E premte, tetor 31, 2014 Kosova 20:57

Kronika

Platformë apo matje pulsi?

Mitrovicë, foto nga arkivi
Mitrovicë, foto nga arkivi
Një dokument i prezantuar si platforma e Serbisë për Kosovën, e lansuar në vija të përgjithshme nga shtypi serb, në Prishtinë po shihet më shumë si testim i opinionit në lidhje me pretendimet e Beogradit për të përfituar një status të veçantë për komunat veriore të Kosovës.

Ndërsa përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nuk kanë dashur ta komentojnë këtë platformë duke pritur publikimin e saj zyrtar nga ana e autoriteteve serbe, njohësit e zhvillimeve politike e vlerësojnë atë si një testim të opinionit duke i pritur më pas edhe reagimet që do të pasojnë.

Drejtori i Institutit KIPRED, në Prishtinë Ilir Deda thotë se qëllimi i Beogradit në vazhdimësi ka qenë të krijojë një entitet të veçantë në veri.

Dëshira, vullneti apo qëllimi i Beogradit për entitetin serb apo statusin special të veriut, jo zyrtarisht ka qenë kërkesë për një kohë shumë të gjatë. Tani po vjen deri te pika e zyrtarizimit të këtij qëndrimi e i cili është se Beogradi nuk do ta japë Kosovën, por të njëjtën kohë do ta pranojë një lloj realiteti dhe për këtë ata dëshirojnë që çmimi i këtij ndryshimi politik të jetë veriu, për çka ne kemi paralajmëruar për një kohë të gjatë”, thekson Deda.

Ndërkohë, analisti dhe publicisti kosovar Halil Matoshi, thotë se media, kisha ortodokse dhe akademia serbe kanë qenë në vazhdimësi si paravajtëse të politikës shtetërore serbe karshi Kosovës.

Ai thotë se lansimi i tezave për krijimin e entitetit serb është një përpjekje që politika zyrtare serbe të avancojë drejt shpalljes së një krijese apo Republike Serbe në veri të Kosovës.

Matoshi, nuk e beson që Beogradi do të shkojë aq larg me këtë platformë në kohën kur po pret të merr kandidaturën për integrim në Bashkimin Evropian.

Në të kundërtën, ai thotë se përpjekjet për krijimin e një entiteti serb në veri do të krijonin efekte dhe një destabilizim zinxhiror në shumë vende të rajonit. 

Unë nuk besoj që qeveria, lidershipi në Beograd në këtë fazë të bisedimeve me Bashkimin Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat se ata do të shkojnë aq larg, sa do të cenojnë paqen në rajon, kufijtë e Ballkanit të cilët unë besoj se janë përmbyllur definitivisht në vitin 1999”, ka thënë Matoshi.

Paralajmërimet se platforma serbe për Kosovën do të vë në theks vetëm interesat e komunave veriore nuk parapëlqehen aspak as nga liderët e serbëve të Kosovës.

Njëri nga liderët e serbëve të veriut, Marko Jakshiq thotë se një platformë e tillë, nëse është zyrtare, do të ishte e papranueshme sepse ajo do të paraqiste planin për dorëzimin e Kosovës dhe kapitullimin e Serbisë. 

Unë garantoj apo parashoh që shumica e serbëve nuk do ta mbështesin një platformë të tillë ngase ajo do të nënkuptonte lamtumirë shteti i Serbisë”, thotë Jakshiq.

Një mendim afërsisht të njëjtë prezanton edhe një politikan serb nga Graçanica Ranxhell Nojkiq

Ky është një hap prapa me të cilin përpiqet të fitohet një autonomi për pjesën veriore çka nënkupton që Beogradi të hiqte dorë nga serbët që jetojnë poshtë lumit Ibër dhe si e tillë platformë do të ishte e papranueshme”, thotë Nojkiq.

Siç është prezantuar nëpër mediat serbe, platforma e Beogradit për Kosovën e cila do të prezantohej nga presidenti dhe miratohej nga Kuvendi, mes tjerash do ta bënte të qartë se Serbia nuk do ta njeh shtetin e Kosovës, por do të kërkonte një lloj statusi autonom për komunat veriore të banuara me serb, sipas modelit të Republikës Serbe në Bosnje.

Sipas interpretimeve që i kanë bërë mediat serbe, kjo platformë do të siguronte që në veri të Kosovës të mos ketë më institucione të Serbisë, por, autonomi për serbët e atjeshëm.

Platforma besohet se do të kishte për qëllim edhe plotësimin e kërkesave ndërkombëtare që Serbia, edhe nëse nuk do ta njeh shtetin e Kosovës, duhet të vendos një komunikim dhe normalizojë marrëdhëniet me të, ndërkohë që duhet t’i largojë strukturat paralele që ka ngritur në veri.

Zijadin Gashi

zijadin.gashi+gmail.com

Zijadin Gashi, i lindur më 01 janar 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001.

Twitter
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Komentet
     
Nga : Mixha Selman Prej : wallskan
19.12.2012 11:10
Thuhet që "Armiku", nuk duhet nënvlerësuar kurrë, prandaj këto platforma dhe plane afatgjata të Serbisë, kundruall Kosovës, duhet marrë si shumë serioze dhe duhet punuar për t`iu kundërvu me të njëjtat medoda dhe platforma. Serbia, mbrenda territorit të vetë ka tri komuna me shqiptarë dhe ne duhet të punojmë me seriozitet që vëllezërit tanë të një gjaku e gjuhe të fitojnë po të njëjtat të drejta sikurse edhe të tjerët që i kanë fituar, në Kosovë. Liria, thuhet se nuk e rrezikon askënd , por kjo le të vlenë edhe për shqiptarët që të gëzojnë atë. Prandaj, duhet të sillemi me përgjegjësi karshi këtyre planeve të "zeza"!

Nga : gani Prej : gjermani
18.12.2012 21:23
po nuk di more vlla qka mirri me gazata te serbis e nese mendoni se ato jan provokime qka i komentoni ju po kshyryni more punt e juve e mendoni si me ec shteti jon te para

Nga : Kosovari
18.12.2012 19:58
Udheheqesit politik te Kosoves,duhet te ja dergojn kerkesat e deshirave Babadimrit.

Sepse sic po duket tani ka filluar loja e vertet diplomatike Serbe e cila eshte shume me e favorizuar ne Bashkimin Europian ,dhe aty flitet me entuziazem per seriozitetin e shtetit Serbe.
Derisa Kosova eshte ne disavantazh.
Kerkesat e Beogradit do te hasin ne perkrahje sepse Kosova duhet te jete mozaik i BE-s,ku disa fshatra mund te behen Republik apo te fitojne autonomi
Dhe BE-ja te mburet me qeverisjen dhe demokracine e Prishtines.

Per hajer Bosnja 2.

Apo zgjidhja jashte kornizave te planit Ahtisari
Se as Babadimri ska me mujt me u ndihmu .