E hënë, shtator 22, 2014 Kosova 16:12

Rajoni

Maqedoni: Politizimi i lustrimit

Maqedoni
Maqedoni
Procesi i lustrimit në Maqedoni duhet të ndërpritet, ndërsa nevojitet edhe shfuqizimi i ligjit apo miratimi i një zgjidhjeje ligjore krejt të re, nëse dëshirohet të vazhdohet me këtë proces.

Kështu thotë Stojan Andov, nismëtari kryesor i lustrimit në Maqedoni, duke komentuar dorëheqjet e dy anëtarëve të Lidhjes Social-Demokrate të opozitës nga Komisioni për verifikimin e fakteve.

Në fakt, dorëheqjet e tyre, pasuan pas thirrjes së liderit të opozitës, Branko Cërvenkovski, për t’u larguar nga puna e Komisionit, i cili, ka marrë vlerësime negative edhe nga Komisioni i Venecias, për shkak të politizimit të gjithë procesit.

Lustrimi në Maqedoni mund të jetë gjithçka tjetër, por jo edhe lustrim, ashtu siç ishte paramenduar në fillim, pra si instrument për forcimin e demokracisë në vend dhe pastrimin me të kaluarën sa i përket dëmeve që iu shkaktuan qytetarëve vetëm për shkak të bindjeve të tyre ndryshe nga ato të pushtetit monist, që persona të tillë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit të mos mund sërish të përfshihen në vendimmarrje”.

Por, me ndryshimet e fundit që janë bërë nga partitë në pushtet dhe punën që ka bërë deri më tani komisioni, mund të them lirisht se te ne ka ndodhur sulm ndaj demokracisë, persona të caktuar janë dëmtuar apo janë etiketuar vetëm pse tani nuk mendojnë si pushtetit aktual", thotë Andov.

Unë mbështes vlerësimet e Komisionit të Venecias, ashtu siç janë paraqitur se lustrimi në Maqedoni nuk zhvillohet ashtu siç duhet, por, ato nuk kanë fuqi që të detyrojnë institucionet në vend  të veprojnë në bazë të rekomandimeve të tyre”, shton Andov.

Sipas tij, dorëheqja e anëtarëve nga radhët e opozitës nuk do të shqetësojë shumë pushtetin, pasi do të zgjidhen anëtarë të tjerë, një veprim që mund të shkaktojë dëme edhe më të mëdha. 

Edhe Shpëtim Pollozhani, kryetar i shoqatës së ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë shqiptarë, thotë se procesi i lustrimit ka dështuar, për faktin se sipas tij, në shënjestër të punës së komisionit kanë qenë personat që nuk mendojnë njëjtë si pushtetit aktual.

Krejt kjo ka qenë një hakmarrje për personat të cilët nuk janë në binarët e qeverisë. Doli se u lustruan personalitete të opozitës dhe rrallë herën ndonjë anëtar i opozitës, por që nuk është i gjallë, nuk jeton, pra është i kotë”.

Kjo është një farsë politike sa për t’i treguar Evropës se ne jemi në rrjedhat e proceseve demokratike, por prej këtij ligji nuk ka asgjë. Ky ligj, duhet krejtësisht të shfuqizohet  dhe ndoshta të formulohet një ligj tjetër me një koncept tjetër, me njerëz të ri dhe me një filozofi të re politike”, shprehet ai.

Por, ndryshe nga Pollozhani dhe Andov, kreu aktual i komisionit, Tome Axhiev tha se pavarësisht dorëheqjeve, komisioni do të vazhdojë punën, pasi siç ka thënë ai, vendimet miratohet me shumicë votash dhe në rastin konkret, komisioni ka numrin e nevojshëm të anëtarëve për të vazhduar punën.

Deri tani, komisioni për lustrim ka shpallur emrat e 38 personave, prej tyre 9 janë shqiptarë, për të cilët vlerëson se kanë qenë bashkëpunëtor të shërbimeve dhe në bazë të ligjit aktual ata nuk mund të ushtrojnë funksione publike.

Sipas ndryshimeve të fundit ligjore, lustrimi përfshin të gjitha kategoritë e qytetarëve që ushtrojnë funksione publike apo që drejtojnë organizata joqeveritare, pastaj përfaqësuesit e mediave, të institucioneve fetare, e kështu me radhë.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum