E mërkurë, shtator 17, 2014 Kosova 17:34

Rajoni

Zgjedhjet në Maqedoni: Komunat ankohen për vetëfinancimin

Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Me ndryshimet e fundit të Kodit zgjedhorë, tani komunat e Maqedonisë janë të obliguara t’i shlyejnë detyrimet financiare dhe pagesat ndaj komisioneve zgjedhore lokale, si dhe harxhimeve tjera përcjellëse.

Me këtë rast, tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme për pushtetin vendor, Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) në Maqedoni, ka informuar komunat se ato do të bartin harxhimet dhe financimin e komisioneve dhe këshillave zgjedhorë në zgjedhjet e ardhshme lokale 2013.

Njëherësh, Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka përcaktuar dhe buxhetin se sa do të duhet të ndajnë komunat, lidhur me organizimin dhe financimin e komisioneve zgjedhore në të gjitha nivelet në planin komunal.

Por, kryetarët e komunave, veçanërisht ata rurale, thonë se e kanë të vështirë të përballen me shpenzimet plotësuese, ngase buxheti i tyre është tepër i cekët për obligime shtesë.

“Duke pasur parasysh se më çfarë problemesh financiare ballafaqohen komunat rurale, ata nuk mund të ballafaqohen sigurimin e mjeteve shtesë për zgjedhje. Madje, ne me shkrim e kemi njoftuar edhe Komisionin Shtetëror Zgjedhor se nuk kemi mundësi t`i sigurojmë këto mjete, sepse përballemi me problemet për ekzistencën e funksionimit të komunës”.

“Ne, me këtë buxhet, mezi arrijmë t`i mbulojmë rrogat e administratorëve, mos të flasim për realizimin e projekteve kapitale”
, shprehet kryetari i Komunës së Haraçinës së Shkupit, Basri Bajrami.

Edhe kryetari i Komunës së Zhelinës, rrethi i Tetovës, Fatmir Izeiri, thotë se mjetet nuk janë të shumta që për komunat rurale sillet nga 1 deri 2 .5 milionë denarë, gjegjësisht rreth 15 mijë deri mijë 40 mijë euro, por për komunat rurale paraqesin problem për t’u siguruar:

“Deri më tani ne, si komuna, nuk jemi ndeshur me këtë obligim shtesë për pushtetin vendor dhe të njëjtat nuk i kemi paraparë në buxhet, por ne do të duhet ta tejkalojmë këtë problem, sepse e kemi patjetër t`i realizojmë zgjedhjet, edhe pse mendoj se këto shpenzime do të ishte më mirë t`i takojnë buxhetit të Qeverisë ose Komisionit Shtetëror për Zgjedhje”.

Por, Saubi Jakupi, nënkryetar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, thotë se komunat janë njoftuar me kohë për të planifikuar mjetet e parapara për realizimin e zgjedhjeve lokale, që parashihet të mbahen në mars të vitit 2013.

“Unë kam sugjeruar komunat, të cilat kanë probleme financiare, të kërkojnë mjete shtesë nga vetë buxheti shtetërorë që t`u ndahen mjete plotësuese. Por, atë punë duhet ta bëjnë vetë ato”.

“Prandaj, edhe një herë e theksoj se pavarësisht si e kanë statusin e tyre në llogaritë rrjedhëse, ata duhet të angazhohen të gjejnë mënyra për ta zgjidhur këtë çështjen e problemit të financave dhe të jenë të gatshme për mirëvajtjen e zgjedhjeve. Në të kundërtën do të pasojnë sanksione për ato komuna”,
sqaron Jakupi.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum