Ndërlidhjet

Normalizohet gjendja me energji elektrike


Për vite të tëra, gjatë ditëve të ftohta të dimrit qytetarët e Kosovës përballen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike.

Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, furnizimi i energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës ka qenë me reduktime.

Shkaktar i mungesës së energjisë elektrike, sipas Korporatës Energjetike të Kosovës, ka qenë dalja nga prodhimi i bllokut B1 dhe për shkak të disa përmirësimeve që janë bërë në rrjetin elektrik.

Por, pas këtyre reduktimeve Korporata Energjetike e Kosovës njofton se të gjitha këto probleme janë evituar dhe furnizimi me energji elektrike tani është i rregullt në tërë vendin.

Zëdhënësi i KEK-ut Viktor Buzhala thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha këto reduktime me energji elektrike kanë qenë të planifikuara.

Kemi pasur një problem, njësia B 1 ka rënë nga sistemi, por ajo është kthyer brenda 24 orëve dhe nuk ka pasur ndonjë ndikim të madh në furnizim me energji elektrike, mirëpo ndalesat apo reduktimet që kanë qenë gjatë dy ditëve të fundit në Prishtinë kanë qenë të planifikuara dhe janë bërë për shkak të përmirësimit të rrjetit elektrik. Tani është gjendja normale dhe nuk ka reduktime për asnjë kategori në asnjë pjesë të vendit”, thekson ai.

Konsumi i energjisë elektrike gjatë sezonit të dimrit, tregon Buzhala, ka shënuar rritje deri në 30 për qind.

Ai thotë se vetëm në rast të ndonjë prishjeje që mund të shkaktohet nga rrjeti elektrik i vjetruar mund të ketë reduktime të energjisë gjatë sezonit dimëror, në të kundërtën furnizimi i rregullt nuk do të mungojë.

Falë përgatitjeve që KEK-u ka bërë për sezonin e dimrit, duke i përgatitur të gjitha blloqet një nga një, si dhe ka kontrata për import të energjisë duke i parashikuar edhe tri situatat të cilat janë energjia e modeluar, energjia e kohës së pikat dhe energjia emergjente KEK-u është i përgatitur për sezonin e dimrit”, thotë Buzhala.

Që nga paslufta në Korporatën Energjetike të Kosovës janë bërë investime të mëdha, që megjithatë nuk kanë ndihmuar në përmirësimin e tërësishëm të gjendjes energjetike.

Qytetarët ballafaqohen me mungesë te energjisë

Në anën tjetër, qytetarët hedhin një varg akuzash në adresë të Korporatës Energjetike të Kosovë. Ata tregojnë se shumë herë ballafaqohen me mungesë të energjisë elektrike.

Gjatë fundjavës ata tregojnë se reduktimet kanë qenë të mëdha, dhe atë 4 me 2 në favor të territ.

Nuk kemi pasur energji elektrike nga katër orë”, thotë Muhamet Rezniqi, student në Prishtinë.

Ndërkaq, Arbnora Xani nga Skenderaj, thotë se furnizimi me energji elektrike në këtë komunë ka qenë edhe më i ashpër. Sipas saj, ka pasur reduktime deri në 5 orë.

Ka pasur reduktime të energjisë elektrike. Tri orë ka pasur energji, 5 deri në 6 orë kemi qenë pa energji elektrike në komunën e Skenderajt”, thotë ajo.

Një gjendje jo e mirë e furnizimit me energji elektrike ka qenë edhe komunën e Ferizajt.

Jehona Musa shprehet:

Nuk ka pasur energji elektrike. Tri me 2 në favor të territ. Mungesa e saj na ka krijuar vështirësi të mëdha”.

Ndërprerjet e shpeshta të rrymës elektrike thuhet se janë pengesë për procesin e prodhimit dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik në Kosovë.

Edhe në raportet e deritashme të organizatave ndërkombëtare për sistemin energjetik të Kosovës ishte vlerësuar se “një pengesë e madhe në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës është furnizimi joadekuat dhe jo i besueshëm me energji elektrike”.

Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” shihet si një mundësi e mirë për furnizim të rregullt me energji elektrike për Kosovën.

Vendimi për ndërtimin e këtij termocentrali ishte marrë në vitin 2005, ndërkohë që është bërë e ditur se punimet për ndërtimin e tij do të fillojnë vitin 2013.
XS
SM
MD
LG