E dielë, nëntor 23, 2014 Kosova 01:45

Rajoni

Shkeljet e pritshme të Kushtetutës

Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë
Të hënën në Maqedoni është suspenduar demokracia.

Kështu komentojnë analistët dhe ekspertët për çështje juridike ngjarjet në Kuvendin e Maqedonisë ku shumica parlamentare me dhunë miratoi buxhetin për vitin 2013, pasi më parë deputetët e opozitës me forcë u larguan nga salla e Kuvendit nga forcat e sigurimit.

Fejzi Hajdari, analist dhe botues i gazetës “Lajm” thotë se pamjet që u transmetuan në thuajse të gjitha mediat botërore, flasin qartë se në Maqedoni më nuk funksionojnë institucionet demokratike.

Vlerësoj se ndodhi diçka që edhe pritej. Ajo që ndodhi dje në fakt ishte manifestim final i simptomave të një regjimi diktatorial që në Maqedoni nuk është vendosur brenda natës, por prej më herët”, thotë Hajdari.

Ngjashëm vlerëson edhe analisti, Zdravko Savevski.

Ajo që dje ka ndodhur ishte një tentim i opozitës për të realizuar të drejtën e protestës të garantuar me kushtetutë kurse interpretimit i kryeministri Nikolla Gryuevski se bëhet fjalë për tentim të dështuar për grusht-shtet nuk është gjë tjetër pos mohim i demokracisë dhe i standardeve të vendosur përfshirë edhe të drejtën e protestës”.

Ai topin për shkeljen e demokracisë në vend tenton që t'ia hedh opozitës. Mënyra që përdori pushteti për të zgjidhur krizën e buxhetit dëmton demokracinë në vend, prish imazhin e vendit në përgjithësi”,thotë Savevski duke shtuar se opozitës si mundësi për të kontestuar buxhetin i mbetet Gjykata Kushtetuese, por, edhe kjo sipas tij vështirë se do të kalojë, duke marrë parasysh faktin se tani edhe institucioni më i lartë i gjyqësisë në vend kontrollohet nga partitë në pushtet.

Savevski nuk pret ulje të tensioneve, përkundrazi përshkallëzim të mëtejmë, duke marrë parasysh faktin se vendi ndodhet edhe afër mbajtjes së zgjedhjeve lokale të parapara për në mars të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, Ruhi Bakiu, ekspert për çështje kushtetuese, thotë se në Maqedoni dje është shkelur demokracia ndërsa aktin e miratimit me dhunë të buxhetit e vlerëson si veprim skandaloz dhe kundër kushtetues.

Konflikti që ndodhi dje mes pozitës dhe opozitës ishte skandaloz. Nuk mund ju të miratoni çështje financiare që kanë të bëjnë me të gjithë qytetarët me dhunë, ashtu siç ka vepruar opozita në Kuvend”, thotë Ruhi Bakiu, ekspert për çështje juridike.

Ndërkohë, analisti dhe botuesi gazetës “Lajm”, Fejzi Hajdari kritikon edhe heshtjen e partive e partive shqiptare.

“Është shumë e gabuar përshtypja se dje brenda dhe jashtë Kuvendit kanë ndodhur probleme mes maqedonasve pasi buxheti i miratuar sa është në dëm të opozitës maqedonase mendoj se dhjetë herë më shumë i dëmshëm për shqiptarët. Prandaj, paraqitja e partive politike shqiptare në rolin e statistit apo figurantit nuk mund të sqarohet me asgjë tjetër pos me faktin se ndoshta ato janë peng i partisë maqedonase në pushtet të kryeministrit Nikolla Gruevski”, thotë Hajdari.

Nga ana tjetër, kryeministri Nikolla Gruevski në paraqitjen e mbrëmshme në televizionin publik tha se ngjarjet në Kuvendin e Maqedonisë dhe jashtë tij ishin “tentim i parë i pasuksesshëm që me dhunë të shkatërrohen institucionet demokratike dhe pushteti i zgjedhur në rrugë legjitim”.

Rrëfimi për Buxhetin, sipas Gruevskit, ishte vetëm një “paravan i Branko Cërvenkovskit, i cili filloi betejën e tij të fundit personale për mbijetesë në politikë”.

Ndërkohë, lideri i opozitës, akuzoi pushtetin aktual për shkatërrimin e vendit dhe instalimin e diktaturës. LSDM-ja ka vendosur largimin e deputetëve të saj nga Kuvendi ndërsa ka ftuar në mos-dëgjueshmëri qytetare që nënkupton refuzimin e të gjitha pagesave dhe të obligimeve tjera ndaj shtetit.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum