E martë, korrik 22, 2014 Kosova 23:33

Aktuale

Platforma "e vonuar" serbe

Mitrovicë (Foto nga arkivi)
Mitrovicë (Foto nga arkivi)
Platforma për Kosovën përmban anët pozitive, por edhe ato, me të cilat serbët e Kosovës nuk mund të jenë të kënaqur.

Kështu vlerësojnë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, disa prej të cilëve më 21 dhjetor janë takuar me kryetarin e Serbisë, Tomisllav Nikolliq, për t’u njoftuar me përmbajtjen e  platformës për Kosovën që autoritetet serbe e kanë prezantuar.

Kryetari paralel i Fushë Kosovës, Stevica Laziq, thotë se platforma përmban atë që serbëve të Kosovës ua garanton mbijetesën në Kosovë.

“Në masë të madhe jemi të kënaqur. Është përfshirë mjaft nga ajo që ne kemi pritur dhe që e garanton mbetjen e serbëve në Kosovë. Nuk mund të flas për detajet. Me kryetarin kemi folur më shumë për problemet që i kemi, në mënyrë që ai ta ketë një pasqyrë të qartë”.

“Sa i përket platformës, pasi që ta analizojmë, do të kemi mbledhje të të gjitha komunave të Kosovës dhe qëndrimin tonë përfundimtar do t’ia japim kryetarit në formë të shkruar“, thotë Llaziq.

Serbët e Kosovë në takimin me Nikoliqin për platformënSerbët e Kosovë në takimin me Nikoliqin për platformën
x
Serbët e Kosovë në takimin me Nikoliqin për platformën
Serbët e Kosovë në takimin me Nikoliqin për platformën
Snezhana Paunoviq, e ashtuquajtur koordinatore e komunës së Deçanit, ka theksuar se janë njoftuar me përmbajtjen e platformës për Kosovën dhe se gjatë ditëve të ardhshme do të shqyrtohet ajo dhe më pas, përfaqësuesit e serbëve do të takohen edhe një herë me kryetarin serb, Nikolliq.

“Ne besojmë në draftin e platformës, të cilin e ka menduar dhe propozuar shteti dhe ne besojmë në udhëheqësin tonë. Nuk kemi arsye që të dyshojmë në tekstin e platformës, por unë nuk do të hyj tash në detaje“, shprehet Paunoviq.

Në anën tjetër, të ashtuquajturit kryetarë paralel të komunave të veriut, të cilët kanë marrë pjesë në takimin me kryetarin serb Nikolliq, me gjithë përpjekjet, nuk ka qenë e mundur që të kontaktohen.

Por, Marko Jakshiq, lider i serbëve të veriut të Kosovës dhe deputet në Kuvendin e Serbisë nga radhët e Partisë Demokratike Serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë se platforma për Kosovën, të cilën ë kanë prezantuar autoritetet serbe, përmban aspekte që i kënaqin serbët e Kosovës, por edhe aspektet, që sipas tij, nuk janë të mira.

Sidoqoftë, ai shpreh mendimin se megjithatë, kjo platformë është e vonuar:

“Domethënëse është se platforma është shkruar për një kohë më të gjatë se sa që është nevojitur. Përshtypja ime është se është pritur që të vendosen kufijtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë qendrore dhe më pas kryetari i Serbisë ka dalë me platformën”.

Marko JakshiqMarko Jakshiq
x
Marko Jakshiq
Marko Jakshiq
Jakshiq shton se ekzistojnë një mori të metash në këtë platformë.

“Të metat kryesore, të cilat serbët i konsiderojnë në këtë platformë, janë se në të nuk qëndron në mënyrë të fortë dhe bindëse që Kosova është pjesë e shtetit të Serbisë dhe në një mënyrë nuk i përmbahet Rezolutës 12 44 ose rëndësia e saj nuk potencohet në mënyrë bindëse”.

“Kësaj i shtohet edhe mungesa e asaj që kishin tërhequr vërejtjen serbët e veriut, të cilët kishin thënë se dëshira e tyre është që bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të mos mbahen në Bruksel, por në nivelin e Këshillit të Sigurimit”
, thekson Jakshiq.

Por, sipas tij, aspekti më pozitiv brenda platformës serbe, është ajo që është thënë se nuk do të ketë më vazhdim të bisedime teknike, përderisa nuk zhvillohen bisedime gjithëpërfshirëse, si dhe principi që nëse nuk arrihen marrëveshjet për të gjitha çështjet, nuk do të vlejë asnjë marrëveshje.

Bekim Bislimi

beka.bislimi+gmail.com

Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum