E shtunë, nëntor 01, 2014 Kosova 09:58

Aktuale

Obama: Kerry gëzon respekt në mbarë botën

Presidenti Barack Obama dhe senatori i nominuar  John Kerry
Presidenti Barack Obama dhe senatori i nominuar John Kerry
RFE /RL
Presidenti amerikan, Barack Obama, u shpreh krenar për zgjedhjen e tij të John Kerryt për sekretar amerikan të Shtetit.
   
“Jam shumë krenar për ta shpallur zgjedhjen time për sekretarin e ardhshëm të Shtetit të Amerikës, John Kerry. Në një kuptim, e tërë jeta e Johnit e ka përgatitur atë për këtë rol”.

“Si djalë i shërbyesit të shërbimit të jashtëm, ai ka respekt të thellë për meshkujt dhe femrat e Departamentit të Shtetit, për rolin që ata e luajnë në avancimin e interesave dhe vlerave tona, rrezikun që ata e marrin dhe sakrificat që ata i bëjnë së bashku me familjet e tyre”
, tha Obama, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Presidenti Obama deklaroi se i nominuari i tij për sekretar të ardhshëm të shtetit, senatori John Kerry, është një personalitet, që ka fituar respektin e liderëve në mbarë botën.

“Gjatë këtyre shumë viteve, John e ka fituar respektin dhe besimin e liderëve në mbarë botën. Atij nuk do t’i duhet shumë stërvitje për këtë punë. Ai e ka fituar respektin dhe besimin e kolegëve të tij në Senat, të republikanëve dhe demokratëve”.

“Mendoj se është korrekte të thuhet se pak individë njohin aq shumë presidentë dhe kryeministra ose kanë zotërim të tillë për politikën tonë të jashtme si John Kerry. Kjo e bën atë zgjedhje perfekte për ta udhëhequr diplomacinë amerikane në vitet e ardhshme”
, tha të premten mbrëma Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, duke e nominuar senatorin John Kerry për sekretar amerikan të ardhshëm të Shtetit.

Kerry, theksoi Obama, duhet ta ketë parasysh se Amerika po e kthen faqen e dekadës së luftës.

“Derisa ne e kthejmë faqen e dekadës së luftës, ai e kupton se ne duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha elementet e fuqisë amerikane dhe të sigurojmë se ato po punojnë së bashku”, theksoi Obama.

Aktualisht, sekretare amerikane e Shtetit është Hillary Clinton, e cila kishte kërkuar nga presidenti Obama, që ta zëvendësojë atë.

Nominimi i John Kerryt u bë vetëm disa ditë, pasi ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Susan Rice, u tërhoq nga gara për këtë post, pas kritikave të ashpra nga anëtarët e Partisë Republikane në Senatin e Shteteve të Bashkuara.

Analistët konsiderojnë se zoti Kerry, që aktualisht është kryesues i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie të Jashtme, me lehtësi do ta kalojë konfirmimin nga kolegët e tij në Senat.

John Kerry ishte kandidati demokrat për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashuara në vitin 2004.

Ai ishte mbështetës kryesor i nismave të politikës së jashtme të presidentit Barack Obama në Kongres. (f. b.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum