Ndërlidhjet

Prishtina kërkon heqjen e strukturave ilegale nga veriu


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri, Hashim Thaçi, iu drejtuan të mërkurën Kuvendit të Kosovës - e para për të mbajtur fjalimin e saj vjetor, i dyti për t’i informuar deputetët për ecurinë e dialogut për normalizim marrëdhëniesh me Beogradin zyrtar.

Dialogu me Serbinë figuroi dhe në listën e temave për të cilat Jahjaga theksoi nevojën për angazhim të shtuar të institucioneve vendore.

Derisa i kërkoi Bashkimit Evropian që të flasë njëzëri për Kosovën, presidentja i bëri thirrje Serbisë “që të heqë dorë nga financimi dhe përkrahja e strukturave ilegale e kriminale në veri të vendit”.

Kërkojmë nga autoritetet e Republikës së Serbisë që të heqin dorë nga ndërhyrja brenda territorit të Republikës së Kosovës”, u shpreh ajo.

Hashim Thaçi
Hashim Thaçi
Kjo kërkesë vazhdon t’i bëhet palës serbe edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare, ndërsa pritet të zgjidhet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Procesi që kishte nisur në marsin e vitit të kaluar u ngrit në nivel më të lartë të përfaqësimit më 19 tetor, kur në Zyrën e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, ndodhi duarshtrëngimi i parë në mes të kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Dacic.

Që nga atëherë janë mbajtur tri takime të ndërmjetësuara nga Ashton në mes të krerëve e të dyja qeverive.

Thaçi tha se zhbërja e strukturave të mbështetura nga Serbia do të jetë temë qendrore e takimit të radhës që parashihet të mbahet më 17 janar në Bruksel.

Ai paralajmëroi krijimin e një fondi special për financimin e serbëve që jetojnë në Kosovë-përfshirë ata në veri të vendit.

Në këtë çështje ne ende nuk kemi arritur marrëveshje përfundimtare, sepse kjo çështje lidhet drejt për drejt me domosdoshmërinë dhe urgjencën e shpërbërjes së strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë që ekzistojnë në veri të vendit”, tha ai për të theksuar se dialogu me Serbinë është në interesin e stabilitetit rajonal.

Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga
Jahjaga, ndërkaq, tha se rajoni nuk guxon të ngelet prapa në procesin integrues për shkak të raporteve aktuale që Kosova ka me Serbinë.

Çështjet e tjera mbi të cilat e vuri theksin presidentja e Kosovës ishin integrimi evropian i Kosovës dhe lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Duke folur para ligjvënëseve të Kuvendit të Kosovës, Jahjaga tha se vendi duhet të realizojë reformat e brendshme me qëllim forcimin e shtetit dhe integrimin e tij në mekanizmat ndërkombëtarë.

Lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit, sipas saj, do të jetë e pakompromis.

Ne kemi ardhur në një periudhë të historisë së shtetit tonë kur lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të bëhet e pakompromis dhe e fuqishme; kur fëmijët tanë që shtetin do ta kenë trashëgimi nga ne, nuk do të na pyesin për sakrificën tonë në luftë, por do të gëzojnë frytet e saj”, u shpreh ajo.

Në kohën kur nuk janë përjashtuar mundësitë për krijimin e një koalicioni të ardhshëm qeveritar në mes të partisë në pushtet-Partisë Demokratike të Kosovës dhe asaj opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Jahjaga foli për rëndësinë një uniteti të brendshëm të skenës politikë.

Ai, sipas saj, do të jetë i nevojshëm edhe në kapërcimin e problemeve ekzistuese me Beogradin gjatë dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve.
XS
SM
MD
LG