Ndërlidhjet

QKUK-ja ende pa kardiokirurgji


Ilustrim
Ilustrim
Kardiokirurgjia në Qendrën Klinike Universitare ende nuk është hapur.

Edhe pse zyrtarë të lartë qeveritarë kanë deklaruar se operacionet e zemrës do të kryhen këtë vit në këtë qendër, kjo nuk ka ndodhur.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani ka deklaruar se qëllimi i institucionit që ai udhëheq ka qenë funksionalizimi i kësaj klinike me 28 nëntor. Ai jep hollësi rreth asaj se pse ka dështuar hapja e kësaj qendre me këtë datë.

Ka qenë një synim i joni ,që me rastin e 28 nëntorit të fillojmë punën e shërbimit kardiokirurgjik, mirëpo interesi i pacientëve normal që ka qenë mbi të gjitha dhe unë nuk kam dashur që të lejojë që të improvizohet puna, por pasi që të krijohen kushtet më optimal për punë atëherë të fillojë puna. Pajisjet e duhura ne për salla nuk arritëm t’i kemi”, u shpreh Agani.

Ndërkaq, Bekim Dula, kardiokirurg, thotë se numri i pacientëve që kanë nevojë për këtë lloj trajtimi, është shumë i madh. Kurse, sa i përket hapjes së Kardiokirurgjisë brenda Qendrës Klinike, Dula thotë se atë e sheh si të domosdoshme.

Kjo është e nevojshme dhe e domosdoshme sepse Kosova ka nevojë për një gjë të tillë, dhe unë i mbështes planet dhe aksionet për hapjen e kardiokirurgjisë shtetërore".

Zyrtarë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kanë thënë se derisa shërbimi i kardiokirurgjisë nuk po ofrohet brenda këtij institucioni, kërkesat e pacientëve për shërbimin në fjalë janë çdo ditë në rritje.

Shërbimi i kardiokirurgjisë nuk ofrohet në QKUK dhe kërkesat nga pacientët jznë të mëdha dhe në mungesë pacientët shkojnë për trajtim jashtë vendit. QKUK dhe MSH ka kohë që kanë filluar përgatitjet për themelimin e shërbimeve të kardiokirurgjisë, ku është formuar edhe një bord që janë duke punuar intensivisht”.

Ka pasur edhe kontakte me mjekë nga Shqipëria që kanë shprehur gatishmërinë që të vijnë dhe të asistojnë në shërbimet e kardiokirurgjisë deri sa ky shërbim të funksionalizohet plotësisht. Gjithashtu ka pasur edhe konkurse për pranimin e mjekëve të rinj. Shpresoj që vitin e ardhshëm d të jetë në shërbim të pacientëve”, tha Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së.

Për hapjen e kardiokirurgjisë, Ministrinë e Shëndetësisë e kanë ndihmuar edhe donatorë të ndryshëm.

Qeveria Italiane është zotuar se do ti ndihmojë me 3 milionë euro. Ministri Agani tha se deri tani kanë pranuar vetëm 1.1 milion euro dhe kjo ka qenë arsyeja e dështimit të funksionalizimit të kardiokirurgjisë me 28 nëntor.

Donacioni i qeverisë italiane ka vlerë prej 3 milion euro, derisa ne i kemi në dispozicion 1.1 milion euro. Nuk arritëm që me kohë t’i mobilizojmë mjetet nga donacioni i qeverisë italianë andaj ato pajisje që ne planifikonim t’i kemi në salla nuk arritëm t’i sigurojmë”, theksoi ai.

Por ministri i Shëndetësisë, ka një datë se kur pacientët kosovarë, operacionet e hapura në zemër do t’i kryejnë brenda QKUK-së.

Shpresoj që deri me 17 shkurt, 5 vjetorit të pavarësisë të shtetit tonë, t’i bëjmë operacionet e hapura në zemër”.

Sidoqoftë shuma vjetore që Ministria e Shëndetësisë ka të ndarë për programin e trajtimit të pacientëve jashtë vendit, është dy milionë euro në vit, ndërkohë që kërkesat për pacientë janë shumë më të mëdha, sidomos për shërbime të cilat nuk kryhen brenda Kosovës.
XS
SM
MD
LG