E martë, tetor 21, 2014 Kosova 10:41

Rajoni

Maqedoni: Gazetarët ankohen për dhunën

Gazeta maqedonase
Gazeta maqedonase
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, dorëzoi të mërkurën në dikasterin e policisë një ankesë lidhur me ushtrimin e dhunës kundër gazetarëve në galerinë e Parlamentit.

Kryetari i shoqatës së gazetarëve Naser Selmani ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se përmes kësaj ankese synohet që MPB-ja të identifikojë personat që dhanë urdhrin për të ushtruar dhunë kundër gazetarëve.

Ajo që tani ne kërkojmë është që institucionet e shtetit të veprojnë dhe të mos lejojnë që kjo ngjarje e pashembullt të kalojë pa sanksione, ne sot do t’u drejtohemi të gjitha institucioneve duke u dhënë një rast që të shpëtojnë fytyrën e pushtetit”, vlerëson Selmani.

Ai shton se tani radhën për veprim e kanë institucionet.

Sipas tij, nuk guxon të lejohet që të kalojë pa u sanksionuar kjo sjellje e pahijshme, e cila ndodhi në Parlament me dëbimin e gazetarëve të cilët ndiqnin seancën e së hënës për buxhetin e Maqedonisë.

Selmani është shprehur optimist se me një reagim të shpejtë, institucionet do të shpëtojnë në një mënyrë kredibilitetin e tyre dhe do të ndihmojnë në përmirësimin për të mirë të imazhit të keq që u krijua në opinionin ndërkombëtar për sjelljen e policisë ndaj gazetarëve.

Pa mos u zbardhur tërësisht ky rast dhe të mësohet kush është përgjegjës për këtë, është absurde të mendohet, e jo më ne të bisedojmë për përmirësimin e gjendjes së mediave në Maqedoni. Pra, e përsëris, përderisa nuk sqarohet i tërë rasti, ne mbetemi me këtë qëndrim tonin si shoqatë për të ndërprerë bisedimet me qeverinë”, nënvizon Selmani.

Nga ana tjetër, Klime Babunski, analist, thotë se problemi kryesor me të cilin përballen mediat në Maqedoni është problemi i censurës klasike që u imponohet atyre në formën më të vrazhdë, që është e patolerueshme për një shoqëri demokratike.

Fakti se gazetarët luten që të largohen ose do të tërhiqen zvarrë me forcë, që të mos ndjekin një ngjarje të caktuar, sipas çdo definicioni kemi të bëjmë me censurë klasike, dhe ky është problem shumë serioz që ndodh në Maqedoni”, shprehet Babunski.

Ai më pas nënvizon se mediat janë politizuar në atë masë saqë qytetarët pothuajse e kanë të vështirë të krijojnë një perceptim real sa i përket zhvillimeve në vend.

Pra kemi dy realitete që s’përkojnë njëra me tjetrën, disa media prezantojnë një Maqedoni dhe disa të tjera prezantojnë një realitet krejtësisht ndryshe për aktualitete në Maqedoni”, thekson Babunski.

Sipas tij, është koha e fundit që mediat bashkë me faktorin ndërkombëtar dhe sektorin civil, t’i kundërpërgjigjen përfshirjes së politikës në çdo pore të shoqërisë, duke afirmuar dhe ruajtur me çdo kusht standardet profesionale të gazetarisë së pavarur
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum