E shtunë, gusht 02, 2014 Kosova 10:35

Kronika

Viti i kërcënimeve ndaj gazetarëve

Viti 2012 ka qenë mjaftë i vështirë për gazetarët në Kosovë, të cilët kanë vazhduar të jenë cak i kërcënimeve, e në disa raste edhe i sulmeve fizike nga autoritetet shtetërore, si dhe grupet e caktuara të interesit, ka vlerësuar Asociacioni i Gazetarëve Profesionist të Kosovës.

Në një përmbledhje të paraqitur para mediave nga kryetari i AGPK-së, Arbën Ahmeti, u tha se gjatë këtij viti janë shënuar 24 raste, për të cilat Asociacioni është detyruar të reagojë publikisht për shkak të kërcënimeve dhe pengesave serioze që u janë bërë gazetarëve dhe mediave në punën e tyre.

Ahmeti tha se këto 24 raste janë evidentuar si ndërhyrjet më të paskrupullta. Pesë prej tyre ishin sulme fizike ndaj gazetarëve, kurse në dhjetë raste kërcënime serioze.

“Në 24 raste i bie që me mesatare del se në çdo muaj kemi pasur nga 2 gazetarë si subjekt të pengesave e kërcënimeve të ndryshme. Por, sa u përket rasteve të kërcënimeve, kishim atë të gazetës ‘Express’ me hedhje bombe, pastaj kërcënimin ndaj gazetarit të gazetës ‘Koha Ditore’, Vehbi Kajtazi me prerje koke, si dhe raste kur grupe të caktuara kanë kërcënuar gazetarët, e këto janë raste që ne i vlerësojmë si shumë të ndjeshme për shkak se rreziku i realizimit të veprës është shumë i madh”, u shpreh Ahmeti.  

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë ka kritikuar qasjen e institucioneve në raport me mediat, duke vlerësuar se ka një jo transparencë dhe mungesë bashkëpunimi.

Institucionet si edhe grupet tjera të interesit nga bota e biznesit, ende nuk kanë krijuar kulturë bashkëpunimi me median, theksoi Ahmeti.

“Viti 2012 nuk shënon aspak progres në çështjen e transparencës së institucioneve. Sa për ilustrim, të potencojmë që Qeveria e Kosovës vazhdon të mos ketë zëdhënës, kurse gazetarët e Kosovës vazhdojnë të mos kenë qasje në dokumentet zyrtare dhe për më shumë kemi raste konkrete kur janë munduar që edhe vendimet që janë publike të fshihen para medieve”, ka thënë Ahmeti.

Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet gazetarëve dhe mediave, Asociacioni i Gazetarëve ka vlerësuar, po ashtu, si sukses të përbashkët heqjen e neneve 37 dhe 38 nga Kodi Penal, të cilat shiheshin si pengesë serioze në punën e medias dhe gazetarëve.

Zijadin Gashi

zijadin.gashi+gmail.com

Zijadin Gashi, i lindur më 01 janar 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001.
Twitter
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum