E hënë, shtator 01, 2014 Kosova 15:38

Aktuale

BE-ja, shënjestër e kritikave në Kosovë

BE...
BE...

Artikujt e ndërlidhur

BE e kënaqur me raportet Kosovë - Serbi

Shefat e diplomacisë evropiane kanë përgëzuar Kosovën e Serbinë për zbatimin e IBM-së dhe dialogun e zhvilluar. Por, BE ende nuk ka caktuar datat për nisjen e negociatave për anëtarësim me Serbinë, përkatësisht për MSA-në me Kosovën.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Bashkimit Evropian që Kosova të mos fillojë negociatat për Marrëveshje Stabilizim Asocim, pa përmbushjen edhe të disa kritereve.

Kryeministri Thaçi, ka vlerësuar se Bashkimi Evropian në mënyrë të padrejtë po vonohet me Kosovën dhe se kjo e fundit po mbetet viktimë e jo unitetit evropian për Kosovën.

Pra, thjeshtë, defekti  i vonesë evropiane të Republikës së Kosovës qëndron në Bruksel, nga mosuniteti i tyre për statusin politik dhe jo në Prishtinë. Prishtina sot është më përpara me zbatimin e shumë kritereve evropiane se sa disa vende tjera të rajonit, të cilat madje e kanë të drejtën e liberalizimit të vizave. Mendoj se ky paragjykim në Bruksel, duhet të tejkalohet definitivisht – ky paragjykim negativ në raport me Kosovën. Mund të them lirisht se ky hezitim apo paragjykim i Brukselit është zhgënjyes për qytetarët e Kosovës dhe për institucionet e  Kosovës”, u shpreh Thaçi.

Ai, gjithashtu, ka kërkuar nga vendet anëtare të BE-së që të mos e paralelizojnë të ardhmen e Kosovës me të ardhmen evropiane të Serbisë. Ai ka premtuar se kushtet me të cilat është obliguar Kosova nga BE-ja, do të plotësohen në afat rekord.

Por, analistët e çështjeve politike dhe njohësit e rrethanave integruese vlerësojnë se vendimi i Bashkimit Evropian nuk është befasues.

Analisti Ardian Arifaj nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED, vlerëson se Bashkimi evropian nuk ngutet që të marrë Kosovën ose Ballkanin Perëndimor në gjirin e saj, derisa nuk tregojnë përkushtim të mjaftueshëm në ato që  BE-ja i cilëson prioritete për rajonin.

Megjithatë nuk mundemi pa e vërejtur që, sidomos në konkluzionet për Kosovën, në shprehje vjen edhe mosuniteti i BE-së rreth statusit politik të Kosovës, rreth asaj se çfarë paraqet Kosova”.

Dhe ky mosunitet, ky konfrontim mes shteteve anëtare të BE-së, po reflektohet edhe në qëndrimin që BE-ja e ka ndaj Kosovës, që nganjëherë ndoshta është më përjashtues se sa që, në fakt, Kosova e meriton. Nga kjo perspektivë mund të shikohet edhe reagimi i kryeministrit të Kosovës, zotit Hashim Thaçi”, shprehet Arifaj.

Në anën tjetër, njohësi i rrethanave të integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, vlerëson se megjithatë, është pozitive që të gjitha vendet anëtare të BE-së, e kanë konfirmuar rekomandimin e Komisionit evropian, që Kosova, pasi që t’i plotësoj kushtet afatshkurta, mundet me i fillu negociatat për marrëveshje të Stabilizim Asocimit dhe eventualisht ta nënshkruaj këtë marrëveshje, e cila do ta çimentoj rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së.

Por, sipas tij, vendimi i djeshëm i Bashkimit Evropian, është edhe dëshpërues, për shkak se ndaj Kosovës po përsëriten kërkesat e njëjta për reformat, të cilat Republika e Kosovës duhet t’i ndërmerr.

Këtë herë ata kanë qenë shumë të saktë dhe kanë kërkuar në mënyrë specifike që ritmi dhe dinamika e reformave të përshpejtohet, sidomos kur është fjala për reformën e administratës publike dhe çështjet që akne të bëjnë me konsolidimin e sundimit të ligjit, me theks mbi luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Por, gjithashtu edhe për reformat në gjyqësor dhe për lirinë e shprehjes. Kështu që, ne me të vërtetë shpresojmë që Qeveria e Kosovës dhe institucionet relevante reflektojnë dhe nuk vazhdojnë, thjeshtë, t’i selektojnë elementet pozitive të konkluzioneve dhe t’i injorojnë reformat”, thotë Muharremi.

Ndryshe, njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike dhe të atyre të integrimeve evropiane, kanë vlerësuar se kërkesat e BE, sidomos ato që lidhen me Studimin e Fizibilitetit, janë kërkesa formale dhe kushte të cilat Kosova, mund t’i plotësojë dhe më pas të nënshkruajë marrëveshjen për Stabilizim Asociim.

Ata gjithashtu kanë përmendur premtimin e kryeministrit Thaçi, në muajin tetor, se Kosova do t’i përmbushë kriteret e kërkuara nga BE-ja dhe se në dhjetor pret dritën jeshile nga ajo.

Por, sipas tyre Kosova duhet sinqerisht t’i kthehet vetvetes dhe të bëj zbatimin e reformave, të cilat janë kërkuar nga Bashkimi Evropain dhe që janë krejtësisht për të mirën e Kosovës.

Bekim Bislimi

beka.bislimi+gmail.com

Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum