E hënë, shtator 22, 2014 Kosova 22:16

Aktuale

Serbët me pikëpamje të ndryshme për jetën e tyre në Kosovë

Mitrovicë
Mitrovicë

Artikujt e ndërlidhur

Platforma "e vonuar" serbe

Platforma për Kosovën përmban anët pozitive, por edhe ato, me të cilat serbët e Kosovës nuk mund të jenë të kënaqur, thonë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.
Vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e zgjidhjeve që do t’i normalizonin raportet e këtyre dy vendeve, si dhe përkujdesja më e madhe e Serbisë për serbët e Kosovës, janë pritje këto, të cilat serbët e Kosovës shpresojnë të realizohen gjatë vitit 2013, vlerësojnë politikanët serbë të vendit.

Megjithatë, politikanët serbë të veriut të Kosovës dhe ata të Kosovës qendrore, kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me realizimin e këtyre pritjeve, ndonëse shumica e tyre përkrahin dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Politikanja serbe nga Graçanica, Rada Trajkoviq, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe pret që gjatë vitit 2013 të zvogëlohet, siç thotë ajo, frika e serbëve, për shkak se bisedimet e deritashme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë çuar drejt tërheqjes së institucioneve të kësaj të fundit nga Kosova.

Sipas saj, kjo gjë që ka shkaktuar frikën e serbëve se do të mbeten pa përkujdesje ekonomike dhe të sigurisë dhe se, sipas saj, nuk ekziston vullneti i institucioneve të Kosovës që t’i pranojë ata në mënyrë institucionale.

Po shpresoj që do të nxjerrim mësimet dhe vitin 2013 ta presim në atmosferë të bisedimeve të harmonizuara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me vullnetin e mirë të Prishtinës që në mënyrë adekuate ta bëjë hapësirën e Kosovës shumetnike”.

Kjo nënkupton mbijetesën funksionale të serbëve, por edhe  përmirësim të gjendjes ekonomike dhe të stabilitetit për të gjithë qytetarët, sepse hapësira stabile  me siguri se do të jetë tërheqëse për investitorët”, tha Trajkoviq.

Politikani tjetër nga Kosova qendrore, Petar Miletiq nga Partia e Pavarur Liberale, e cila merr pjesë në Kuvendin e Kosovës dhe në ekzekutivin e vendit, shpreson që gjatë vitit 2013, të dy kryeministrat, të Kosovës dhe Serbisë, ta vazhdojë dialogun, i cili siç thotë ai, është me rëndësi thelbësore për Kosovën  edhe për Serbinë.

Kjo jo vetëm se do të sjellë deri te normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, gjë që edhe është qëllimi i këtij dialogu, por edhe do ta përshpejtoj rrugën evropiane të Serbisë dhe Kosovës dhe nga kjo vetëm se mund të kemi përfitime”.

Natyrisht, neve në Kosovë na presin zgjedhjet lokale në vjeshtën e vitit 2013, por është e mundur të ketë edhe zgjedhje parlamentare. Kështu që për të gjithë ata që merren me politikën, kjo është një sfidë e re dhe duhet të jemi të përgatitur të gjithë ne që jemi të angazhuar politikisht”, tha Miletiq.

Zgjidhje mbi bazë reale

Ndërkaq, politikanët serbë të veriut presin që viti 2013 të jetë i favorshëm për zgjidhjen e problemeve në këtë pjesë të vendit, ndonëse këto zgjidhje i shohin në mënyra të ndryshme.

Politikani serb nga veriu i Mitrovicës, Oliver Ivanoviq, ish-zyrtar në qeverinë paraprake serbe, pret që gjatë vitit 2013 të gjendet një zgjidhje kompromisi ose zgjidhje që do të jetë ndërmjet kërkesave të serbëve të veriut dhe atyre të institucioneve të Kosovës.

Lidhur me këtë, Ivanoviq, thekson se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, duhet të tregohen konstruktive për të krijuar një atmosferë paqeje, në mënyrë që qytetarët të orientohen kah çështjet tjera.

Për të arritur këtë, Ivanoviq, mendon se ekziston bazë reale.

Mendoj se ekziston baza reale, sepse tash e kemi një rast të rrallë. Ndoshta ky është rasti që vjen një herë në 100 vjet, që serbët dhe shqiptarët të gjejnë zgjidhje konstruktive në mes tyre, në praninë e palës së tretë".

"Në të kaluarën kemi treguar se kur kemi biseduar në mënyrë të drejtpërdrejtë, nuk jemi treguar konstruktiv. Tash e kemi Bashkimin Evropian, drejt të cilit mëtojmë dhe i cili mund të jetë partner i dobishëm për të gjitha këto”, theksoi Ivanoviq.

Por, krejtësisht pritje të tjera ka politikani serb nga veriu i Kosovës, Marko Jakshiq, njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Serbisë nga radhët e Partisë Demokratike Serbe.

Ai shpreson që gjatë vitit 2013, nëse Serbia kushtëzohet të zgjedh ndërmjet Bashkimit Evropian apo Kosovës, ta zgjedhë mundësinë e dytë.

Ajo për të cilën unë shpresoj, ndonëse është e vështirë, është që Beogradi, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, të vendos për mbrojtjen e Kosovës. A do të ndodhë kështu, kjo mbetet të shihet. Kjo është çështja më e rëndësishme”.

Serbëve të veriut të Kosovës ju intereson më së shumti qëndrimi i Beogradit, sepse gjatë katër viteve të fundit, na duket se Beogradi na ka lënë në baltë. Të paktën kështu e përjetojmë ne. Se çfarë do të vendos Beogradi, motete të shihet”, theksoi Jakshiq.

Ndryshe, të gjithë politikanët serbë të Kosovës, shpresojnë dhe presin që viti 2013 do të jetë, të paktën,  më i qetë dhe më i mirë se sa viti 2012.

Bekim Bislimi

beka.bislimi+gmail.com

Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum