E shtunë, shtator 20, 2014 Kosova 23:59

Shëndetësi

Hapësira humanitare në rrezik

Vaksinimi në Pakistan
Vaksinimi në Pakistan
Punëtorët e ndihmës kanë paralajmëruar për vite me radhë se duhet të operojnë të pavarur nga forcat ushtarake në Afganistan dhe Pakistan apo rreziku që nga lokalët dhe militantët të konsiderohen si pjesë e fushatës kundër kryengritësve.

Me sulmet në rritje kundër punëtorëve të ndihmës mjekësorë në Pakistan dhe Afganistan, këto paralajmërime bëhen edhe më të rëndësishme dhe më të justifikuara.

Pak ditë më parë, tetë punëtorë për vaksinimin e poliomielitit janë vrarë në Pakistan nga persona të armatosur.

Të shqetësuar për sigurinë e punëtorëve shëndetësorë, Organizata Botërore e Shëndetësisë, UNICEF-i dhe Qeveria e Pakistanit kanë ndaluar fushatën e imunizimit në terren, që synim ka pasur vaksinimin e miliona fëmijëve pakistanezë.

Punëtorët shëndetësorë në Afganistan dhe Pakistan i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ndjehen gjithnjë e më të kërcënuar si pasojë e operacioneve kundër militantëve në zonat ku operojnë. Ata thonë se militantët shpesh lidhin punëtorët e ndihmës me agjentë të inteligjencës dhe forca ushtarake.

Sarah Crowe, zëdhënëse e UNICEF-it, thotë se mbrojtja më e mirë për punëtorët e ndihmës është që “hapësira e tyre humanitare” të mbetet e pavarur nga forcat e armatosura.

Punëtorët shëndetësorë apo punëtorët e ndihmës, në këtë rast vaksinuesit e poliomielitit, duhet të jenë të mbrojtur në çdo kohë. Kjo do të thotë që hapësira në të cilën operojnë, duhet të mbetet e sigurt dhe jashtë çdo ndërhyrjeje politike. Kjo nuk u shërben vetëm punëtorëve shëndetësorë, por edhe fëmijëve që ata u shërbejnë. Andaj, është e rëndësishme që hapësira humanitare të mbetet e paprekur”, thotë Crowe.

Por, Mustafa Qadri, hulumtues në organizatën Amnesty International, thotë se operacionet ushtarake në Afganistan dhe Pakistan kanë mjegulluar vijën e dallimit midis punëtorëve humanitarë dhe ushtarëve.

Vija është mjegulluar – në Afganistan qysh nga përpjekjet për të përdorur punëtorët e ndihmës për të promovuar objektivat në një konflikt. Në Pakistan, ndërkohë, diska klerikë islamikë janë shprehur kundër programeve të imunizimit prejse një informator pakistanez i CIA-s ka krijuar një fushatë të rreme për imunizim ndaj hepatitit, për të gjetur Osama bin Ladenin”, thotë Qadri.

Militantët në Pakistan thonë se imunizimi është një skemë e Perëndimit dhe agjencive pakistaneze të inteligjencës për t’i spiunuar ata.

Luftëtarët talibanë kanë rrëmbyer dhe vrarë vazhdimisht punëtorë të ndihmës që nga 1 maji i vitit 2011, kur Forcat Speciale të Shteteve të Bashkuara kanë vrarë Osama bin Ladenin në Abotabad të Pakistanit.

Por, nuk është vetëm programi i rremë i imunizimit në Abotabad që ka ngritur shqetësimet e punëtorëve të ndihmës.

Një organizatë suedeze e ndihmës – Komiteti Suedez për Afganistanin – është në bisedime me zyrtarët e NATO-s në shtetin afgan, pasi NATO-ja dhe ushtarët e Armatës Kombëtare të Afganistanit kanë okupuar një klinikë shëndetësore në provincën Vardak, qysh në muajin tetor.

Grupi i ndihmës thotë se NATO-ja ka përdorur klinikën si qendër të ndalimit dhe marrjes në pyetje për tre ditë, ashtu si edhe për pozicion strategjik për të hedhur mortaja.

Drejtori i Komitetit Suedez, Andreas Stefansson, thotë se incidentet e tilla bëjnë që pacientët dhe stafi të humbasin besimin se qendrat mjekësore janë zona neutrale, të cilat respektohen nga palët në luftë.

Ne nuk do ta lejojmë këtë. Do të bëjmë presion, së bashku me aktorë të tjerë shëndetësorë, për të siguruar zgjidhjen e situatës”, thotë Stefanosson.

Zëdhënësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tarik Jashareviq, ka thënë se anulimi i programeve të imunizimit kërcënon të kthejë mbrapsht rezultatet drejt zhdukjes së poliomielitit në Pakistan, ku këtë vit janë raportuar 56 raste, krahasuar me 190 sa kanë qenë në vitin 2011.

Afganistani dhe Nigeria janë të vetmet vende ku sëmundja është endemike.(v.t.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum