E shtunë, maj 23, 2015 Kosova 04:42

Bota

SHBA: Zhgënjim i thellë me Izraelin

RFE /RL
Departamenti amerikan i shtetit thotë se është “thellësisht i zhgënjyer” me aleatin amerikan, Izraelin, për shpalljen e vazhdimin të ndërtimit të mijëra vendbanimeve të reja për izraelitët në tokën, të cilën palestinezët e llogarisin se do të jetë në shtetin e ardhshëm të tyre.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Victoria Nuland, i ka akuzuar liderët izraelitë për angazhim në “aksion provokues”, që e vë në pikëpyetje përkushtimin e tyre për paqe.

Kjo deklaratë u bë në periudhën kur raportohet se shtetet evropiane në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Franca, Britania, Gjermania, Portugalia, dhe anëtarë të tjerë, po përgatisin deklarata të reja për dënimin e planeve të Izraelit për ndërtimin e vendbanimeve.

Prej se Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në muajin nëntor, votoi për përmirësim të statusit të palestinezëve në OKB, në “shtet vëzhgues joanëtar”, Izraeli i ka shpallur planet për ndërtimin e mijëra njësive banesore në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor.

Autoritetet e Izraelit, të hënën, e kanë miratuar ndërtimin e 1500 shtëpive në lagjen Ramat Shlomo në Jerusalemin Lindor. Izraelitët, po ashtu, po e shqyrtojnë ndërtimin e mëtejshëm të 3 mijë njësive të reja shtëpiake në vendbanime të tjera.

Palestinezët dëshirojnë që në shtetin e ardhshëm të tyre të përfshihet Bregu Perëndimor, me kryeqytet Jerusalemin Lindor.

Vazhdimi i planeve izraelite për ndërtim të vendbanimeve, megjithë vërejtjet e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, më herët këtë muaj, se vendbanimet e reja do të paraqesin një “goditje pothuajse fatale” për ardhmërinë e paqes, e pamundësojnë krijimin potencial të shtetit palestinez.

Shtetet e Bashkimit Evropian, që janë partneret më të mëdha tregtare të Izraelit, poashtu, shumë herë i janë bashkuar korit të vërejtjeve kundër ndërtimeve të mëtejshme.

Analistët thonë se kritika e fundit tejet e ashpër e Shteteve të Bashkuara ndaj Izraelit, nuk ishte e zakonshme.

Izraeli është aleati më i afërt i Uashingtonit në Lindjen e Mesme dhe në vit nga Shtetet e Bashkuara merr ndihma në vlerë prej miliarda dollarësh.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Victoria Nuland, e ka shprehur zhgënjimin e thellë amerikan.

Sa i përket çështjes së gjerë të vendbanimeve dhe deklaratave aktuale dhe aksioneve në terren: ne jemi thellësisht të zhgënjyer që Izraeli insiston në vazhdimin e këtij modeli të aksionit provokues. Këto shpallje të përsëritura dhe plane për ndërtime të reja, shkojnë kundër çështjes së paqes. Liderët izraelitë vazhdimisht thonë se ata e mbështesin rrugën kah zgjidhja me dy shtete, por këto aksione këtë qëllim e rrezikojnë edhe më tepër”, tha Victoria Nuland.

Ajo ka theksuar se, megjithatë, Shtetet e Bashkuara nuk do ta mbështesin propozim-rezolutën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që pritet të paraqitet në përgjigjje të ndërtimet të vendbanimeve të reja.

Ajo e ka përsëritur qëndrimin e gjatë të Shteteve të Bashkuara, që është i ngjashëm me atë të Izraelit, se negociatat direkte ndërmjet dy palëve janë e vetmja mënyrë për arritjen e zgjidhjes së qëndrueshme me dy shtete.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Victoria Nuland, ka kërkuar nga të dy palët, që tu kthehen bisedimeve direkte dhe të përmbahen nga aksionet e “njëanshme”, siç janë ndërtimi i vendbanimeve ose synimi për përmirësim të statusit në Kombet e Bashkuara.

Ne prapë u bëjmë thirrje Izraelit dhe palestinezëve që të mos ndërmarrin asnjë lloj të aksionit të njëanshëm, kundërproduktiv, dhe të marrin hapa konkretë për kthim në negociatat direkte”, tha Victoria Nuland.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ishin në mesin e nëntë vendeve, që votuan kundër rezolutës me të cilën Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e përmirësoi statusin e palestinezëve në OKB.

Shpallja e ndërtimit të vendbanimeve të reja u bë në kohën kur politikanët izraelitë po bëjnë fushatë për zgjedhjet parlamentare më 22 janar.

Hulumtimet e opinionit tregojnë se partia e krahut të djathtë e kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe aleatët e tij, me gjasë, do të fitojnë më së shumti vota.

Bisedimet për paqe ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve janë ndalur para dy vitesh, pasi palestinezët kishin kërkuar që Izraeli t’i ndalë aktivitetet për ndërtimin e vendbanimeve para vazhdimit të negociatave.

Izraeli e ka hedhur poshtë një kërkesë të tillë duke e vlerësuar atë si parakusht të papranueshëm. (f. b.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum

Përzgjedhja Jonë

Për një vit, priten një milion metra kub pyje

Kosova ka 460 mijë hektarë pyje. Rreth 80 për qind e lëndëve djegëse në vend kanë burim pyjet. Andaj, ekspertët thonë se pyjet në Kosovë nuk janë në nivel të kënaqshëm, derisa shtojnë se gjatë një viti priten rreth një million metra kub pyje.

Një milion euro për shëndetësi në veri

Qeveria e Kosovës ka ndarë 15 milionë euro për katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zubin Potokun dhe Zveçanin. Për sektorin e shëndetësisë janë ndarë 1 milion euro.

Si të vazhdosh jetën kur miqtë të martirizohen?

“Një nga gjërat më të vështira të xhihadit është kur e humbet një mik”, e pranon militanti çeçen i Shtetit Islamik, Musa Abu Yusuf Shishani, në një postim në rrjete sociale të publikuar së fundi.