E premte, tetor 24, 2014 Kosova 18:08

Rajoni

Maqedoni: Bllokohet miratimi për buxhetin, vazhdon debati

Pamje nga takimet për buxhetin
Pamje nga takimet për buxhetin
Debati në Komisionet parlamentare rreth propozim-buxhetit ka vazhduar edhe të shtunën, por pa ndonjë marrëveshje konkrete për zhbllokimin e situatës që mund të rezultojë me mosmiratimin e buxhetit këtë vit, pasi opozita nuk heq dorë nga amendamentet për shkurtimin e 204 milionë eurove nga buxheti që janë paraparë të merren në formë të huas nga Banka Botërore.

Opozita konsideron se këto para do të përdoren për zgjedhjet lokale dhe promovime tjera të partive në pushtet, në kohën kur vendi po përballet me krizë të thellë ekonomike, andaj për pamundësinë e miratimit të tij, ka propozuar mbi 1 mijë 200 amendamente.

Më shumë se 400 janë propozuar nga Izet Zeqiri, deputet i opozitës shqiptare, i cili kërkon destinim të fondeve buxhetore për zhvillimin edhe të zonave të banuara me shqiptarë.

Partitë pushtet kanë hedhur poshtë pretendimet e këtilla, duke thënë se buxheti nuk është diskriminues dhe se 204 milionë eurot janë paraparë për financimin e projekteve zhvillimore.

Duke komentuar pozicionet e këtilla dhe debatin polemizues të përcjellë me fyerje dhe kërcënime fizike, ekspertët thonë se kjo flet për nivelin tejet të ulët të komunikimit të klasës politike në vend, nga i cili do të humbin të gjithë, e më së shumti qytetarët, të cilët presim standard më të mirë jetësor.

“Rezultati përfundimtar është humbës për Republikën e Maqedonisë, në të gjitha aspektet. Kjo flet për kapacitetin e vetë institucioneve, por edhe më gjerë për një kulturë të ulët politike, e cila ka bërë tashmë folenë e saj në Maqedoni, apo është bërë praktikë në një periudhë më të gjatë kohore”.

“Kjo është e papranueshme pasi partitë kanë për obligim të punojnë për interesat e qytetarëve, e jo për interesat e tyre personale apo të grupeve të caktuara”,
thotë profesori Ilija Acevski.

Nga ana tjetër, Zoran Vitanov, ish-zëvendësministër i Ekonomisë thotë se në rast se buxheti nuk miratohet deri më 31 dhjetor, atëherë do të veprohet në bazë të dispozitave ligjore për financimin e përkohshëm të pagave, pensioneve dhe të ndihmave sociale deri në miratimin e buxhetit të ri.

“Ka mekanizma, ka metoda, kjo nuk është kontestuese, por jo në pafundësi pasi do të paraqiten probleme të theksuara me likuiditetin e shtetit. Situata e tanishme është joserioze, si për pushtetin ashtu edhe për opozitën. Është e drejtë legjitime e opozitës që të kundërshtojë, por deri në një masë të caktuar pasi nëse veprohet kështu siç po ndodh, dëmet do të jenë të mëdha, do të pësojnë qytetarët. Pra, partitë duhet të gjejnë zgjidhje, të lënë anash interesat partiake dhe të miratojnë buxhetin”, vlerëson Vitanov.

Deri tani grupet parlamentare kanë mbajtur disa koordinime në Kuvend për të dalë nga gjendja e krijuar, por asnjëra prej tyre nuk ka dhënë rezultate, madje opozita ka dalë me parashikime se pushteti, sipas saj, është duke përgatitur një skenar të zi për miratimin e buxhetit jashtë procedurave parlamentare, që amendamentet e tyre të shqyrtohen nga qeveria pa debat në trupat kuvendore.

Duke komentuar këtë, Osman Kadriu, ekspert juridik, thotë se një veprim i tillë nëse ndodh, do të ishte kundër-kushtetues.

“Në qoftë se nuk përfillen këto amendamente, mendoj të diskutohen dhe të votohet për to, kjo nuk domethënë edhe të pranohen nga shumica parlamentare, por duhet që propozuesve t'iu mundësohet që të diskutohet për amendamentet”.

“Çdo formë tjetër do të ishte joligjore, jokushtetuese që do të çonte në përkeqësimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes partive dhe të krizës, në të cilin ndodhet tani Kuvendi dhe vet shteti”,
thekson Kadriu, duke shtuar se kriza mund të tejkalohet vetëm me marrëveshje politike, pasi për të diskutuar të gjitha amendamentet do të nevojiteshin muaj të tërë debat në Kuvendin e Maqedonisë.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum