u dhuron vëmendje dhe tretman krejtësisht tjetër serbëve të veriut, për shkak se, siç thotë ai, serbët e veriut janë treguar problematik dhe e gjithë veprimtaria e tyre e deritashme flet se ata dëshirojnë ta tërheqin vëmendjen se kinse ata janë pjesa kryesore për zgjidhjen e problemit të serbëve në Kosovë.

Normalisht që serbët që jetojnë në anën jugore të lumit Ibër, jetojnë në një situatë të caktuar dhe ne për këtë kemi tërhequr vërejtjen dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë. Por, më duket se Beogradi ka hyrë në një rreth vicioz dhe nuk di se si të dalë nga ai, duke pasur parasysh që janë arritur edhe marrëveshjet në Bruksel dhe se ato duhet të zbatohen. Në këtë moment problem janë serbët e veriut dhe mu për këtë Beogradi ka një raport të tillë me ta”, shprehet Nojkiq,

Ai ka shtuar se serbët e Kosovës tashmë kanë dërguar sinjale të caktuara në Beograd duke ia tërhequr vërejtjen se duhet të bisedojë edhe me serbët që jetojnë në Kosovën qendrore, sepse sipas tij, problemet e serbëve nuk janë vetëm ato të atyre që jetojnë në veri të Kosovës.

Politikani tjetër serb, Petar Milletiq, nga Partia e Pavarur Liberale, vlerëson se serbët e veriut të Kosovës, po e shfrytëzojnë pozitën e gjeografike të mjedisit ku jetojnë, i cili është ngjitur me Serbinë, si dhe kompaktësinë etnike të mjedisit, duke u përpjekur që ta valorizojnë atë politikisht.

Mendoj se kjo është arsyeja më e madhe se pse sot Beogradi sillet pak ndryshe ndaj serbëve të veriut në krahasim me ata që jetojnë në anën jugore të lumit Ibër. Por, nuk mendoj se një raport të ndryshëm ka vetëm Beogradi ndaj serbëve që jetojnë në veri dhe atyre në jug të lumit Ibër".

"Por një gjë të tillë shumë shpesh e bëjnë edhe Prishtina, por edhe bashkësia ndërkombëtare. Unë mendoj se këtë e bëjnë për të njëjtën arsye, do të thotë, pozitës gjeografike ku jetojnë serbët e veriut”, thekson Milletiq.

Por, Nojkiq vlerëson se është mjaft e dëmshme sjellja, qoftë e Beogradit zyrtar, qoftë e Prishtinës zyrtare apo bashkësisë ndërkombëtare, që sipas tij, zbatojnë rregulla të ndryshme në raport me serbët e veriut dhe ata të Kosovës qendrore.

Beogradi në një masë të madhe konsideron se serbët e anës jugore janë integruar në institucione e Kosovës dhe mendon se kjo çështje është zgjidhur. Por, është sigurt se problemet nuk janë zgjidhur, për shkak se problemet që janë në veri, ndikojnë jo vetëm në serbët, por në gjithë Kosovën dhe gjithë njerëzit që jetojnë këtu. Duke pasur parasysh që ekziston qasje në binarë të ndryshëm, unë besoj se në të ardhmen kjo do të nivelohet dhe se problemi do të zgjidhet”, thotë Nojkiq.

Ndryshe, Milletiq vlerëson se serbët që jetojnë në Kosovën qendrore janë në  pozitë  më të mirë se sa ata që jetojnë në veri, pavarësisht se aktualisht është e dukshme që e gjithë vëmendja është e orientuar kah serbët që jetojnë në veri.

Serbët që jetojnë në anën jugore, megjithatë, në një moment e kanë pasur vizionin politik të bashkëjetesës në Kosovë dhe ia mësynë formimit të komunave të reja dhe sot ata janë në pozitë larg më të mirë se sa që kanë qenë , ta zëmë, para 4 ose 5 vjetësh".

"Nëse e krahasoni kualitetin e jetës të serbëve në jug të Kosovës dhe atyre në veri,  mendoj se në pozitë më të mirë janë ata që jetojnë në jug dhe ata janë një hap para, sidomos ata që kanë pasur sukses që t’i formojnë komunat e veta dhe që i kanë institucionet e veta, të cilave mund t’iu drejtohen
”, shprehet Milletiq.

Sipas tij, serbët në Kosovën qendrore janë në përparësi ndaj atyre në veri, sepse këta të fundit ende e kanë para vetes punën për ta kryer, e të cilën serbët e Kosovës qendrore tashmë e kanë bërë.

Bekim Bislimi

beka.bislimi+gmail.com

Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum