Ndërlidhjet

WP: John Kerry - i përshtatshëm për sekretar të shtetit


John Kerry
John Kerry
Duke e nominuar senatorin John Kerry, për sekretar amerikan të shtetit, presidenti Obama ka vlerësuar se “në një mënyrë, e tërë jeta e John-it e ka përgatitur atë për këtë rol”, shkruan në fillim të editorialit të saj e përditshmja Washington Post, në numrin e sotëm.

Zoti Kerry, veteran i dekoruar i Vietnamit, ka qenë aktiv në çështjet e jashtme prej ardhjes së tij në Senat, në vitin 1985.

John Kerry, një avokat i vazhdueshëm i rolit të liderit të Shteteve të Bashkuara, ka krijuar lidhje personale me politikanët më të lartë në shumë shtete.

Me gjithë dështimin e tij në zgjedhjet presidenciale në vitin 2004, fushata e atëhershme e ka bërë atë me më tepër përvojë në menaxhimin e organizatës më të madhe dhe sfidat e saj të përditshme.

Ajo që është më e rëndësishme, është se zoti Kerry tashmë ka punuar si përfaqësues diskret dhe i aftë për zotin Obama, gjatë mandatit të tij të parë, shkruan Washington Post.

Derisa ka shërbyer si kryesues i Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme të Senatit, demokrati 69 vjeçar nga Masaçusetsi, ka udhëtuar për në Afganistan, Pakistan, Egjipt dhe Sudan - i përmendëm vetëm disa nga vendet që ai i vizitoi - për t’i avancuar synimet e Shteteve të Bashkuara.

Ai ka ndihmuar në ndërmjetësimin e marrëveshjeve; në kohën kur presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, kishte mospajtime me disa zyrtarë të lartë të administratës, zoti Kerry e bindi atë që ta pranoj balotazhin në zgjedhjet e presidentit.

Zoti Kerry, shkruan e përditshmja Washington Post, beson shumë në vizitonin e Bill Clintonit për Shtetet e Bashkuara si “një vend esencial”.

Në këtë kuadër, ai e ka shtyrë zotin Obama, që është më i kujdesshëm, drejt dy vendimeve, të cilat janë dy ndër vendimet më të rëndësishme, në politikën e jashtme: intervenimin në Libi dhe mbështetjen për largimin e Hosni Mubarakut nga presidenca e Egjiptit.

Kerry ka luajtur, po ashtu, rol në njërin nga sukseset më të theksuara – në ratifikimin në Senat të marrëveshjes së re të armatimit bërthamor me Rusinë.

Duke e prekur njërin nga raportet më të vështira të Shteteve të Bashkuara, me Pakistanin, zoti Kerry ishte avokat i strategjisë afatgjatë të promovimit të zhvillimit ekonomik, për ta balancuar bashkëpunimin afatshkurtër ushtarak, shkruan Washington Post.

Si sekretar i shtetit, zoti Kerry do ta gjej vetveten më së shpeshti duke i kryer politikat e farkëtuara në Shtëpinë e Bardhë, e jo në implementimin e vizionit të tij. Senatori është i njohur për bindjen e tij se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më tepër për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, por ky qëllim i vlefshëm duket më i largët se kurrë, derisa personat e linjës së fortë në të dy anët, e marrin pushtetin.

Fokus më i mirë për sekretarin e ardhshëm të shtetit, do të ishte që të përpiqet ta formoj drejtimin e Lindjes së Mesme Arabe turbulente, duke filluar me Sirinë, ku lidershipi i Shteteve të Bashkuara fatkeqësisht ka munguar, shkruan Washington Post.

Zoti Kerry e ka një dobësi të madhe, e cila është e njëjtë me atë të Obamës: një besim të tepruar në përfitimet potenciale të “angazhimit” me regjimet e papërgjegjshme dhe diktatorët.

Në veçanti, përpjekjet e përsëritura të zotit Kerry, për të nxitur një dialog me sunduesin e Sirisë, Bashar al-Assad, ofron një rast të studimit se si një diplomaci e tillë mund të shkoj gabimisht. Assadi cinik e kishte bindur Kerryn se ai është “reformues”, që synon paqe me Izraelin, konkluzion që, siç kanë treguar 18 muajt e kaluar, nuk ka mundur të jetë më i gabueshëm, vlerëson Washington Post në editorialin e vet.

Dedikimi i zotit Kerry për dialog, bile edhe me armiqtë e Shteteve të Bashkuara, deri-diku mund të kuptohet për sekretarin e shtetit. Por, kabineti i ri i presidentit Obama, po ashtu, do të përfitonte nga balanci i realizuar në mandatin e parë, nga personalitetet siç ishin Hillary Clinton dhe Robert M. Gates, të cilët kishin pasur pikëpamje më skeptike për “angazhimin” dhe ishin në favor të hapave të tillë, siç ishte shtimi i trupave në Afganistan.

Konfirmimi i zotit Kerry për sekretar të shtetit, do të ishte një e arritur e rrallë për kandidatin presidencial që kishte humbur. Kjo është diçka që ai e ka fituar dhe ne presim që ai vendit do t’i shërbej fare mirë, shkruan në fund të editorialit të vet, e përditshmja Washington Post.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG