E shtunë, dhjetor 20, 2014 Kosova 11:22

Kronika

Gjykatat me ristrukturim në 2013

Ilustrim
Ilustrim
Që nga janari i vitit 2013, kur Ligji për gjykatat do të bëhet i plotfuqishëm dhe tërësisht funksional, Gjyqësori i Kosovës do të hyjë në ristrukuturimin e plotë të sistemit të gjyqësorit.

Me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri, struktura e gjykatave do të jetë në këtë mënyrë: e para Gjykata Supreme, Gjykata e Apelit, shtatë Gjykata Themelore me 20 degë në gjithë Kosovën.

Gjykatat themelore: Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan , Ferizaj dhe Gjakovë kanë nga 3 departamente: Departamenti për krime të rënda, Departamenti i përgjithshëm dhe Departamenti për të mitur.

Gjykata Themelore do të jetë kompetente për të gjykuar në shkallë të parë të gjitha çështjet, përpos nëse me ligj parashihet ndryshe.

Kurse, Gjykata e shkallës së dytë do të quhet Gjykata e Apelit dhe parashihet të jetë vetëm një në tërë Kosovën, me qendër në Prishtinë.

Gjykata e Apelit, si gjykatë e shkallës së dytë që përveç tjerash ka kompetencë të shqyrtojë të gjitha ankesat e ushtruara kundër vendimeve të Gjykatave Themelore, përveç kësaj kjo gjykatë do të vendosë edhe në shkallë të tretë sipas ankesave që janë të lejuara me ligj, selia e saj do të jetë në Prishtinë.

Gjykata e Apelit, duke qenë gjykatë e vetme e shkallës së dytë me juridiksion shtetëror, duhet të ketë afërsisht rreth 40 gjyqtarë.

Vendimet e Gjykatës së Apelit sipas ligjit do të jenë dokumente publike. Këshilli Gjyqësor i Kosovës siguron publikimin e vendimeve të Gjykatës së Apelit. Vendimet, të paktën duhet të publikohen në faqen e internetit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Gjykata e Apelit organizohet në departamentet si: Departamenti i Përgjithshëm; Departamenti për Krime të Rënda; Departamenti për Çështje Ekonomike; Departamenti për Çështje Administrative dhe Departamenti për të Mitur.

Ndryshe, Gjykata Supreme e Kosovës është instanca më e lartë gjyqësore në Kosovë dhe ka juridiksion në gjithë territorin e Kosovës. Gjykata Supreme do mbetet e njëjtë dhe nuk do të ndryshojë struktura e saj dhe kompetencat do të mbeten të njëjta.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, lidhur me riorganizimin e sistemit gjyqësor për vitin 2013, tha se gjyqësori do të jetë më efikas në zgjidhjen e lëndëve në gjykata. 

Enver PeciEnver Peci
x
Enver Peci
Enver Peci
“Reforma ndoshta i ka ato problemet e veta fillestare sa i përket funksionalizimit, mirëpo unë po shpresoj që me këtë strukturë të re të gjykatave, do të jetë një kontroll më i mirë i punës i secilës gjykatë. Dhe, në anën tjetër, do të bëhet një shpërndarje më adekuate e gjyqtarëve sipas grumbullimit të lëndëve në gjykatat përkatëse, do të thotë në ato vende ku janë më kritike. Këshilli i Gjyqësor i Kosovës ka mundësi që të bëjë transferimin e gjyqtarëve në mënyrë që të jenë më efikas në përfundimin e lëndëve që janë në gjykata”, tha Peci.

Nga ana tjetër, profesor Riza Smaka, ekspert i çështjeve juridike-kushtetuese, konsideron se Kosova ka nevojë për një sistem më funksional të drejtësisë. Ai, megjithatë, ka disa rekomandime për mënyrën se si do të duhej të funksionojë gjykata e Apelit dhe ajo Supreme.

“Gjykata e Apelit do të duhej të jetë e autorizuar ekskluzivisht vetëm për heshtjet e ankesave të rregullta të instancës së parë. Ndërsa, Gjykata Supreme vetëm dhe ekskluzivisht për mjetet juridike të jashtëzakonshme”, vlerëson Smaka.

Të gjitha lëndët, të cilat më 31 dhjetor të vitit 2012 janë lëndë të shkallës së parë të Gjykatës Supreme, Gjykatës së Qarkut, Gjykatës Ekonomike të Qarkut, Gjykatës Komunale apo Gjykatave Komunale për Kundërvajtje dhe nuk janë zgjidhur me një vendim të formës së prerë, më 1 janar të vitit 2013 trajtohen si lëndë të Gjykatës Themelore, e cila ka juridiksionin territorial përkatës.

Arton Konushevci

arton.konushevci+gmail.com

Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka një fëmijë.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum