E mërkurë, korrik 30, 2014 Kosova 17:10

VOX

Të rinjtë, skeptikë për perspektivën

Studentë në Prishtinë...
Studentë në Prishtinë...
Edhe pse Kosova nuk e ka shkallën e duhur të zhvillimit ekonomik dhe mundësinë për ofrimin e vendeve të reja të punës, disa të rinj kosovarë shprehen optimistë se pas përfundimit të studimeve, shteti për ta do të ofrojë vende pune, por ka edhe të atillë që shprehin pesimizmin tyre. 

Imer Lusnjani, student i Universitetit të Prishtinës, thotë se pas përfundimit të studimeve, do të kërkojë punë në vend dhe se nuk e ka synim largimin nga vendi:



“Për shkak se po i bëj studimet këtu, unë mendoj që në të ardhmen të kontribuoj për vendin. Mendoj se duhet ta kemi një ta ardhme më të mirë, sepse Kosova nuk besoj se do të mbetet kështu dhe më vonë besoj se do të jetë më mirë”.

Ndryshme mendon Arben Lahu. Ai thekson se po të kishte mundësi të largohet nga vendi, si për studime ashtu edhe për punë, do të largohej menjëherë nga vendlindja.

“Normalisht, po ta kisha një mundësi për të dalë jashtë Kosovës,do ta kisha pranuar menjëherë, si për studime ashtu edhe për punë”, shprehet Arbeni.

Genta Beqiri, një nxënëse e shkollës së mesme, mendon se Kosova i ofron të gjitha mundësitë, si për shkollim, punë dhe gjëra të tjera. Prandaj, ajo thotë se do të qëndrojë në Kosovë edhe pas përfundimit të studimeve në të ardhmen.

“Për mendimin tim është më mirë ta përfundoj shkollën e mesme, fakultetin dhe të punoj këtu në Kosovë. Po mendoj se kanë për të ofruar mundësi, por edhe ne duhet të kontribuojmë për zhvillimin e mëtejmë të Kosovës”, thotë Genta.

Kurse, Gent Krasniqi thotë se profesionin, të cilin e ka zgjedhur, ofron mundësi të mëdha për punë në Kosovë:

“Mendoj të jetoj në Kosovë pasi ta përfundoj fakultetin, e kam një drejtim të mirë, mendoj, atë të bujqësisë”.

Sabile Përvetica, e cila studion në Fakultetin Ekonomik, thotë se aktualisht vendi nuk ofron mundësi të mira për punë dhe jetë më të mirë.

“Po t’më jepej mundësia, do të kisha shkuar jashtë vendit, sepse këtu në Kosovë, nuk ka shumë të ardhura të mira. Edhe nuk kisha menduar shumë. Ndoshta po të ndryshojë pas një kohe diçka, po, veçse si janë kushtet tash për tash, do të kisha shkuar menjëherë jashtë”, thotë Përvetica.

Kurse, Jetlira Shala shprehet më optimiste:

“Këtu në Kosovë e shoh jetën më mirë sesa diku tjetër, edhe pse nuk ka shumë kushte, por besoj se gjërat do të ndryshojnë”.

Thuhet se çdo vit në tregun e punës në Kosovë janë aktivë për t’u punësuar 25 deri në 30 mijë persona, të gjithë 18 vjeç e më lart, derisa po ky treg mund të absorbojë vetëm 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit.

Megjithatë, Shpëtim Ahmetaj, i cili studion në Universitetin e Prishtinës konsideron se jeta në Kosovë është duke u përmirësuar. Ai thotë të jetë optimist për të ardhmen e tij.

“Në Kosovë mendoj se e ardhmja është e mirë. Janë duke u rregulluar gjërat. Besoj se do të jemi të suksesshëm në drejtimet – profesionet tona dhe do të na ofrohen punë”, shprehet Shpëtimi.

Edona Shabani, e cila studion shkencat sociale, konsideron se Kosova duhet të ofrojë mundësi të shumta për gjeneratat e reja. Por, ajo shpreh shqetësimin e saj për nivelin e lartë të nepotizmit në shumë institucione.

“Secili person e ka dikë prapa, dhe askush vetë nuk mund të punësohet pa dikë të njohur. Normalisht, unë po studioj, por nuk e di nëse do t’më ofrohet mundësia për punë. Nëse jo, duhet të bëj një zgjidhje. Nëse nuk ka mundësi këtu, atëherë jashtë. E, nëse as atje nuk mund të bëj diçka, më duhet ta ndërroj profesionin dhe të regjistroj edhe një fakultet tjetër”, thotë Edona.

Gentiana Muslia nga Prishtina,studion Inxhinierinë elektrike-kompjuterike në Fakultetin Teknik. Ajo thotë se edhe pse ka një profesion të mirë, të ardhmen e saj nuk e sheh në Kosovë.

“Ndoshta më mirë do të ishte të dal jashtë vendit edhe të kërkoj për mundësi më të mira, se këtu nuk janë kushtet e mira, po mendoj derisa të ndërrohet sistemi që e qeveris ketë vend. Ndoshta do të bëhet më mirë se nuk është siç duhet. Unë do të rri në Kosovë derisa ta përfundoj fakultetin, më pas masterin dhe me siguri një vend pune e synoj në Francë”, tregon Gentiana.

Shumë nga studentët e Universitetit të Prishtinës thonë se në vendet me ekonomi të zhvilluar dhe me shkallë të ulët të papunësisë, studentët pas diplomimit nuk e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune, por kjo nuk ndodh në Kosovë.

Arton Konushevci

arton.konushevci+gmail.com

Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka një fëmijë.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum