E martë, shtator 02, 2014 Kosova 06:15

Aktuale

Viti 2012 me 54 fëmijë të braktisur

Ilustrim
Ilustrim
Në Kosovë këtë vit kanë qenë gjithsej  54 fëmijë pa përkujdesje prindërore.

Zyrtarë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se shumë prej tyre kanë shkuar në përkujdesje familjare, derisa 7 fëmijë kanë arritur t’i bashkojnë me prindër biologjik.

Por, sipas tyre 11 fëmijë ende vazhdojnë të mbeten në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në klinikën e gjinekologjisë.

Behxhet Gagjiqi, zyrtar në këtë ministri, jep më shumë hollësi:

Gjatë vitit 2012 janë gjithsej 54 fëmijë. Numri i fëmijëve të vendosur në strehim familjar është 43. Në strehim residencial, në SOS Fshatin e Fëmijëve janë 23. Në spital janë gjithsej 11 fëmijë të cilët së shpejti do të vendosur në strehim familjar, përmes qendrës për punë sociale. Me prindër të  tyre biologjik këtë vit janë bashkuar gjithsej 7 raste, dhe fëmijë të adoptuar janë gjithsej 30 gjatë këtij viti”.

Ajhana Abdurrahmani, drejtoreshë e projektit për strehim afatshkurtër dhe afatmesëm për fëmijët nevojtar në SOS Fshatin e Fëmijëve, deklaron për Radion Evropa e Lirë se këtë vit kjo qendër ka pranuar 17 fëmijë të rinj, derisa i njëjti institucion është përkujdesur për 40 fëmijë, prej të cilëve 11 janë adoptuar dhe 3 janë bashkuar me prindër biologjik.

Në qendrën tonë për vendosje afatshkurtër dhe afatmesme për fëmijë pa përkujdesje prindërore, numri aktual është 23 fëmijë. Gjatë vitit 2012 kemi dhënë përkujdesje për 40 fëmijë pa përkujdesje familjare, ku 17 fëmijë janë pranuar këtë vit. 17 fëmijë gjithashtu kanë dalë nga kujdesi alternativ, derisa 11 fëmijë janë adoptuar, dhe kanë qenë edhe 3 raste të ribashkimit me familje biologjike, derisa 2 janë adoptuar. Kapaciteti jonë për përkujdesje  është për  24 fëmijë”, shprehet Abdurrahmani.

Mirëpo, për të birësuar fëmijë, siç thonë zyrtarë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, duhet kaluar nëpër shumë procedura, të cilat ndodh të zgjasin deri në tre vjet.

Sipas zotit Gagjiqi, procedurat për birësim janë konform ligjit, dhe ekzistojnë dy lloj adoptimesh, ai vendor dhe ndërkombëtar.

Procedurat për adoptim janë të parapara konform ligjit. Gjithkush nuk mund të adoptojë fëmijë. Janë kritere të specifikuara dhe në bazë të tyre zhvillohen procedurat për adoptim. Kemi dy lloj formash të adoptimit, ajo vendore dhe ndërkombëtare. Adoptimin ndërkombëtar mund të bëhet vetëm te fëmijët me aftësi të kufizuara, ndërkaq vendorë, janë fëmijët që në aspektin fizik dhe mendorë, janë të shëndoshë”, thekson Gagjiqi.

Sidoqoftë, psikologët në vend thonë se rëndësia e birësimit deri në moshën njëvjeçare është shumë e madhe.

Sipas statistikave botërore, është evidente që edhe vdekshmëria foshnjave është më e madhe nëse nuk gjendet një nënë që do t’i ofrojë përkujdesje fëmijës.

Në anën tjetër, edhe familja birësuese që vendos të marrë një fëmijë, duhet të jetë e pjekur dhe të dijë si t’i mënjanojë pasojat në të ardhmen, të cilat fëmija mund t’i bartë nga fakti që familja e tij nuk është familja biologjike.

Ariana Kasapolli - Selani

arianakasapolli+gmail.com

Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum