Ndërlidhjet

Miratohet buxheti kundërthënës në Maqedoni


Tensione në Shkup
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:57 0:00

Shkup...

Pas dyerve të mbyllura në Kuvendin e Maqedonisë, deputetët e partive në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI, miratuan buxhetin për vitin 2013, pasi paraprakisht nxorën jashtë sallës përfaqësuesit e mediave dhe deputetët e opozitës maqedonase.

Me 65 vota pro dhe me 4 kundër, konstatoj se Kuvendi i Maqedonisë miraton projektbuxhetin e vitit 2013”, kumtoi kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Trajko Veljanovski, me ç’rast deputetët e shumicës parlamentare kanë përshëndetur me duartrokitje, siç kanë thënë, miratimin e dokumentit më të rëndësishëm financiar të shtetit.

Kundër miratimit të buxhetit votuan vetëm deputetët e Partisë Demokratike Shqiptare.

Bekim Fazliu nga kjo parti, e ka cilësuar buxhetin në fjalë si antishqiptar me ç’rast i ka akuzuar dy partitë në pushtet, VMRO-DPMNE dhe BDI, se po miratojnë buxhet që nuk i trajton në formë të barabartë të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

Brenda Kuvendit të Maqedonisë
Brenda Kuvendit të Maqedonisë
Ky buxhet paraqet vjedhjen e pasurisë së shqiptarëve, në këtë propozim buxhet është djersa dhe mundi i shqiptarëve, sepse shqiptarët kontribuojnë me mbi një miliardë euro për mbushjen e buxhetit. Që kur është ky koalicion VMRO-DPMNE dhe BDI, katër vite me radhë janë mbledhur nga një miliard euro dhe kur vjen puna të shpenzohen këto mjete, asnjë cent nuk shkon për shqiptarët”, tha Fazliu.

Seanca për buxhetin u mbajt pa opozitën maqedonase, pasi deputetët e LSDM iu bashkëngjitën masës së protestuesve.

Lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski para disa mijëra protestuesve ka deklaruar se do të qëndrojë para parlamentit deri sa të jetë e nevojshme për të mbrojtur Kushtetutën dhe shtetin juridik.

Ne jemi në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të Kushtetutës dhe shtetit juridik. Ne jemi në mbrojtje të krejt asaj që qeveria përmes këtij skenari dëshiron ta shkel. Në rast se kjo kalon, në Maqedoni nuk do të ketë më demokraci. Pikërisht këto Gruevski dëshiron t’i shkatërrojë. Në qoftë se kjo i lejohet, Maqedonia më nuk do të jetë shtet demokratik dhe në të nuk do të ketë parlamentarizëm”, ka deklaruar Cërvenkovski.

Ai madje situatën aktuale e ka krahasuar me atë të Serbisë në kohën e rënies së Millosheviqit.

Për fat të keq, në vend se të vetëdijesohet, ai e ka marrë rolin e Millosheviqit, nxit popullin kundër njëri-tjetrit me qëllim që të shkaktojë incidente dhe tensione. Në qoftë se e ai ka vendosur të jetë Sllobodan Millosheviq, do ta marrë edhe ai 5 tetorin e tij”, është shprehur para protestuesve Branko Cërvenkovski.

Por partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE-ja, i është kundërpërgjigjur përmes jë reagimi me shkrim duke nënvizuar se “ sot tentativa e Cërvenkovskit për grushtshtet ka dështuar, i cili bashk me deputetët e LSDM-së suspenduan demokracinë në shtet”.

Ka reaguar edhe kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë Naser Selmani, ndaj dëbimit me forcë të gazetarëve nga ana e shërbimeve të sigurimit të Kuvendit.

Ai tha se “kjo larje hesapesh me gazetarët përbën imazhin më të keq të shtetit”.

Sot në mënyrë brutale me përdorimin e dhunës, sigurimi i parlamentit në mënyrë të dhunshme na pengoi që të kryejmë obligimet tona profesionale. Derisa deputetët ishin në sallë, derisa shumica e deputetëve të pushtetit, të partive në pushtet janë në sallë dhe në një mënyrë parlamenti është në seancë”.

Ata pa asnjë arsye erdhën dhe na dëbuan nga galeria për të mos mundur të ndjekim punën e parlamentit. Ata që sot dhanë urdhër që në këtë mënyrë të dhunshme të përballen apo të qërojnë hesapet me mediat dhe gazetarët dërguan një imazh shumë të keq për Maqedoninë”, është shprehur Selmani.

Ndryshe, paradite para Parlamentit të Maqedonisë janë lënduar disa protestues nga gurët dhe drunjtë e hedhur mes dy grupeve të protestuesve, të parët që protestojnë në mbrojtje të opozitës LSDM-së që të mos sillet buxheti për vitin 2013, pasi siç ka deklaruar lideri i opozitës maqedonase Branko Cërvenkovski, ky buxhet është i destinuar për rritjen e rejtingut të kryeministrit Gruevski dhe investime jo kapitale.

Grupi tjetër i protestuesve i ka dalë në mbështetje VMRO-DPMNE-së, duke protestuar kundër protestës së të parëve.

Përplasje fizike ka pasur edhe brenda Kuvendit.

Në tentimin e deputetëve të VMRO-DPMNE-së për të hyrë në sallën plenare përmes derës alternative, ka reaguar turma e mbledhur e deputetëve të LSDM-së, me ç’rast ka ardhur deri te përplasja fizike mes deputetëve të opozitës dhe pozitës, kur këta të parët tentuan të bllokojnë foltoren e parlamentit për të pamundësuar mbajtjen e sencës për miratimin e buxhetit.

Opozita kundërshtoi miratimin e buxhetit për shkak të refuzimit të kërkesës së saj për shkurtimin e mbi 200 milionë eurove që beson se qeveria do t’i destinojë për harxhime promovuese dhe projekte jofitimprurëse.
XS
SM
MD
LG