Ndërlidhjet

OKB: Këshilli i Sigurimit e dënon Korenë Veriore


Koreja Veriore
Koreja Veriore
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka dënuar lansimin e raketës nga ana e Koresë Veriore, disa orë pasi ky vend i izoluar i shkeli sanksionet e OKB-së, duke e lansuar atë që Pheniani thotë se është satelit meteorologjik në orbitë.

Por, Shtetet e Bashkuara, Koreja Jugore dhe Japonia, thonë se lansimi i raketës është provë në zhvillimin e teknologjisë bërthamore.

Duke folur të mërkurën vonë, pas seancës së mbyllur të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kryesuesi Mohammed Loulichk, ambasador i Marokut, u tha gazetarëve se këshilli e ka “dënuar” lansimin, i cili sipas tij ishte “qartas shkelje e rezolutave të këshillit”.

Ai ka theksuar se Këshilli i Sigurimit i OKB-së do t’i vazhdojë konsultimet për “një përgjigjje përkatëse”.

Sipas rezolutave të Kombeve të Bashkuara, Koresë Veriore nuk i lejohet të zhvillojë teknologji bërthamore dhe raketore.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Susan Rice, u tha reporterëve se bisedat e mëtejshme për këtë çështje do të prodhojnë aksion më të fuqishëm.

Ne tash shkojmë në fazën e dytë, ashtu siç kemi bërë në të kaluarën, në negociatat ndërmjet anëtarëve të këshillit, veçanërisht të atyre me një interes në këtë temë, dhe ne do tu qasemi atyre, ashtu si në të kaluarën, me objektivat tonë të qartë. Por, objektiv yni është se kjo do të jetë përgjigje e qartë dhe domethënëse e Këshillit të Sigurimit, në harmoni me deklaratën e fundit presidenciale, që thotë se do të ketë aksion të mëtejshëm përkatës”, tha Susan Rice.

Zonja Rice i referohej deklaratës presidenciale, që ajo e lexoi pas lansimit të dështuar të raketës së Koresë Veriore në muajin prill të këtij viti.

Ambasadori francez, Gerard Araud, u tha gazetarëve jashtë Këshillit të Sigurimit, se ndonjë rezolutë mund të jetë hap i ardhshëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Një diplomat i lartë perëndimor, po ashtu, i tha agjencisë Reuters, në kushte të anonimitetit, se Shtetet e Bashkuara, Evropa, Japonia dhe Koreja Jugore, ishin në mesin e vendeve që do të dëshironin të shihnin një rezolutë me të cilën zgjerohen sanksionet kundër regjimit në Phenian.

Zëdhënësi i Ministrisë së jashtme të Kinës, Hong Lei, të mërkurën në Pekin kishte tërhequr vërejtjen se përgjigjja e Këshillit të Sigurimit duhet të jetë “e matur dhe e moderuar dhe të përçoj mbajtje të stabilitetit dhe shmangien e përshkallëzimit të situatës”.

Ambasadori i Koresë Jugore në Kombet e Basshkuara, Kim Sook, që kishte marrë pjesë në seancë, por nuk ishte i përfshirë në negociata, ka shfaqur shpresë për aksion të mëtejshëm.

Ky proces do të vazhdoj dhe besoj se Këshilli i Sigurimit do të ndërmarrë aksion përkaktës të shpejtë dhe të ashpër”, tha Kim Sook.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, në një kumtesë të mërkurën ka shprehur “keqardhje” për lëvizjen e fundit të Koresë Veriore, me të cilën shkilen sanksionet e Kombeve të Bashkuara.

Lansimi i fundit, po ashtu, është parë si një shenjë tjetër se shefi i shtetit, Kim Jong-un, që këtë post e mori para një viti, po i vazhdon politikat ushtarake të babait të tij të ndjerë, Kim Jong-ill. (f. b.)
XS
SM
MD
LG