E shtunë, gusht 23, 2014 Kosova 01:36

Shtypi botëror

National Interest: Evropa Perëndimore vs. Liritë fetare

Ilustrim
Ilustrim
Kur shumica e njerëzve paramendojnë Evropën Perëndimore, ata shohin një demokraci të themeluar mirë, ku liritë themelore mbrohen fuqishëm. Për pjesën më të madhe, ky portret është i saktë. Megjithatë, kur është fjala për lirinë fetare, viti dhe dekada e kaluar janë përshkuar me tendenca, që sfidojnë këtë imazh, thuhet në një artikull të “National Interest”.

Derisa vitit 2012 i afrohet fundi, një numër i vendeve vazhdojnë të kufizojnë praktikën dhe shprehjen fetare, që nga veshja fetare e deri te ritualet themelore jetësore, siç është synetia.

“Kufizimet e tilla, jo vetëm që kompromentojnë të drejtat e mbrojtura ndërkombëtarisht, por ato nxisin një mjedis, në të cilin njerëzit fetarë dhe anëtarët e pakicave fetare, ndjehen si të huaj në shtëpitë e tyre. Këto shkelje janë çuditërisht të përhapura”, thuhet në artikull.

Për shembull, Franca dhe Belgjika ndalojnw studentët në shkollat shtetërore dhe punëtorët e qeverisë që të veshin “simbole të dukshme fetare”, ndalojnë shaminë islame, çallmën, kryqet e mëdha të krishtera, dhe kapelwn hebraike.

Franca dhe Belgjika tash ndalojnë mbulesën e tërësishme në publik, ndërsa Zvicra, Holanda dhe shtete tjera evropiane kanë diskutuar për ndalime të ngjashme. Kufizimet mbi veshjet islamike, ekzistojnë në disa shtete zvicerane dhe gjermane për mësuesit, shkruan NI.

Suedia, Zvicra, Norvegjia, dhe Islanda ka kohë që e kanë ndaluar therjen e kurbanit, siç njihet te hebrenjtë si kosher, dhe të myslimanët hallall.

Pas protestave në Gjermani këtë vit kundër një vendimi të gjykatës më të ulët për të kriminalizuar synetinë, Parlamenti gjerman po shqyrton një ligj që e lejon këtë praktikë.

Përpjekjet kundër synetisë, vazhdojnë në pjesët e tjera të Evropës.

Partia e Qendrës e Norvegjisë, një parti e vogël në parlament, ka kërkuar që synetia të kriminalizohet, derisa Ombudspersoni për fëmijë, ka sugjeruar se myslimanët dhe hebrenjtë të zëvendësojnë synetinë me një “një ritual simbolik, jo-kirurgjikal.”

Në Gjermani dhe Suedi, autoritetet qeveritare iu kanë thënë prindërve të krishterë dhe hebraikë, se nuk mund t’i mësojnë në shtëpi fëmijët për arsye fetare, thuhet në artikull.

Zyrtarët qeveritarë në Mbretërinë e Bashkuar kanë shtyrë mbylljen e agjencive katolike të adoptimit, për shkak se ndiqnin kritere fetare në vendosjen e fëmijëve në familjet birësuse.
Çfarë po e shkakton këtë rritje të kufizimeve?

Të paktën dy faktorë janë në lojë - njëri historik dhe tjetri demografik.

Faktori i parë, fatkeqësisht është historia e Evropës Perëndimore dhe e shtetit të madh fetar.

Rritja e shteteve laike bëri shumë pak për të ndryshuar idenë e monokulturës fetare - thjesht vetëm u përfshi edhe sekularizmi si një nga monokulturat.

Faktori i dytë është diversiteti fetar në rritje i rajonit, duke përfshirë një popullsi në rritje të myslimanëve. Veshjet dalluese të myslimanëve konservatorë, kanë ushqyer frikën nga “tjetri”, si dhe dyfishimin e kundërshtimit ekzistues ndaj shprehjes publike fetare.

Ndërsa, qeveritë përmendin nevojën për sigurinë kombëtare, kufizimet në lirinw e shprehjes fetare, rrezikojnë të sjellin një rezultat të kundërt, thekson artikulli.

Ato nxisin një hendek ndërmjet qeverive dhe qytetarëve myslimanë, duke shuar shpresat për bashkëpunimin aq të nevojshëm për të parandaluar radikalizimin dhe promovon asimilimin e vlerave demokratike dhe të identitetit në komunitetet myslimane.

Përpjekjet për t’i mbrojtur vlerat e përcaktuara, ligjet qeveritare dhe politikat duke ndaluar shprehjet fetare dhe praktikat specifike, shkelin të drejtat e njeriut.

Veprimet e tilla sfidojnë standardet e njohura ndërkombëtare të lirisë fetare të përcaktuara në traktatet e Kombeve të Bashkuara dhe të mbrojtura edhe nga dokumentet evropiane për të drejtat e njeriut nga Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe procesi i  Helsinkit.

Këto standarde garantojnë të drejtën jo vetëm të besimit, por edhe të manifestimit të tij, individualisht ose në bashkësi me të tjerët, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, riteve, praktikave dhe mësimdhënies.

Kufizimet në rritje në praktikën fetare dhe të shprehjes në Evropën Perëndimore lindin nga inkurajimi i një klime të mostolerancës ndaj grupeve fetare.

Myslimanët, në disa raste, dukshëm janë në shënjestër. Kjo atmosferë gjithnjë e më armiqësore shkakton diskriminim privat, dhe ndonjëherë edhe dhunë, kundër anëtarëve të këtyre grupeve, thuhet në artikull.

Nëse llamba e lirisë duhet të mbahet e ndezur, evropianët perëndimorë duhet të pranojnë se epoka e konformitetit për monokulturë zyrtare -laike ose fetare-është para fundit.

Në vitin e ardhshëm, këto shtete duhet të përqafojnë diversitetin e tyre fetar dhe ta akordojnë lirinë fetare për të gjithë, shkruan “National Interest”.

Përgatiti: Albana Isufi