E shtunë, nëntor 29, 2014 Kosova 05:59

Rajoni

Çmimet e "kripura" në Tiranë

Pamje nga Tirana në fundvit
Pamje nga Tirana në fundvit

Artikujt e ndërlidhur

Me gjithë tundimin që provokojnë festat e fundvitit, qytetarët do të mendohen jo pak për të blerë dhurata për të afërmit e tyre. Në Shqipëri, vitrinat e dyqaneve duken ftuese kur shënojnë ulje që shkojnë edhe në 70%  të çmimit, por edhe kjo nuk mjafton kur buxheti familjar është i limituar.  

Elona, një banore e kryeqytetit  thotë se për këtë arsye, nuk ka vendosur akoma se sa dhurata do të blejë realisht.

Edhe pak edhe shumë, nuk e kam vendosur akoma, varet nga sasia e lekëve që do kem në dispozicion”, thotë ajo.

Gjergj Ndoja thotë se vendi është në krizë.

Ai vetë punon gjatë periudhave të caktuara, e për këtë shkak paratë janë të limituara për të mos folur për dhuratat. Ai shprehet i sigurt kur thotë se këtë vit do të blejë më pak dhurata.

Dihet që më pak, s’ka rritje , gjithçka është e shtrenjtë, ulje ekonomike, s’ka lekë, nuk ka punë”, shprehet ai.

Fatmir Mulloymeri gjithashtu thotë se do të blejë më pak dhurata. Ai vetë është biznesmen dhe thotë se fiton aq sa për të paguar taksat ndaj shtetit.

Do të blej më pak, shkaqe ekonomike, s’ka lekë. Kjo është familja ime dhe s’kemi blerë asgjë deri tani”.

Por, edhe pse dyqanet raportojnë ulje çmimesh, jo gjithmonë ato përputhen me pritjet e qytetarëve.

Jeti Kurti, thotë se  çmimet janë të larta, ndaj dhe në blerje është rezervuar krahasuar me një vit më parë.

Çmimet janë të kripura, kam blerë më pak se vitin e kaluar”, thekson ai.

Për Kurtin, situata është reflektim i krizës që ka prekur edhe biznesin që kërkon t’i mbijetojë. 

Është prekur i gjithë vendi nga kriza, dhe bizneset në fund të fundit duhet të mendojnë për veten e tyre, për fitimet e veta dhe nuk është se duhet t’i kushtojnë rëndësi mundësive tona”.

Ka qytetarë që e shohin situatën më të lehtë. Për ta, asgjë nuk ka ndryshuar krahasuar më një vit më parë, siç konfirmon edhe Berti Xhangolli.

Po njëlloj, pak a shumë si ka qenë vitet e tjera. Kriza?! Mua faktikisht më ka prekur shumë pak”.

Angjeli Thanasi, thotë se ka blerë edhe më shumë dhurata se një vit më parë.

Më shumë kam blerë! Ka ulje, por janë shtuar dhe detyrimet”.

Thanasi thotë se për sa kohë ka një punë, ekonomia e tij familjare nuk e rrezikon asgjë, as kriza.

Kriza? Nuk ka ndikuar fare, për arsye se jemi në punë. Sa kemi pasur aq kemi, rritje s’kemi por as ulje”.

Iliri, një tjetër banor i Tiranës thotë se vendi nuk është në krizë ekonomike.

Ai thotë se krahasuar me një vit më parë, ai disponon më shumë para dhe për ketë shkak nuk do të rezervohet të blejë edhe më shumë dhurata.

Po jo, çfarë krize? Ne jemi buxhetorë dhe rrogat kanë ardhur përherë duke u rritur. Kështu që çmimet ulen, rrogat ngrihen, jemi të kënaqur!”.

Fuqia blerëse e konsumatorëve shqiptarë kryesisht gjatë dy muajve të fundit ka qenë shpesh temë debati politik.

Opozita thotë se vendi është në krizë, çfarë ka reflektuar dhe një rënie të fuqisë blerëse. Qeveria pretendon të kundërtën, duke mbështetur argumentimin se fuqia blerëse është rritur me të paktën 25% krahasuar me një vit më parë.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum