E premte, gusht 22, 2014 Kosova 01:56

Shtypi botëror

Independent: Ushtarët fëmijë, pa fëmijëri*

Pamje nga Uguanda
Pamje nga Uguanda

Artikujt e ndërlidhur

Përdorimi në rritje i ushtarëve fëmijë, është një nga tiparet më shqetësuese të luftës moderne. Ushtarët e mitur, disa nga ta që nuk i kanë më shumë se 10 vjet, janë rekrutuar në konflikte më të mëdha, zakonisht nga forcat rebele, por edhe nga ushtritë kombëtare.

Ata janë marrë fillimisht si pastrues, roje të kampit, dhe në rastin e vajzave - skllave të seksit. Atyre u është vjedhur fëmijëria. Kështu shkruan në numrin e sotëm, e përditshmja britanike, “Independent”

Numri i saktë i tyre nuk dihet , por dihet që janë dhjetëra mijëra nga ta. Ata  ndryshojnë dhe evoluojnë si grupe paramilitare që kalojnë kufijtë. Fëmijët ri-rekrutohen, dhe derisa konfliktet e vjetra përfundojnë, konflikte të reja fillojnë, shkruan gazeta.

Jetimët e luftës

Sipas gazetës, problemi nuk merr shumë vëmendje, pasi ai rrallë prek bilancin strategjik të pushtetit. Por, për UNICEF-in, Fondin e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, çarmatimi dhe demobilizimi e këtyre viktimave të luftës, është një preokupim i madh.

Që nga viti 1998, UNICEF ka shpëtuar më shumë se 100 mijë fëmijë ushtarë,  kryesisht në Afrikë, por jo vetëm. Në Nepal, në vitin 2010, ai siguroi lirimin e fëmijëve që kishin luftuar për gueriljet maoiste, në një luftë civile të gjatë një dekadë.

Ushtarët fëmijë, janë shpesh jetimë të luftës. Grupet e armatosura u japin atyre mbrojtje dhe një ndjenjë familjare. Disa janë më shumë se jetimë. Në një qendër të financuar nga UNICEF-i në Ekuatorin Perëndimor, provincë e Sudanit Jugor, një djalë 12-vjeçar kishte qenë i detyruar ta vriste të atin e tij. Një fëmijë tjetër kishte vrarë 80 njerëz. Gazeta britanike vlerëson se në raste të tilla, të cilat janë shumë të shpeshta, vrasësi është edhe viktimë.

Independent thotë se ushtria “Lord’s Resistance”, e cila është përgjegjëse për këtë gjë, vepron përtej kufijve pashënuar dhe e pamatur e Sudanit Jugor, Republikën Demokratike të Kongos dhe në Republikën e Afrikës Qendrore. Komandanti i saj, Joseph Kony, kryekomandant në Uganda, është njeriu më i kërkuar në botë.

Një vajzë nga kjo ushtri, të cilën gazeta, për shkaqe sigurie nuk ia përmend emrin dhe e quan Hope, rreth 13 vjeçare (Mosha e saktë nuk i dihet ngase shumë pak nga këta fëmijë e dinë moshën e tyre), u rrëmbye një mëngjes, me shumë të tjerë, derisa ishin duke punuar tokën. Ajo i kishte thënë gazetës se ushtria i siguroi ata që asgjë e keqe nuk do të ndodhë.

"Ne duhej të ecnim në distanca të gjata," tha ajo. "Ne kurrë nuk kemi kaluar më shumë se dy ditë në një vend. Gjëja më e keqe ishte se ecnim në këmbë".

Hope kishte qëndruar në ushtri për rreth një vit. Kur ajo u përpoq të ikte, atë e  kapën dhe e rrahën. Gazeta tregon se shpina e saj është ende e mbuluar me shenja nga plagët e marra. "Shqetësimi im kryesor ishte vdekja", ka thënë ajo. "E dija që në çdo moment unë mund të vdes".

Independent tregon se ajo u çlirua nga forcat e Ugandës gjatë një luftimi, në të cilin ajo u qëllua në këmbë. Plagët e saj ishin jo vetëm në trup, por edhe në mendje. Gazeta shpjegon se si ajo fliste me zë të ulët dhe pa bërë kontakt me sy. Ishte e traumatizuar rëndë, por kishte ambicie. "Unë dua të arsimohem", tha ajo. "Unë dua të jem dikush që shkruan."

Një ndjenjë e përkatësisë

Gazeta kujton një vajzë nëntë vjeçare të cilën autori i këtij artikulli e kishte takuar në Jemen. Thuhet se ajo ishte shumë e traumatizuar, pasi që shtëpia e saj ishte bombarduar në afërsi të kufirit saudit, në një prej luftërave paraportuara të atij vendi. Ajo ishte me nënën e saj në një kamp refugjatësh, duke mos ditur as se ku ishte.

“Nuk kisha parë në jetën time sy të tillë. Ne mendojmë se çrregullimi post-traumatik është diçka që ndodh vetëm tek ushtarët. Kjo ndodh edhe te fëmijët. Dallimi është se me fëmijët ajo zgjat më shumë”, thuhet në gazetë.

Disa prej vullnetarëve në qendrat e rehabilitimit të UNICEF-it janë ish-ushtarë fëmijë vetë. Ata janë ekspertë: ata kanë qenë atje dhe kanë bërë atë.

Njëri prej tyre, nga Sudani Jugor, është Justin Ebere, i cili u rrëmbye nga Ushtria Çlirimtare e Popullit Sudanez, në kulmin e luftës civile të Sudanit. Ai ishte 16 vjeçar në atë kohë. Atij dhe djemve të tjerë që ishin me të, i thanë se ishin duke i dërguar në shkollë. Kur ata arritën në një vend tjetër, ushtarët u thanë: "Ju nuk jeni  duke shkuar në shkollë. Arma është shkolla juaj".

Justin tha për Independent se "ata marrin fëmijë që t’i mësojnë me atë brutalitetit, u tregojnë atyre se si do të vrasin njerëz."

“UNICEF nuk bën asnjë punë më të vlefshme, se sa shpëtimin e këtyre viktimave të luftës”, përfundon shkrimin gazeta.


*Titulli i përshtatur nga redaksia

Përgatiti: Gresa Kraja