Ndërlidhjet

Traktat paqeje Kosovë - Serbi, si rezultat i dialogut


Ilustrim
Ilustrim
Fundi i dialogut politik në mes të Prishtinës dhe Beogradit, duhet të përmbyllet me nënshkrimin e një traktati të paqes, i cili duhet të shërbejë si traktat njohës dhe i krijimit të marrëdhënieve të përhershme miqësore dhe fqinjësore mes këtyre dy shteteve.

Kështu, thuhet në raportin e publikuar të hënën nga Instituti Kosovar i Paqes.

Drejtuesit e këtij instituti theksuan se dialogu i tanishëm përbën mundësinë më të mirë për të dyja vendet që të ngrijnë përkushtimin për paqe dhe siguri në të ardhmen në Kosovë, Serbi dhe rajon.

Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Institutit Kosovar të Paqes, tha se paraqitja e elementeve të një traktati të paqes si një fund i dëshirueshëm i këtij procesi është esencial për të siguruar një rezultat të qëndrueshëm.

Instituti Kosovar për Paqe sugjeron një traktat për paqe i cili është i bazuar në pesë parime: 1. Reciprocitet dhe krijimi i besimit të ndërsjellë; 2. Mekanizmat e pajtueshmërisë dhe zbatueshmerisë; 3. Kufizim kohor; 4. Kompromisi historik (njohja e shtetit të Kosovës), dhe parimi i 5-të, garancitë ndërkombëtare dhe monitorimi”, tha Ramadani.

Ilazi ka shtuar po ashtu se përfundimi i negociatave aktuale ndërmjet dy vendeve përmes një traktati për paqe do të ishte një ngjarje historike, siç tha ai, duke shënuar një fillim të ri për Kosovën dhe Serbinë.

Ai nënvizoi gjithashtu se një traktat i tillë do t’i hidhte poshtë ambiciet për rregullimin territorial të pjesëve kontestuese në Kosovë dhe rajon.

Anëtari tjetër i këtij instituti, Adem Beha ka përmendur se nëse arrihet ky traktat, duhet të formojë bazën për një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të zëvendësojë rezolutën ekzistuese 12 44.

Njohja formale e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është e domosdoshme për arsye simbolike, formale dhe praktike.

Statusi politik i veriut të Kosovës duhet të rregullohet në mënyrë të tillë që do të siguronte paqe të qëndrueshme në Kosovë, Serbi dhe rajon më të gjerë, shpjegoi Beha, për të shtuar se edhe strukturat paralele të Serbisë në veri të Kosovës duhet të shpërbëhen.

Megjithatë, Beha deklaroi se pozitat aktuale të Kosovës dhe Serbisë nuk mund të mundësojnë arritjen e një traktati të tillë.

Nuk është traktat që mund të implemetohet tani për shkak se pozitat e Kosovës dhe Serbisë nuk janë të kalibruara. Pra, kemi pozita politike diametralisht të kundërta, deri sa Hashim Thaçi deklaron se negociata kanë për bazë Kushtetutën e Kosovës, rezolutën e nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës dhe ligjet e Kosovës”.

Në anën tjetër, Daçiq thotë se negociatat që po zhvillohen në mes të Kosovës dhe Serbisë janë të bazuara në Kushtetutën e Serbisë që ka për bazë provizionet që e përfshijnë Kosovën si pjesë të territorit të Serbisë”, tha Beha.

Një traktat i tillë i paqes, sipas analistëve politikë serbë është i pamundshëm.

Analisti Aleksandër Popov nga Qendra për Rajonalizim në Novi Sad, tha se çfarëdo marrëveshje që çon deri të njohja e Kosovës nga ana e Serbisë është e papranueshme, të paktën siç tha ai, në këtë dekadë.

Mendoj që Serbia gjatë këtyre bisedimeve do të këmbëngulë që mos të pranojë pavarësinë e Kosovës, por do të vazhdojë bisedimet politike ku temë do të jetë edhe statusi i veriut të Kosovës. Por, çdo dokument me cilin do të pranohej pavarësia, mendoj që nuk është e mundur të ndodh për një kohë të gjatë, të paktën jo në këtë dekadë”, tha Popov.

Instituti Kosovar i Paqes parasheh që në rast të arritjes së një marrëveshjeje të tillë, traktati i paqes duhet të përmbajë dispozita të qarta dhe eksplicite në implementim dhe zbatimi.

BE-ja dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë do të duhej të monitorojnë dhe vëzhgojnë zbatimin e saj.

Ndryshe, zyrtarë të lartë të institucioneve, pak para fillimi të dialogut politik me Serbinë patën deklaruar se Kosova është e gatshme të hyjë në bisedime me Serbinë, duke besuar se një dialog i tillë do të prodhonte si rezultat nënshkrimin e një traktati paqeje midis dy shteteve.
XS
SM
MD
LG