E martë, tetor 21, 2014 Kosova 18:43

Kronika

Në Jarinë ende s'ka import malli komercial

Merdare...
Merdare...
Zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve ka filluar të zbatohet, por në vendkalimin kufitar në Jarinë aktualisht po behët vetëm evidencimi i mallrave që hyjnë në Kosovë, megjithëse këto mallra do të duhej të zhdoganoheshin në terminalin që gjendet në jug të Mitrovicës.

Të paktën kështu deklaroi njeri nga përfaqësuesit e serbëve të veriut, Millan Ivanoviq nga Këshilli Kombëtar Serb.

Policia, përveç evidencimit të mallit, po insiston ta doganojë në terminalin, në anën jugore. Serbët po e kundërshtojnë dhe nuk e pranojnë këtë, duke pasur parasysh garancitë që i ka dhënë Qeveria e Serbisë, se për veriun e Kosovës nuk do të ketë pagesë të doganës”, ka deklaruar Ivanoviq, për të shtuar se në ditët në vijmë do të shihet se a do të funksionojë e gjithë kjo.

Në vendkalimin, në Jarinë, në këtë moment, malli evidencohet. Pastaj, kamionët, nëse ata eventualisht vazhdojnë kah territori i Kosovës, plumbohen dhe dërgohen në terminal, me kërcënimin se do të hapet padia penale ndaj tyre, në qoftë se në afat prej 1 muaji, të ashtuquajturat obligime lidhur me pagesën e doganës dhe taksave tjera nuk plotësohen”, tha Ivanoviq.

x
Ivanoviq ka deklaruar po ashtu se të ashtuquajturit deputetët e komunave në veri, bazuar në garancitë e shkruara nga Qeveria e Serbisë, se nuk do të ketë doganim, janë tërhequr përkohësisht nga protesta, por siç thotë ai, nëse nuk përmbushen premtimet e tyre, protestat do të vazhdojnë.

Nga ana tjetër, Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se në vendkalimin kufitar në Jarinë, që kur ka filluar zbatimi i marrëveshjes së IMB-së, nuk ka kalim të mallrave në vlerë të larë apo komerciale.

Në Jarinë nuk ka pasur import të mallrave komerciale, ka pasur futje të mallrave të konsumit ditor, siç është qumështi apo buka e ushqime të tjera, të cilat kanë vlera minimale, kurse në Merdare ka vazhduar importi normalisht si gjithmonë”, tha Stavileci.

Stavileci ka përsëritur se zhdoganimi i mallrave që hyjnë  nga vendkalimet kufitari në Merdare bëhet në Podujeve, kurse i atyre në Jarinë bëhet në jug të Mitrovicës.

Pagesa e taksave bëhet në terminalet doganore saktësisht në terminalin e Mitrovicë, dhe saktësisht në Podujevë. Do të thotë në pikat hyrëse prej Jarinës në Mitrovicë dhe prej Merdares në Podujevë. Kjo ka qenë edhe më herët, po sidoqoftë deri me tani nuk kemi kalime të mallrave pa pagesë të taksave”, deklaroi Stavileci.

Autoritetet doganore kanë deklaruar se marrëveshja e IBM-se është duke u zbatuar pa ndonjë pengesë

Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit parasheh praninë e policisë dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë, si dhe ata të Serbisë, por edhe të EULEX-it.

Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufijve është par si mundësi e mirë për luftimin e kontrabandës dhe fenomeneve të tjera negative që kanë ndodhur në kufirin ndërshtetëror në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Doganat e Kosovës është institucioni më i rëndësishme për mbledhjen e të hyrave buxhetore. Sipas parashikimeve të Qeverisë së Kosovës, Dogana e Kosovës duhet të grumbullojë 860 milionë euro gjatë këtij viti.

Ndërkohë, që nga fillimi i këtij viti e deri më 5 dhjetor, ky institucion ka mbledhur 768 milionë euro për buxhetin e Kosovës.

Arton Konushevci

arton.konushevci+gmail.com

Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka një fëmijë.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum