Ndërlidhjet

Todoriq: Statusi special-garancë për serbët e veriut


“Unë shoh vetëm një zgjidhje për këtë (veriun e Kosovës) e që është statusi special për veriun”, tha drejtori ekzekutiv i Qendrës për Politika të Reja në Beograd, Vlladimir Todoriq në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Todoriq, kemi parë në ditët e fundit se Prishtina e Beogradi kanë nisur të zbatojnë marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit që është konsideruar të jetë një hap i mirë në drejtim të përmirësimit të raporteve në mes të Kosovës e Serbisë.

Vëzhguesit, megjithatë, kanë thënë se nuk duhet të jemi aq optimistë meqë Beogradi do të mund të ndryshonte qasjen ndaj Kosovës sapo ta ketë marrë datën për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sa mund të pritet një gjë e tillë?

VLLADIMIR TODORIQ
Është mjaft e paqartë se cila do të jetë platforma përfundimtare e Serbisë për negociatat me Prishtinën. Presim të shohim më shumë më 17 dhjetor kur platforma do t’i dorëzohet parlamentit. Mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurimit la të kuptohet se si mund të duket ajo platformë-aty ministri i jashtëm i Serbisë, zoti Mërkiq, paralajmëroi se Serbia do të jetë e hapur për të diskutuar çfarëdo teme përveç zhbërjes së strukturave të saja nga veriu i Kosovës. Mbetet të shihet se a do të jetë platforma në përputhje me këtë, por ky është një kapitull i ri në politikën e Serbisë karshi Kosovës.

Ky hap do të përbënte një lëvizje të lehtë nga rezoluta 1244, por mbetet të shohim se si do të rezonojë Bashkësinë Ndërkombëtare në këtë. Sa i takon procesit integrues në Bashkimin Evropian, si faktor kryesor, e shoh një problem. Shoh dy blloqe të shteteve-njëri bllok mbështet negociatat e Serbisë duke thënë se Serbia ka bërë mjaft; në anën tjetër është një grup shtetesh që nuk është kundër negociatave me Serbinë, por që ka frikën se nuk ekziston ndonjë instrument tjetër përveç Kosovës. Pra, ekziston frika se Shtetet e Bashkuara ia kanë lënë BE-së apo Gjermanisë në duar ‘një patate të nxehtë’ dhe se ky problem mund të zgjidhet vetëm me kushtëzimin e Serbisë-gjë që mund të funksionojë deri në një masë.

Kjo masë përcaktohet nga ndikimi i Beogradit mbi serbët kosovarë në veri dhe këtu e shoh edhe një problem të madh. Serbët e Kosovës nuk janë ata që përfitojnë nga progresi eventual i Serbisë në BE, sikurse që nuk kanë përfituar nga liberalizimi i vizave në periudhën e mëhershme. Janë bërë pak më shumë se pesë ditë që kur ka nisur zbatimi i IBM-it, por ka tashmë zëra që thonë se nëse serbët e veriut duan ta bllokojnë këtë marrëveshje, ata do të kenë probleme të mëdha. Andaj, mbetet të shihet se si do të duket situata në janar apo shkurt.

Megjithatë, shoh një problem të madh në BE, meqë askush nuk është i lumtur për zgjerimin e mëtejmë, pavarësisht se a do të hynin këtu Serbia apo Kosova, Bosnja apo Mali i Zi. Zërave të fundit në këtë iu shtua ai i Angela Merkelit që tha se duhet pasur kujdes kur bëhet fjalë për vendet që kanë probleme me konkurrencën ekonomike dhe se ato shtete që nuk janë të gjendje të garojnë me ekonominë evropiane të mos përparojnë në zgjerimin e BE-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Sidoqoftë, e dëgjuam dje zëvendëskryeministren e Serbisë, Suzana Grubeshiq, duke thënë se progresi i Serbisë për në BE varet nga Kosova. A është Beogradi në fakt i vetëdijshëm se duhet të përmbush krejt marrëveshjet e arritura, deri më tani, me Kosovën?

VLLADIMIR TODORIQ
Askush nuk mund të thotë se cilat janë kushtet e vërteta të marrjes së datës për nisjen e negociatave për anëtarësim. Mund ta vëreni në terminologjinë e përdorur nga Këshilli i Ministrave që nuk kanë konsensus për progresin e që përdorin termin ‘progres relevant’. Pra, në mungesë të konsensusit askush nuk e di se a nënkupton kjo zbatimin e IBM-it apo zhbërjen e të ashtuquajturave strukturave paralele.
RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët zhbërjen e të ashtuquajturave strukturave paralele. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha ditë më parë se kjo çështje do të jetë tema kryesore në takimin e radhës me shefen e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton dhe kryeministrin serb, Ivica Dacic. Çfarë mund të dalë nga ky takim?

VLLADIMIR TODORIQ
Unë shoh vetëm një zgjidhje për këtë e që është statusi special për veriun. Ky do të ketë të bëjë pak me pakon e Ahtisaarit, por do të rrisë zotërimin e Beogradit mbi atë pjesë.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të ishin BE-ja dhe Uashingtoni si mbështetës i dialogut “të lumtur” ta kenë një zgjidhje të tillë duke e ditur se kanë mbështetur integritetin territorial të Kosovës.

VLLADIMIR TODORIQ
Ekziston një frikë mbi atë se si do të duket Kosova në të ardhmen; ekziston frika se ajo mund t’i ngjasojë Bosnjë e Hercegovinës, Republika Srpskës e kështu me radhë. Por, ekziston frika për iniciativën eventuale për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën-gjë që nuk është tabu. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, po flet haptazi për këtë; Vetëvendosja po ashtu po flet haptazi për këtë.

Andaj, pse të mos flasin serbët për frikën e tyre rreth integrimit në sistemin politik të Kosovës. Statusin special e shoh si garanci që kjo të mos ndodhë. Nëse ndodhë kjo, statusi special, do të shndërrohej në vetëvendosjen e veriut për t’u integruar me Serbinë. Nëse Kosova nuk bashkohet me Shqipërinë, atëherë ajo duhet ta integrojë vetën dhe mendoj se as serbët e veriut e as ata të pjesëve të tjera nuk do të duhej të kishin frikë për t’u integruar në Kosovë.
XS
SM
MD
LG